Aktivitetet

E premte, 22 tetor 2021

Takim historik i Kryetarit Xhaferi me Konstantinos Tasullas

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Greqisë, Konstantinos Tasullas, në margjinat e Konferencës së kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila më 21 dhe 22 tetor mbahet në Athinë.

Xhaferi shprehu kënaqësi që ky takim i parë me kolegun e tij grek realizohet në Athinë, në vitin kur Republika e Greqisë kremton 200 vjetorin e fillimit të luftës për pavarësi dhe e përuroi Kryetarin Tasullas për organizimin e shkëlqyer të Konferencës. Në raport me bashkëpunimin parlamentar bilateral, ai e vlerësoi ekzistimin e Grupeve të Bashkëpunimit në dhomat ligjvënëse të dyja vendeve si një bazë e shkëlqyer për zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë bilateral dhe shprehu shpresë se së shpejti, anëtarët e të dy grupeve do të realizojnë takim të përbashkët. Kryetari Xhaferi sugjeroi se në parlamentin grek akoma nuk janë miratuar ratifikimet me të cilat avancohet bashkëpunimi me Republikën e Maqedonisë së Veriut në më shumë fusha, përfshirë edhe në pjesën e eurointegrimeve dhe kërkoi ratifikimin e tyre sa më të shpejtë me qëllim që të vihen në funksion. 

Kryetari Tasullas shprehu kënaqësi të madhe për këtë, siç e quajti, takim të parë të shumëpritur në nivel të kryetarëve të parlamenteve dhe theksoi se kjo konfirmon se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve përparojnë. U pajtua se Grupet e Bashkëpunimit duhet ta vendosin dhe zhvillojnë bashkëpunimin parlamentar edhe konkretisht, në vend që ekzistimi i tyre të mbesë vetëm në letër dhe potencoi se parlamenti grek do të përpiqet që përmes mekanizmave të bashkëpunimit që i ka në dispozicion ti ndihmojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe në këmbimin e përvojave në procesin e eurointegrimit. Kryetari Tasullas e përshëndeti guximin e të dyja shteteve për zgjidhjen e çështjeve të vështira dhe theksoi se pas pranimit të Marrëveshjes së Prespës, ajo doemos të respektohet dhe të ruhet me kujdes. Me këtë rast, shprehu respektin e tij ndaj Kryetarit Xhaferi për përkushtimin e tij personal dhe përpjekjet e tij për zgjidhjen e çështjeve të mëdha dhe të vështira. Duke e përshëndetur hapin e shtetit ndaj anëtarësimit në NATO, Tasullas shprehu bindjen se hapi i radhës i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe me këtë rast e përsëriti mbështetjen e Greqisë për procesin.   

Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për përpjekjet që si kryetarë të parlamenteve i bëjnë me qëllim që të përmbushen obligimet dhe ajo që është dakorduar të zbatohet edhe në praktikë. E potencuan edhe besimin e ndërsjellë si rezultat i së cilit është edhe marrëveshja dhe bashkëpunimi ndërmjet të dyja palëve për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore. 

Në fund të takimit, Kryetari Xhaferi drejtoi ftesë të hapur ndaj homologut të tij Konstantinos Tasullas për të vizituar Republikën e Maqedonisë së Veriut në kohën kur këtë do e lejojë agjenda e tij dhe me këtë rast të drejtohet para deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Click