Aktivitetet

E martë, 10 nëntor 2020

Takim i Kryetarit Xhaferi me ambasadorin francez Bomgartner

Sot Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, e pranoi në vizitë të parë zyrtare ambasadorin e sapoemëruar të Republikës Franceze në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Sirill Bomgartner.

Kryetari Xhaferi, duke i uruar mirëseardhje të ngrohtë ambasadorit Bomgartner, e potencoi si të jashtëzakonshëm bashkëpunimin e deritanishëm me ambasadorin e mëparshëm dhe me Ambasadën Franceze dhe shprehu shpresë se i njëjti do të vazhdojë edhe në të ardhme me një dinamikë akoma më të madhe. Kryetari foli shkurt për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve, me theks në takimet e vitit të kaluar të parlamentarëve të dy kuvendeve, me ç’rast potencoi se priten edhe vizita kthyese, sapo të formohet Grupi i Bashkëpunimit me Parlamentin e Francës dhe kur këtë do e lejojnë kushtet shëndetësore. E informoi ambasadorin për Seksionin dhe Delegacionin e sapoformuar të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, që edhe më tej do e japin kontributin e vet të njohur ndaj promovimit të mëtejshëm të vlerave frankofone.

Njëherazi, Kryetari e informoi ambasadorin për ngjarjet aktuale në planin e perspektivës evropiane të vendit, për pritjet e takimeve të paralajmëruara të institucioneve më të larta evropiane, si edhe mbështetjen e Francës dhe vendeve tjera anëtare të përpjekjeve për fillimin e konferencës ndërqeveritare me vendin tonë kah fundi i këtij viti.

Ambasadori Bomgartner e riafirmoi mbështetjen e Republikës Franceze për vendin tonë në perspektivën evropiane dhe shprehu lëvdata të veçanta për profesionalizimin e lartë në punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, diçka që e vlerëson lartë. Shprehu pritjen se bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve,  përfshirë këtu edhe bashkëpunimin parlamentar, do të fitojnë në dinamikë dhe intensitet, me ç’rast e nënvizoi mundësinë për pasurimin e temave tradicionale të diskutimit, me fokus në bashkëpunimin rajonal dhe sfidat globale. Në raport me procesin e integrimit evropian, ambasadori Bomgartner theksoi se korniza e negocimit në fakt do e reflektojë metodologjinë e re të Bashkimit Evropian, me çka pritet dinamikë e freskuar në raportet e vendeve-kandidate dhe mobilizimi i të gjitha kapaciteteve institucionale vendore.

Bashkëbiseduesit shprehën bindjen për mbështetje të mëtejshme të ndërsjellë në planin multilateral, sidomos në punën e asambleve parlamentare ndërkombëtare përmes delegacioneve të përhershme. U konstatua edhe zotimi për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, mandej bashkëpunimi në arsim, kulturë, thellimi i bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndarja e përvojave të përbashkëta nga politika e jashtme dhe diplomacia parlamentare. 

Click