Aktivitetet

E premte, 18 shtator 2020

Takim i Kryetarit Xhaferi me Gent Cakaj 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot kishte takim me Gent Cakaj, ministër i autorizuar për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Me këtë rast, Kryetari Xhaferi falënderoi Republikën e Shqipërisë që ishte vendi i tretë anëtar i Aleancës që e ratifikoi Protokollin për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Ai e njoftoi ministrin me aktivitetet e ardhshme të punës së Kuvendit, siç është shqyrtimi i në shumë ndryshimeve ligjore të imponuara nga pandemia me Kovid-19, mandej aktivitetet në lidhje me agjendën evropiane dhe hapjen e kapitujve të parë kah fundi i këtij viti. Krahas kësaj, e njoftoi edhe për rrumbullakimin e funksionalitetit të Kuvendit me formimin e delegacioneve të bashkëpunimit multilateral dhe grupeve të bashkëpunimit bilateral.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për interesin e përbashkët dhe nismën për lidhjen e marrëveshjes bilaterale për thjeshtëzimin e procedurave kufitare (sistem një sportelesh) për pasagjerë dhe automjete në kalimin kufitar Qafë Thanë dhe shprehu mbështetje për të gjitha projektet që janë në favor të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në kuadër të programit IPA 2 për bashkëpunim tejkufitar, siç është ndërtimi i infrastrukturës rrugore, energjetike dhe hekurudhore në kuadër të Korridorit 8. Kryetari Xhaferi e përshëndeti përkushtimin e Shqipërisë në suazat e kryesimit me OSBE-në, në kushte kur Evropa ballafaqohet me kanosje serioze ndaj sigurisë së saj dhe pasojave mbi rrjedhat demokratike.

Ministri Cakaj ia uroi rizgjedhjen Kryetarit Xhaferi dhe e përshëndeti formimin e Qeverisë dhe funksionalitetin e Kuvendit. Ai e nënvizoi gatishmërinë e Shqipërisë për avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit të përgjithshëm, si edhe të intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve miqësore.

Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për bashkëpunimin rajonal i cili është kryesor për perspektivën evropiane dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe realizimit të qëllimit të përbashkët strategjik për anëtarësim në BE dhe në këtë drejtim, përpjekjet për fillimin formal të negociatave për anëtarësim deri në fund të këtij viti, i nënvizuan si prioriteti kryesor i të dy vendeve. 

Click