Aktivitetet

E hënë, 21 dhjetor 2020

Takim i Kryetarit Xhaferi me Kryetarin Shentop  

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Mustafa Shentop, Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë, i cili qëndron në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut me grup deputetësh. Në takim ishin të pranishëm nënkryetarët e Kuvendit, Goran Misovski dhe Fadil Zendeli, kryetari i Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Kuvendin e Turqisë, Bejxhan Iljaz dhe sekretarja e përgjithshme Cvetanka Ivanova. 

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për vizitën e sërishme të Kryetarit të Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, që përkon me shënimin e 21 Dhjetorit, Ditës së mësimit në gjuhën turke. Ai vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë janë në nivelin shumë të lartë dhe zhvillohen në vijën përpjetë, sidomos në nivelin politik, ekonomik dhe kulturor, ndërsa marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve janë pasqyruar edhe në bashkëpunimin e frytshëm parlamentar. 

Kryetari i Kuvendit falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut, para së gjithash në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme dhe anëtarësimin në NATO. Ai informoi për zhvillimet më të reja në drejtim të integrimit evropian, duke shprehur shpresë se së shpejti do të tejkalohen dallimet dhe do të gjetet mënyrë për të hapur rrugën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. 

Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë, Mustafa Shentop, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka rëndësi të veçantë për Republikën e Turqisë, duke nënvizuar se Turqia e ka mbështetur çdo hap të saj në planin ndërkombëtar. Ai potencoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut fitojnë një dimension të ri pas anëtarësimit të vendit në Aleancën, ku vazhdojmë të bashkëpunojmë si aleatë. Turqia edhe më tej mbetet mbështetës i fuqishëm i integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 

Kryetari Shentop foli për kryesimin e Republikës së Turqisë me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe informoi për aktivitetet parlamentare të ardhshme në kuadër të kryesimit turk. Njëherazi, drejtoi urime për anëtarësimin e plotfuqishëm të vendit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.  

Kryetarët e dy kuvendeve këmbyen mendime për pasojat, mënyrat dhe masat e menaxhimit të pandemisë me KOVID-19 dhe funksionimin e parlamenteve me protokollet e posaçme mbrojtëse. Kryetari Xhaferi e përshëndeti solidaritetin e Turqisë në luftën kundër pandemisë dhe falënderoi për donacionet e pranuara turke me ndihmë për menaxhimin e krizës shëndetësore. 

Kryetarët Xhaferi dhe Shentop shprehën kënaqësi që këmbimi tregtar i ndërsjellë nuk është zvogëluar gjatë pandemisë, që tregon se raportet ekonomike janë të bazuara mbi një bazë solide.  Në takim u bë fjalë edhe për luftën kundër terrorizmit dhe mbështetjen që parlamentet ua japin qeverive në këtë plan.   
Bashkëbiseduesit shprehën zotime për avancimin dhe përforcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe shpresë për thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërparlamentare.   

Click