Aktivitetet

E martë, 14 dhjetor 2021

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME SH.T. DANIEL XHOZEF EMERI 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Australisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Beograd, SH.T. Daniel Xhozef Emeri. 

Duke i uruar mirëseardhje, Kryetari Xhaferi shprehu shpresë se bashkëpunimi i ndërsjellë, i cili për shkak të pandemisë nuk mund të realizohet me takime me prezencë fizike të përfaqësuesve të të dy shteteve, në të ardhme do të fillojë të shënojë intensitet. Njëherazi, e informoi ambasadorin për interesin e deputetëve nga Kuvendi për realizimin e një bashkëpunimi më të ngushtë me kolegët e tyre australian, të shprehur përmes formimit të vazhdueshëm të grupeve parlamentare të bashkëpunimit në çdo legjislaturë, me pritje se përsëri do të formohet rrjeti i veçantë i bashkëpunimit me vendin tonë në parlamentin e tyre, siç ka qenë në të kaluarën, duke e pasur parasysh faktin që për momentin vendi është në rrjetin e bashkëpunimit me vendet e Evropës Juglindore.

Ambasadori Emeri falënderoi për mundësinë e realizimit të takimit, duke i vlerësuar raportet e ndërsjella si të afërta, të ngrohta dhe miqësore, me një element të rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit ndërparlamentar. Ai e shprehu mbështetjen e plotë australiane për realizimin e qëllimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut – anëtarësimin aktual në NATO dhe progresin e arritur për marrjen e datës për negociata për anëtarësim në BE, me pritje se pengesat aktuale së shpejti do të tejkalohen. Rolin e Kuvendit  dhe deputetëve gjatë negocimit për anëtarësim në BE e vlerësoi si kryesor, sidomos për shkak të vëllimit të legjislacionit të kërkuar që duhet të kalojë nëpër procedurën parlamentare gjatë këtij procesi. 

Të dy bashkëbiseduesit konstatuan se bashkëpunimi ka potencial për një vëllim më të madh në sferën e mbrojtjes, turizmit dhe arsimit dhe e përshëndetën bashkëpunimin e deritanishëm në suazat e organizatave ndërkombëtare. Njëherazi, u pajtuan se diaspora, si një nga më të shumtat në shtet, mund të shërbejë si urë e ndërlidhjes së përforcuar ndërmjet dy vendeve. 

Click