Aktivitetet

E martë, 26 janar 2021

Takim i Kryetarit Xhaferi me Sh.T. Jasim Bin Hamad All - Tani                                            

Në takimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi me ambasadorin e sapoemëruar të Shtetit të Katarit, Sh.T.  Jasim Bin Hamad All - Tani, u këmbyen mendime rreth bashkëpunimit të deritanishëm dhe të ardhshëm mes dy vendeve, sidomos në planin e avancimit dhe intensifikimit të komunikimit bilateral në të gjitha nivelet, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Kryetari i Kuvendit shprehu shpresë se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet mes dy palëve do të thellohen në periudhën e ardhshme, veçanërisht bashkëpunimi ekonomik dhe në këtë kontekst, apeloi te bashkësia afariste si edhe te odat ekonomike të dy vendeve të vazhdojnë me komunikimin intensiv edhe në periudhën e ardhshme. Kryetari Xhaferi e përshëndeti edhe vendimin e Katarit në vitin 2017 për heqjen e regjimit të vizave me më shumë se 80 vende, ndër të cilat edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si vendim i cili e lehtëson komunikimin e më shumë se 4500 qytetarëve tanë të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetin e Katarit.

“Në periudhën e ardhshme pres intensifikim edhe të bashkëpunimit parlamentar në të gjitha nivelet, që e çmoj si shumë të rëndësishëm dhe planifikoj që në periudhën para nesh ti drejtoj ftesë kolegut tim, Ahmed All Mahmud që pas përfundimit të krizës së pandemisë të vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut,” theksoi ai. 

Ambasadori i ri i Shtetit Katar, Sh.T. Jasim Bin Hamad All-Tani falënderoi për takimin si edhe për mundësinë për këmbimin e mendimeve rreth bashkëpunimit të mëtejshëm dhe shprehu bindjen se gjatë mandatit të tij do të ndihmojë dhe do të japë kontribut personal të madh në intensifikimin dhe përforcimin e bashkëpunimit, sidomos në planin ekonomik. Ai shprehu keqardhje për ndërprerjen momentale të linjës ajrore me Katarin që është shkaktuar nga pandemia e koronës, dhe e informoi Kryetarin Xhaferi se punohet në planin që deri në muajin qershor 2021 të vendoset sërish linja e drejtpërdrejtë Shkup - Doha - Shkup.

Shkëlqesia e Tij, po ashtu e informoi Kryetarin Xhaferi se në periudhën e ardhshme pret që të precizohen dhe të nënshkruhen të gjitha tetëmbëdhjetë marrëveshjet e mbetura bilaterale të cilat janë planifikuar dhe të cilat do të mundësojnë komunikim më të fuqishëm dhe më intensiv për të dyja palët në më shumë fusha.   

Në fund, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë do të vazhdojë të intensifikohet edhe në të ardhme.    

Click