Aktivitetet

E mërkurë, 17 shkurt 2021

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME SH.T. KUNDUROS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe të autorizuar të sapoemëruar të Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Rusos Kunduros. 

Kryetari Xhaferi, duke i drejtuar urime për emërimin në funksion dhe duke i uruar sukses në punën e tij, shprehu pritjet për vazhdimin e kontinuitetit të bashkëpunimit me Ambasadën në Shkup. Vënia e bazës së marrëveshjes për një bashkëpunim bilateral më intensiv mes dy shteteve mundësoi anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe vendim për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në ato suaza, është përforcuar edhe bashkëpunimi institucional dhe koordinimi në raport me sfidat e pandemisë, menaxhimin e rrjedhave migrante dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore. Këto aktivitete e reflektojnë besimin e ndërsjellë dhe paraqesin investimin tonë në sigurinë kolektive të Aleancës, sugjeroi Kryetari Xhaferi. Ai theksoi se anëtarësimi në BE paraqet prioritetin tonë të dytë strategjik, por për arsye mirë të njohura, fillim formal të negociatave akoma nuk ka.

Kryetari Xhaferi e informoi ambasadorin për ftesën e drejtuar për Kryetarin e Parlamentit grek Konstantinos Tasullas për realizimin e vizitës së drejtpërdrejtë bilaterale në Shkup apo në Athinë, sapo të lejojnë këtë kushtet dhe për ftesën e drejtuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Parlamentin e Republikës së Greqisë Bajram Kadrija, për kolegun e tij Georgios Vllahos për organizimin e një takimi virtual të grupeve të dy parlamenteve si një hap i parë kah bashkëpunimi bilateral më dinamik në të ardhme.

Ambasadori Rusos falënderoi përzemërsisht për realizimin e takimit dhe u pajtua me konstatimin se Marrëveshja e ashtuquajtur e Prespës mundëson një realitet të ri në marrëdhëniet e ndërsjella për të cilat, siç sugjeroi, me padurim e pret thellimin e tyre në vitet në vijim. Anëtarësimi në NATO i Republikës së Maqedonisë së Veriut është prioritet edhe për Republikën e Greqisë, ndërsa anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka të bëjë me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja mundëson intensifikim të bashkëpunimit në shumë fusha, por gjithsesi se imponon edhe respektim të obligimeve, theksoi ambasadori Rusos. Si fqinjë dhe si demokraci parlamentare, diplomacia në fushën e bashkëpunimit parlamentar është sidomos e rëndësishme dhe e njëjta duhet të kultivohet dhe të avancohet. Ai e siguroi Kryetarin Xhaferi se do i fokusojë përpjekjet e veta për realizimin sa më të shpejtë të takimeve në nivelin më të lartë parlamentar me udhëheqësinë e parlamentit grek. 

Bashkëbiseduesit u pajtuan se potencialet për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, energjetikës, infrastrukturës, arsimit dhe fushave tjera me interes të përbashkët duhet të shfrytëzohen në mënyrë përkatëse nga ana e të dy shteteve. 

Click