Aktivitetet

E premte, 16 prill 2021

Takim pune për të përmirësuar situatën e femrave në mjediset rurale

Kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve dhe kryetarja e Klubit të Deputeteve, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Lolita Ristova, si dhe deputetet nga të dyja trupat parlamentare, sot realizuan takim pune me Federatën Nacionale të Fermereve (FNF).

Si pjesë përbërëse e FNF-së, funksionon Rrjeti i Femrave Fermere, i cili synon fuqizimin ekonomik të femrave rurale, forcimin e aftësive drejtuese të femrave fermere, ndërgjegjësimin mbi përfshirjen më të madhe në krijimin e politikës bujqësore, përfaqësimin dhe lobimin për të drejtat e pronës së femrave në mjediset rurale dhe pronësinë e tokës bujqësore, realizimin e së drejtës për pension, pushimin prindëror, punën me fokus grupet me kategoritë e prekshme të femrave në mjediset rurale.

Në takim morën pjesë Vaska Mojsovska, kryetare; Biljana Petrovska-Mitrevska, menaxhere e projektit dhe Daniella Antonovska, koordinatore e projektit.

Diskutimi kishte për qëllim përmirësimin e pozitës ekonomike dhe sociale të femrave në mjediset rurale duke forcuar efektivitetin dhe ndikimin e programeve nacionale për mbështetjen financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural, ligjeve dhe strategjive në fushën e barazisë gjinore, mosdiskriminimit, bujqësisë, zhvillimit rural dhe social dhe përfshirjes së perspektivës gjinore në krijimin e masave, politikave dhe strategjive në lidhje me bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Theks i veçantë u vu në nevojën për të gjetur zgjidhje ligjore për femrat në mjediset rurale që nuk kanë ushtruar të drejtën e tyre për pension, përkatësisht njohjen e punës së papaguar të femrave duke ndryshuar Ligjin që parasheh pension social, si dhe ndryshimet e domosdoshme në Ligjin për sigurim shëndetësor për të ushtruar të drejtën e pushimit prindëror dhe të pushimit mjekësor të fermereve të regjistruara.

Në fund të takimit, deputetet shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në të ardhmen, veçanërisht në fushën e ushtrimit të të drejtave të tyre dhe përmirësimin e pozitës së femrave në mjediset rurale.

Click