Aktivitetet

E mërkurë, 8 stator 2021

Takime të Kryetarit Xhaferi me mikpritësin Sobotka dhe kolegun Zvizdiq

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot realizoi takim me Volfgang Sobotka, Kryetarin e Këshillit Nacional Austriak, në margjinat e Konferencës së pestë botërore të kryetarëve të parlamenteve që mbahet në Vjenë, në organizim të përbashkët të Unionit Inter-Parlamentar (IPU) dhe Parlamentit Austriak. Xhaferi e falënderoi Sobotkën për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer të evenimentit të parë ndërkombëtar masovik prej fillimit të pandemisë, që mbahet me prezencë fizike të pjesëmarrësve, masa dhe protokolle gjithëpërfshirëse shëndetësore.

Në takim, Xhaferi i ndau mirënjohje kolegut të vet, Kryetarit Sobotka, për vetëmohimin dhe sakrificën e zjarrfikësve austriak, të cilët ishin krah për krahu me ne gjatë betejës kundër zjarreve që e përfshinë vendin tonë. Njëherazi, ai drejtoi mirënjohje të përzemërt ndaj Republikës së Austrisë dhe popullit austriak për miqësinë dhe bashkëpunimin, si edhe mbështetjen e fuqishme në përpjekjet tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 

Kryetarët e dy parlamenteve shprehën gatishmëri për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim të thellimit të raporteve miqësore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Austrisë.

Kryetari Talat Xhaferi realizoi takim të shkurtër edhe me Denis Zvizdiq, Kryetarin e Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit të Bosnjë dhe Hercegovinës. Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për gjendjet aktuale në të dy vendet dhe në rajon, si edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve.

Click