Aktivitetet

E enjte, 11 shkurt 2021

Takimi i deputetit Kërmov me ambasadoren kroate Tiganj

Deputeti i partisë "E Majta", Borisllav Kërmov, realizoi takim me ambasadoren kroate Nives Tiganj, ku shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis të dyja vendeve, të cilat nuk kanë çështje të hapura dhe kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

Në diskutim të hapur, ambasadorja kroate kishte mundësinë t'i dëgjonte qëndrimet e deputetit Kërmov dhe partisë "E Majta" në përgjithësi. Ajo shprehu interes për mendimet mbi regjistrimin aktual, rrugën evropiane të vendit, politikën ndaj fqinjëve, punën në Dhomën Ligjvënëse, etj.

Deputeti Kërmov e njoftoi ambasadoren me qëndrimet kryesore të partisë "E Majta" për shumë çështje, ndërsa informoi se rajtingu i tyre është rritur shumë, kryesisht nga të rinjtë në vend dhe elektorati i zhgënjyer, që ka të bëjë me, siç tha ai, shfaqjet e sinqerta në foltoren parlamentare. Ai e përshkroi rolin e tyre në skenën politike si prishje të bipartizmit.

Në vazhdim, Kërmov e theksoi qëndrimin kritik ndaj proceseve reformuese, orientimit pro-evropian dhe kundër anëtarësimit në NATO. Foli edhe për Marrëveshjen e Ohrit dhe Marrëveshjen e Prespës dhe, në atë kontekst, shprehu skepticizëm rreth marrëveshjes së mundshme bullgare. Ai është për kompromise, por jo për marrëveshje asimetrike, përkatësisht duhet të ketë reciprocitet në marrëdhëniet e mira fqinjësore. Si parti, angazhohen për qëndrime të forta për vendin tonë, duke qenë se interesat e faktorit të huaj nuk janë gjithmonë edhe interesat tona. Megjithëse jemi një vend i vogël, duhet të kemi dinjitet si vendet e mëdha, tha Kërmov.

Siç shpjegoi, ata janë parti që i drejtohet klasës, nga poshtë lart, do të thotë duke filluar nga të varfërit. Në atë drejtim, angazhohen për t'i dhënë fund politikës së brendshme nacional-shofinistike, kujdesin për qytetarët e zakonshëm dhe ndërtimin e konsensusit social.

Për të ardhmen e skenës politike, hyrja në Qeveri e partisë "E Majta" do të ishte parimore, jo me çdo kusht, ndërsa kërkesat e tyre parimore do t'i bazojnë në forcën e tyre politike.

Click