Aktivitetet

E premte, 21 janar 2022

Takimi i Klubit të Deputeteve me studentët japonezë

Sot, Kryesia e Klubit të Deputeteve ka mbajtur takim me studentët e Shkollës Universitare të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare Xhon Hopkins nga Japonia. Në takim morën pjesë profesori Shneebaum dhe 12 studentë me qëllim të ofrimit të përvojës praktike në fushën e të drejtave të njeriut. Pra, çdo vit ata zgjedhin pyetje dhe vend për hulumtim në periudhë prej dy semestrave, që rezulton me raport të plotë dhe konkluzione. 

Me iniciativën e magjistrantit Jung-Ju Çang, këtë vit fokusi i këtyre studentëve janë instrumentet juridike, institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe korniza ligjore për trafikimin e qenieve njerëzore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në fjalimin hyrës, Kaleska-Vançeva theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka krijuar kornizë të gjerë juridike për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, e cila është e forcuar dhe harmonizuar, e zhvilluar siç duhet dhe në përputhje me legjislacionin evropian dhe standardet ndërkombëtare, veçanërisht në drejtim të identifikimit, parandalimit, dhënies së ndihmës juridike dhe mbështetjes për viktimat.

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e të drejtave civile dhe politike i garanton të drejtat dhe liritë fondamentale si vlera themelore të rendit kushtetues të shtetit.

Legjislacioni nacional që rregullon këtë çështje përfshin Ligjin për të huaj, Kodin Penal, Ligjin për procedurë penale, Ligjin për bashkëpunim ndërkombëtar në materien penale dhe Ligjin për të huaj.

Studentët, mes tjerash, u interesuan nëse aktualisht ka ligje për trafikimin e qenieve njerëzore që janë në draft apo janë duke u shqyrtuar si ndryshime dhe plotësime dhe si ndahet buxheti për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. 

U theksua se Ligji për dëmshpërblimin e viktimave të veprave penale është në procedurë parlamentare, për të cilat janë shfrytëzuar standardet ndërkombëtare, përvojat dhe praktikat e mira. Qasja në dëmshpërblimin shtetëror mund të luajë rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e këtyre viktimave dhe në këtë mënyrë t'i dërgojë mesazh të fuqishëm viktimës, se shoqëria e pranon se asaj i është bërë padrejtësi.

Në takim folën edhe kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Jasmina Dimitrieva nga Këshilli i Evropës, ku pjesë aktive morën edhe deputetet Marija Petrushevska, Zhaklina Peshevska dhe Angelinka Petkova.

Në fund, Kaleska-Vançeva u uroi studentëve qëndrim të këndshëm në vendin tonë, shumë suksese si në planin privat ashtu edhe në atë profesional dhe shprehu gatishmërinë në emër të Klubit të Deputeteve për bashkëpunime në të ardhmen me këtë universitet.

Click