Aktivitetet

E enjte, 12 gusht 2021

Takimi i Kryetarit Xhaferi me sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Botërore Myslimane, dr. Mohamad bin Abdul Karim Al-Isa

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, realizoi takim me sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Botërore Myslimane, dr. Mohamad bin Abdul Karim Al-Isa, i cili është për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Kryetari Xhaferi e përshëndeti misionin dhe përpjekjet e sekretarit të përgjithshëm Al-Isa për të avancuar dialogun ndërfetar, tolerancën fetare dhe bashkëjetesën paqësore në nivel global. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sekular multietnik, multifetar dhe multikulturor, ndërsa respekti për fetë e ndryshme, kulturën, gjuhën dhe origjinën etnike janë gurthemeli i sigurisë dhe prosperitetit të vendit. 

Xhaferi më tej informoi për prioritetet e politikës së jashtme të vendit tonë për anëtarësimin në NATO, qëllim që e arritëm në mars 2020 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, qëllim mbi të cilin Kuvendi po punon vazhdimisht për të dhënë rezultate konkrete dhe për t'i përmbushur aspiratat evropiane të qytetarëve. Sa i përket bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve me fqinjët, Kryetari Xhaferi theksoi se vazhdimisht përpiqemi të krijojmë atmosferë pozitive dhe t'i zgjidhim çështjet bilaterale në frymën e fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane themelore.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Botërore Myslimane, dr. Mohamad bin Abdul Karim Al-Isa, duke theksuar se diversiteti është thesar, vlerësoi bashkëpunimin ndëretnik dhe ndërfetar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e përshëndeti rolin e rëndësishëm të Kuvendit në ndërtimin e bashkëjetesës, që mund të shërbejë si shembull në rajon dhe më gjerë. 

Ai iu referua luftës kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe theksoi se familja, arsimi dhe institucionet janë më të rëndësishmet për parandalimin e tyre. Duke theksuar se Lidhja Botërore Myslimane i kushton rëndësi të madhe arsimimit të fëmijëve si mbrojtja më e sigurt kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, informoi se në konferencat e organizuara nga kjo organizatë joqeveritare i ftojnë përfaqësuesit e Vatikanit, organizatat budiste, organizatat fetare hebraike dhe punojnë së bashku për të ndërtuar ura midis komuniteteve në nivelin lokal, rajonal dhe global. Ai theksoi se Lidhja Botërore Myslimane ka bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vazhdon të punojë me përkushtim në ndërtimin e partneriteteve të reja midis komuniteteve, feve dhe kombeve të ndryshme. 

Click