Aktivitetet

E hënë, 19 korrik 2021

Takimi i Kryetarit Xhaferi me Sh.T. Dan Orjan

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot e priti në një vizitë lamtumire ambasadorin e Shtetit të Izraelit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Dan Orjan, në shoqërim të Konsullit të nderit të Izraelit në Shkup, z. Gradimir Shumkovski.

Në fillim të takimit, ambasadori e theksoi kënaqësinë për përparimin e arritur në marrëdhëniet bilaterale, spektrin e gjerë të takimeve të realizuara ndërmjet institucioneve, bashkëpunimin e vendosur dhe projektet e rëndësishme që janë në rrjedhë dhe për potencialin e përgjithshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shtetit të Izraelit. Informoi për pritjet e Kryetarit të Knesetit për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe sidomos ndërmjet Grupeve Parlamentare të Bashkëpunimit. Falënderoi për angazhimin e përzemërt të Kryetarit Xhaferi në afirmimin e kujtimit për Holokaustin, si edhe për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në të gjitha evenimentet që organizoheshin në vend, a që kishin për qëllim të ngrijnë vetëdijen shoqërore për këto çështje.   

Kryetari Xhaferi, shprehu kënaqësi nga takimi dhe e potencoi transparencën dhe gatishmërinë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim parlamentar në të gjitha aspektet dhe nivelet, sepse diplomacia parlamentare, shumë herë deri tani ka dëshmuar se është pa ngushtim dhe kufizime formale, me çka e trason rrugën e vendosjes më të lehtë të komunikimit të ndërsjellë. Theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, me anë të hapjes së Qendrës Memoriale të Holokaustit në Shkup, e tregoi dhe konfirmoi respektin e vet pa rezervë ndaj viktimave të atij terrori i cili nuk guxon të harrohet. 

Në kontekst të raporteve ndërshtetërore në këtë plan, bashkërisht u shpreh mirënjohje ndaj punës së Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore të Shqiptarëve, respektivisht, Departamentit të Antisemitizmit dhe Çështjeve të Holokaustit, i cili me anë të punës së vet shkencore krijon vizion të qartë për rëndësinë dhe senzitivitetin e këtyre fenomeneve historike që nuk guxojnë të harrohen dhe margjinalizohen.

Në raport me gjeopolitikën dhe përcaktimet tona strategjike si shtet, Kryetari Xhaferi sugjeroi për anëtarësimin në Aleancën e NATO-s në bazë të barabartë me 29 aleatët tjerë, si edhe për pritjet për ngritjen e nivelit të raporteve me BE-në me fillimin e negociatave deri në fund të këtij viti. 

Bashkëbiseduesit ndanë bindjen e ndërsjellë për një bashkëpunim të mëtejshëm konstruktiv dhe intensiv, sidomos në fushën e diplomacisë ekonomike, sektorin ushtarako-mbrojtës, teknologjinë e lartë dhe inovacionet, turizmin dhe kulturën.   

Kryetari Xhaferi, duke i dorëzuar ambasadorit Orjan Mirënjohje për bashkëpunimin, i uroi sukses dhe fat të mëtejmë në planin personal dhe profesional, me bindjen se bashkëpunimi i llojllojshëm, i pasur dhe i frytshëm mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shtetit të Izraelit do të vlerësohet dhe avancohet edhe nga ana e ambasadorit të ardhshëm. 

Click