Aktivitetet

E enjte, 3 shkurt 2022

Takimi i punës i GPNP-së për të drejtat e personave LGBTI

Grupi Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave LGBTI i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka mbajtur takim pune me përfaqësuesit e Koalicionit Margini, Rrjeti Nacional kundër Homofobisë dhe Transfobisë dhe Transforma, të udhëhequr nga koordinatorja e grupit, deputetja Maja Moraçanin.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i problemeve dhe sfidave me të cilat përballet një pjesë e komunitetit LGBTI, përvojat e tyre negative të jetës dhe diskriminimi me të cilin përballen.

Në takim, përveç anëtarëve të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave LGBTI, morën pjesë edhe kryetaret e Komisionit për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, Sonja Mirakovska dhe Gordana Siljanovska Davkova, si dhe anëtarët e këtyre komisioneve.

Në takim u vu theksi në avancimin e kornizës ligjore, përkatësisht miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencën amë, i cili është në procedurë parlamentare dhe gjatë këtij muaji do të vihet në rend dite të Komisionit për Sistemin Politik, pas kësaj në procesin ndërmjet dy leximeve do të zhvillohet edhe debati publik për sensibilizimin e opinionit për këtë temë. Lidhur me zgjidhjen e propozuar ligjore, u theksua se nuk bëhet fjalë për tekst perfekt, por është bazë minimale ligjore për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në procesin e ndërgjegjësimit të publikut, si dhe për t'u përfshirë në ndërhyrjet eventuale me amendamente të tekstit. Ata theksuan se miratimi i kësaj zgjidhjeje ligjore do të kontribuojë për jetë më dinjitoze të personave transgjinorë dhe do t'i mbrojë nga trajtimi diskriminues i institucioneve ndaj tyre.

Në takim u diskutua edhe për situatën e përgjithshme me të drejtat e njeriut dhe garantimin e parimit të barazisë së personave nga komunitetet e margjinalizuara, por edhe të femrave. U theksua se ka intensifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe veprave të urrejtjes, për të cilat shkaku kryesor është mosveprimi dhe mosndëshkimi i këtyre veprave nga institucionet kompetente.

Click