Aktivitetet

E enjte, 4 mars 2021

Ueb konferencë me temë: "Përforcimi i etikës ligjvënëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut"

Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, me ftesë të Partneritetit për Demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së (HDP), sot mori pjesë në ueb konferencë me temë "Përforcimi i etikës ligjvënëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut", që u mbajt përmes platformës online Zoom.

Përveç anëtarëve të Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, përfaqësuesit e Komisioneve ishin gjithashtu të përfshirë: për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe Juridik Ligjvënës, si dhe një pjesë e shërbimit parlamentar.

Qëllimi i këtij shkëmbimi virtual të kolegëve ishte t'i bashkonte përfaqësuesit e Kongresit të SHBA-së dhe Kuvendit, për të diskutuar rëndësinë e kornizave efektive mbi etikën dhe për të integruar etikën në punën ligjvënëse.

Në fillim të ueb konferencës, mbajti fjalim Panço Minov, kryetar i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, i cili e falënderoi HDP-në për interesimin e shfaqur, kontributin e madh dhe mbështetjen e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai foli për Kodin Parlamentar të Etikës për Deputetët dhe mundësinë e plotësimit dhe saktësimit të terminologjisë së caktuar të tij.

Pjesëmarrësit u informuan shkurtimisht për historikun dhe përmbledhjen e etikës në Qeverinë e SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e formalizimit të rregullativave të etikës, procesin e krijimit të kornizës së etikës për Kongresin e SHBA-së dhe zhvillimin e tij me kalimin e kohës.

Doracaku i Komisionit të Etikës në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së u prezantua nga Sara Majers-Matshal e Komisionit të Etikës së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ku u përqendrua në rregullativat e konfliktit të interesave, dhuratave dhe masave të parandalimit të keqpërdorimit të pasurisë dhe fondeve, si dhe përdorimin e resurseve zyrtare.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski dhe deputetja Snezhana Kaleska-Vançeva morën pjesë në diskutim.

Micevski e falënderoi eksperten Matshal për prezantimin e dobishëm dhe në lidhje me Kodin e miratuar, tha se ai është një hap përpara për funksionimin e Parlamentit. Gjithashtu përkujtoi edhe miratimin e Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe formimin e KSHPK-së.

Vançeva tha që Kodi është bazë solide, por gjëja tjetër që duhet të bëjmë është të përpunojmë më tej rregullat dhe zbatimin e Kodit të Etikës, si dhe nevojën për të caktuar zyrtar të etikës.

Në sesionin e dytë, praktikat më të mira për zhvillimin dhe sigurimin e trajnimeve efektive për anëtarët dhe personalin u ndanë për t'i ndihmuar t'i njohin me pajtueshmërinë etike.

Rëndësia e trajnimit dhe edukimit për të rritur ndërgjegjësimin për ndërtimin e pajtueshmërisë u prezantua nga Tamar Nexhar i Komisionit të Etikës së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe Karina Dis, këshilltare juridike mbikëqyrëse, e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore e SHBA-së.

Deputetet Belkisa Zeqiri dhe Marija Kostadinova, shprehën interes në atë se cilët tregues financiarë publikohen për deputetët dhe cilat informacione mund të ndahen me publikun, ndërsa të ruajnë konfidencialitetin dhe llogaridhënien në punë.

Click