Aktivitetet

E premte, 1 tetor 2021

Vizitë studimore e Delegacionit të Kuvendit në Parlamentin Kroat dhe Entin Shtetëror të Revizionit

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Goran Misovski; anëtari i Komisionit për Financim dhe Buxhet, deputeti Dime Vellkovski dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm, Bojan Vasilevski, nga 26 shtator deri më 1 tetor 2021, janë për vizitë studimore në Parlamentin e Republikës së Kroacisë dhe Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Kroacisë.

Vizita studimore është pjesë e Tvining-Projektit të BE-IPA "Përmirësimi i revizionit të jashtëm dhe mbikëqyrja parlamentare".

Në kuadër të komponentit të tretë të këtij Projekti, është paraparë forcimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimit të Entit Shtetëror të Revizionit me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është nën monitorim të veçantë të Bashkimit Evropian dhe i referohet analizës së gjendjes faktike të shqyrtimit të raporteve të revizorit nga Parlamenti, analiza krahasuese e mekanizmave për shqyrtimin e raporteve të revizorit në parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përgatitja e rekomandimeve për forcimin e procedurave ose mekanizmave të brendshëm në Parlament, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.

Gjatë vizitës studimore, deputetët u njohën me mënyrën e bashkëpunimit në mes të Entit Shtetëror të Revizionit dhe Parlamentit të Republikës së Kroacisë, bashkëpunimin midis Komisionit për Financim dhe Buxhet dhe Entit Shtetëror të Revizionit të Republikës së Kroacisë dhe mënyrën e shqyrtimit të raporteve përfundimtare të revizorit.

Gjatë vizitës, nënkryetari Misovski dhe deputeti Vellkovski u takuan me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Rejner. Takimi u përqendrua në bashkëpunimin e vazhdueshëm bilateral midis dy vendeve dhe nismat për të rritur bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes reciprok.

Nënkryetari Misovski falënderoi për mbështetjen që Republika e Kroacisë i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në proceset integruese evropiane. Misovski shpreson se pas kompromisit të bërë me Republikën e Greqisë për kontestin me emrin e vendit, dhe duke pasur parasysh marrëdhëniet aktuale me Republikën e Bullgarisë, i gjithë procesi më në fund do të zhbllokohet dhe Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane. Bashkëbiseduesit ranë dakord se diplomacia parlamentare ka rol të rëndësishëm për të luajtur në forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve.

Gjatë vizitës, u mbajtën takime me Grozdana Periç, kryetare e Komisionit për Financim dhe Buxhet dhe Ermina Lekaj, Silvano Hrelja dhe Erik Fabianiç, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë midis Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Anëtarët e Delegacionit i informuan kolegët e tyre se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me dispozitat e Ligjit për revizion shtetëror, Raporti Vjetor për revizionet e kryera dhe për punën e Entit Shtetëror të Revizionit shqyrtohet në mbledhjen e Komisionit për Financim dhe Buxhet. Bazuar në debatin, Komisioni miraton konkluzione që ia propozon Kuvendit. Kuvendi e shqyrton Raportin Vjetor për revizionet e kryera dhe për punën e Entit Shtetëror të Revizionit dhe pas kësaj miraton konkluzione. Në bazë të Ligjit për revizion shtetëror, të gjitha raportet përfundimtare të ESHR-së për revizionin e kryer financiar, revizionin e harmonizimit dhe revizionin e suksesit dorëzohen në Kuvend. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Enti Shtetëror i Revizionit janë në komunikim të vazhdueshëm në mënyrë që të gjejnë model të përshtatshëm për shqyrtimin e raporteve përfundimtare të revizionit, i cili do të arrinte efikasitet dhe efektivitet më të madh në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e revizorit, të cilat do të forcojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e shpenzimit të mjeteve publike. Ekzistimi i kornizës formale dhe institucionale të bashkëpunimit, përpunimi i raporteve të revizorit, shqyrtimi dhe diskutimi i tyre në trupat punues të Kuvendit është përfitim i pazëvendësueshëm në kontrollin dhe inspektimin publik në shpenzimin e mjeteve publike.

Falë përvojave të vendeve të tjera, Parlamenti tashmë ka filluar konsultimet për trajtimin formal të raporteve të revizorit në mënyrë që të vendosë mekanizëm efektiv për shqyrtimin e raporteve të revizorit dhe arritjen e konkluzioneve për to.

Në fund të vizitës, deputetët shprehën mirënjohjen për mbështetjen që Bashkimi Evropian i jep Kuvendit në lidhje me fillimin e procedurës për shqyrtimin e raporteve përfundimtare të revizorit dhe shprehën shpresën se përvojat pozitive nga Parlamenti i Republikës së Kroacisë do të zbatohen në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sa më shpejt të jetë e mundur.

Click