Aktivitetet



E martë, 21 janar 2014

MBLEDHJA E NËNTËDHJETETRETË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e djeshme të nëntëdhjetetretë, si trup punues amë, me procedurë të shkurtuar, shqyrtoi:

  1. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi fitim; 
  2. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin personal mbi fitim; 
  3. Propozim-ligj për realizimin e projektit infrastrukturor për ndërtimin e gazsjellësit magjistral, Pjesa "Kleçovce-Bllok stacioni 5".

Propozim-ligjet i arsyetoi zëvendësministri i Financave,  Ardian Xheladini. 

- Për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi fitim, z.  Xheladini theksoi se me zgjidhjen e propozuar ligjore definohet se, si shpenzime të tatueshme konsiderohen kërkesat e papaguara që dalin nga transferimet e mjeteve në para të cilat sipas esencës së tyre ekonomike janë hua dhe të cilat nuk janë kthyer në vitin e njëjtë në të cilin është kryer transferimi i huas dhe mundësohet që shumat e huave të kthyera ndërmjet subjekteve të mos tatohen me tatimin mbi fitim, përkatësisht kur do të bëhet kthimi i huas së tatuar, tatimpaguesi të mund ta zvogëlojë bazën tatimore për shumën e huas së kthyer.  

Gjithashtu, parashihet tatimim të dividendit që u paguhet personave juridikë rezidentë në Republikën e Maqedonisë në momentin e pagesës së dividendit dhe përcaktohet dispozitë me të cilën mundësohet që të hyrat nga dividendi të realizuara me pjesëmarrje në kapitalin e tatimpaguesit tjetër të mos përfshihen në bazën tatimore nëse janë tatuar te tatimpaguesi i cili paguan dividendin.

Komisioni shqyrtoi 3 amendamente të parashtruara nga deputeti Mile Andonov dhe 1 nga deputeti Samka Ibraimoski. Përfaqësuesi i Qeverisë nuk u pajtua me amendamentet e parashtruara dhe Komisioni nuk i miratoi ato.

- Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin personal mbi të ardhurat, zëvendësministri i Financave theksoi se me zgjidhjen e propozuar ligjore bëhet precizimi plotësues i bazës tatimore për përllogaritjen e tatimit te lojërat e fatit në bastore, kështu që përcaktohet se shuma e pagesës individiale të fitimit e zvogëluar për shumën e pagesës individuale në bazë të të cilës është realizuar fitimi do të paraqesë bazë për përllogaritje të tatimit të këtij lloji të hyrash të personave fizikë.  

Gjithashtu, propozohet që obligacionet e tatimit personal mbi të ardhurat-personat fizikë të cilët gjatë vitit kanë realizuar fitim nga lojërat e veçanta të fatit (lojëra të fatit në bastore, kazino dhe klub automatësh), të lirohen nga detyrimi për t'i paraqitur të njëjtët në fletëparaqitjen tatimore vjetore. 

Paguesit e fitimeve nga lojërat e veçanta të fatit (bastore, kazino dhe klube automati) të cilat janë të detyruar ta përllogarisin dhe ta paguajnë tatimin personal mbi të ardhurat përjashtohen nga detyrimi që gjatë çdo pagesë të fitimit personave t'u japin ekzemplar nga përllogaritja për akontacion të tatimit, ndërsa pas skadimit të vitit edhe të dhëna përmbledhëse për shumën e përgjithshme të tatimit të përllogaritur dhe të paguar mbi të ardhurat, përveç nëse këtë nuk e kërkon tatimpaguesi. 

Përcaktohet obligimi që këto pagues të dorëzojnë në Drejtorinë e të hyrave publike raport mujor për të hyrat-fitimet e paguara nga lojërat e fatit dhe për tatimin e përllogaritur dhe të paguar mbi fitimin, më së voni deri më datën shtatë në muajin në vazhdim për muajin e kaluar.

Komisioni debatoi për një amendament të parashtruar nga deputeti Samka Ibraimoski.  Përfaqësuesi i Qeverisë nuk u pajtua me amendamentin e parashtruar dhe Komisioni nuk e miratoi atë.

- Në arsyetimin e Propozim-ligjit për realizimin e projektit infrastrukturor për ndërtimin e gazsjellësit magjistral, Pjesa "Kleçovcë-Bllok stacioni 5".  z. Xheladini theksoi se zgjidhja e propozuar ligjore është në funksion të realizimit të Projektit për ndërtimin e gazsjellësit magjistral nga Kleçovce në Bllok stacionin 5, që gjendet në afërsi të Shtipit. 

Ndërtimi i infrastrukturës për sjelljen e gazit në territorin e Republikës së Maqedonisë do të kontribuojë që gazi natyror, si burim energjie i cili është i lirë dhe ekologjikisht i pastër, të jetë i arritshëm për rrethin më të gjerë të subjekteve, si nga ana e biznesit dhe industrisë, ashtu edhe nga ana e amvisërive nga të gjithë krahinat dhe rajonet në Republikën e Maqedonisë. 

Me zgjerimin e infrastrukturës së gazsjellësit, do të mundësohet shfrytëzimi i gazit natyror si burim energjie për prodhimin e energjisë elektrike përmes investimit adekuat në kapacitete të reja energjetike ose përmes adaptimit të kapaciteteve energjetike ekzistuese në shtet. 

Me shfrytëzimin më të madh të gazit natyror, drejtpërdrejtë do të kontribuohet edhe në zvogëlimin e çmimit të këtij burimi të energjisë, gjë që bëhet substitut i rëndësishëm për industrinë, biznesin dhe amvisëritë, krahasuar burime tjera energjie në tregun energjetik. 

Propozim-ligji nuk do të shkaktojë implikime fiskale mbi Buxhetin e shtetit, meqë Republika e Maqedonisë e ratifikoi Marrëveshjen ndërmjet Qeveris së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Federatës Ruse për rregullimin e detyrimeve të ish BRSS-së për përllogaritjet lidhur me këmbimin e mallrave ndërmjet ish BRSS-së dhe ish RSFJ-së.

Komisioni shqyrtoi 3 amendamente të parashtruara nga deputeti Jani Makraduli.  Përfaqësuesi i Qeverisë nuk u pajtua me amendamentet e parashtruara dhe Komisioni nuk i miratoi ato. Një amendament mbeti i pashqyrtuar për shkak se u tërhoq nga propozuesi, gjegjësisht deputeti Jani Makraduli. 

Komisioni për Financim dhe Buxhet i përcolli të tre Propozim-ligjet në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
 
 

Click