Njoftimet



E shtunë, 15 tetor 2011

DELEGACIONI I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË DO TË MERR PJESË NË ASAMBLENË E 125 TË UNIONIT INTERPARLAMENTAR (UIP) NË BERNË

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë do të merr pjesë në Asamblenë e 125 të Unionit Interparlamentar (UIP), që do të mbahet nga 16 deri 19 tetor 2011 në Bernë, Zvicër. 

Delegacionin e përbëjnë deputetët: z. Jani Makraduli, shef i delegacionit, znj. Sillvana Boneva, z.Talat Xhaferi, z.Imer Aliu, z.Goran Misovski dhe z.Rejhan Durmishi, anëtarë të delegacionit. 

Pritet që në këtë Asamble Jubilare të UIP-së të marrin pjesë rreth 1.200 delegatë, përfaqësues të më shumë se 130 vendeve. 

Në hapjen solemne para pjesëmarrësve do të marrin fjalë: znj.Mishllan Kalmi-Rej, kryetare e Konfederatës së Zvicrës, z. Ban Ki Mun, sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, z. Teo-Ben Gurirab, kryetar i Unionit Interparlamentar, z. Zhan-Rene Zhermanie, kryetar i Këshillit Nacional Zviceran (Dhoma e poshtme e Parlamentit) dhe z.  Hanshairi Inderkum, kryetar i Këshillit Zviceran të Shteteve (Dhoma e lartë e Parlamentit). 

Në Asamblenë e 125 të UIP-së do të diskutohet për ngjarjet e fundit të Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore, çarmatimin nuklear, rregullimin e tregjeve financiare, sundimin global, qasjen në përkujdesjen shëndetësore të femrave dhe fëmijëve dhe ngjashëm. 

Në kuadër të Kuvendit do të mbajë mbledhje edhe Komiteti i UIP-së për çështje të Kombeve të Bashkuara. 

Në Asamblenë e 125  në Bernë do të mbahet edhe zgjedhja për president të ri të Unionit Interparlamentar, me mandat prej tri vitesh.

Unioni Interparlamentar, i themeluar në vitin 1889, është organizata më e vjetër politike multilaterale, në të cilën janë anëtarë 157 parlamente nacionale dhe nëntë asamble parlamentare ndërkombëtare. Organizata botërore e parlamenteve me seli në Gjenevë ka status të mbikëqyrësit të përhershëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. 

Click