Njoftimet

E premte, 27 qershor 2014 

PJESËMARRJA NË SESIONIN VJETOR TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË OSBE-SË 

Deputeti Vlladimir Gjorçev, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, do të marrë pjesë në Sesionin e 23-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (AP të OSBE), që do të mbahet nga 28 qershor deri 2 korrik 2014 në Baku, Republika e Azerbajxhanit. 

Në sesionin, në të cilin temë kryesore e diskutimit është: "Helsinki +40: siguri për të gjithë njerëzit" pritet pjesëmarrje e rreth 300 deputetëve nga 54 parlamente-anëtarë të AP të OSBE-së dhe pesë vende partnerë për bashkëpunim. 

Në kuadër të sesionit vjetor do të mbahen mbledhje të të tre komisioneve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së: Komisioni për Çështje Politike dhe Siguri, Komisioni për Çështje Ekonomike, Shkencë, Teknologji dhe Mjedis Njerëzor dhe Komisioni për Demokraci, të Drejtat Njerëzore dhe Çështje Humanitare, mbledhje e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, seancë plenare, debat special për rritjen e ekstremizmit, radikalizmit dhe ksenofobisë në rajonin e OSBE-së dhe evenimente tjera shoqëruese.  

Pritet që në këtë sesion vjetor të mbajnë fjalim z. Ilhan Alijev, Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, z. Didie Burkhalter, president dhe ministër i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesues me OSBE-në, z. Sergej Narshkin, kryetar i Dumes së Federatës Ruse, z.  Rusllan Koshulinski, nënkryetar i Parlamentit të Ukrainës etj. 

Asamblenë Parlamentare të OSBE-së e përbëjnë 323 parlamentarë nga 57 vende në Evropë, Azi Qendrore dhe Amerikë Veriore. Kuvendi siguron forum për diplomaci parlamentare, mbikëqyrje të zgjedhjeve dhe përforcim të bashkëpunimit ndërkombëtar për realizimin e aktiviteteve në lidhje me çështjet politike, ekonomike dhe të sigurisë, çështjet për të drejtat e njeriut dhe mjedisin jetësor. 

Click