Njoftimet

E enjte, 10 tetor 2019

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Unionin Ndërparlamentar

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë në Asamblenë e 141-të të Unionit Ndërparlamentar (UNP), që do të mbahet nga 13 deri më 17 tetor 2019 në Beograd, Republika e Serbisë. Delegacioni përbëhet nga: Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shef i Delegacionit, Dime Vellkovski, Jovan Mitreski, Dimitar Stevananxhija, Agim Shaqiri dhe Julijana Nikollova, anëtarë të Delegacionit dhe Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pritet në këtë Asamble të UNP-së të marrin pjesë rreth 1,700 përfaqësues nga mbi 140 vende anëtare të BE-së, si dhe më shumë se 70 kryetarë të parlamenteve.

Tema kryesore e diskutimit në Asamblenë e 141-të të UNP-së është "Përforcimi i së drejtës ndërkombëtare: rolet dhe mekanizmat parlamentare dhe kontributi në bashkëpunimin rajonal". Komisionet e UNP-së do të diskutojnë për një numër të madh çështjesh në kompetencën e tyre, në mesin e të cilave: strategjitë parlamentare për përforcimin e paqes dhe sigurisë në vigjilje të sfidave dhe konflikteve që dalin nga katastrofat klimatike dhe pasojat e tyre; aktualizimi i digjitalizimit dhe ekonomisë për t'i arritur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, konsumi dhe prodhimi i përgjegjshëm; arritja e mbulimit shëndetësor universal deri në vitin 2030 - roli i parlamenteve për të garantuar të drejtën e shëndetit; kriminalizimi i pastrimit të parave; avancimi i barazisë gjinore, përforcimi i fuqisë së të rinjve, etj.

Në kuadër të Asamblesë së 141-të do të shënohet 130-vjetori i formimit të Unionit Ndërparlamentar dhe 70-vjetori i Konventave të Gjenevës. Mbledhje do të mbajnë "Forumi i femrave parlamentare", "Forumi i parlamentarëve të rinj" dhe "Shoqata e sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve", ndërsa parashihen edhe takime të shumta bilaterale të anëtarëve të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Unioni Ndërparlamentar është organizatë botërore e parlamenteve. Ajo u themelua 130 vjet më parë si organizata e parë politike multilaterale në botë, me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit dhe dialogut midis kombeve. Në organizatë sot anëtarësohen 179 parlamente nacionale dhe 12 asamble parlamentare ndërkombëtare. UNP-ja e promovon demokracinë dhe u ndihmon parlamenteve të bëhen më të forta, më përfaqësuese dhe të balancuara në aspekt gjinor. Asambletë e UNP-së mbahen dy herë në vjet, duke siguruar kështu një dimension parlamentar të menaxhimit global, duke e përfshirë edhe punën e Kombeve të Bashkuara dhe zbatimin e Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm të vitit 2030. 

Click