Njoftimet

E premte, 29 mars 2019

Nënkryetari Memedi në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të AP-së së NATO-s në Zagreb

Me ftesë të AP-së së NATO-s, në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm, që do të mbahet më 30 dhe 31 mars 2019 në Zagreb, Republika e Kroacisë, do të marrë pjesë Vesel Memedi, nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe zëvendësshef i Delegacionit të Kuvendit në AP-në e NATO-s.  

Pjesëmarrja në mbledhjet e Komitetit të Përhershëm është rezervuar vetëm për shefat dhe zëvendësshefat e delegacioneve parlamentare të vendeve-anëtare të NATO-s, në të cilat vendoset për çështjet e rëndësishme të punës së AP-së së NATO-s ndërmjet dy sesioneve të rregullta, ndërsa sipas peshës së dokumenteve dhe vendimeve që miratohen, këto mbledhje e kanë rëndësinë e sesionit të vogël plenar. Në dritën e anëtarësimit tonë në NATO, Delegacioni i Kuvendit në AP-në e NATO-s mori ftesë për herë të parë të marrë pjesë në punën e Komitetit të Përhershëm. 

Rendi i ditës në mbledhje parasheh shqyrtimin dhe miratimin e: raporteve financiare të punës së AP-së së NATO-s për vitin fiskal 2018, raportit për përfaqësimin e balansuar gjinor në trupat dhe organet e AP-së së NATO-s, si dhe propozimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së AP-së së NATO-s në kontekst të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në AP-në e NATO-s. Si pikë e veçantë e rendit të ditës është dokumenti për „Integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në AP-në e NATO-s dhe pasqyra e ratifikimeve të Protokollit Aderues“, në të cilin është paraqitur dinamika e përfshirjes sonë graduale në të gjitha aktivitetet në AP-në e NATO-s si delegacion me status të plotfuqishëm, ndarja e vendeve në komitetet dhe organet tjera të Asamblesë Parlamentare, kotizacioni vjetor, pjesëmarrja e delegacionit tonë në ngjarjet e Organizatës dhe statusi i ratifikimit të Protokollit Aderues. 

Në kornizat e programit, në hapjen e mbledhjes, pjesëmarrësve do t’u mbajë fjalim Andrej Plenkoviq, kryeministër i Republikës së Kroacisë, ndërsa do të organizohet edhe shënimi solemn i 10-vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Kroacisë në NATO në prezencën e presidentes kroate Kolinda Grabar – Kitaroviq dhe kryetarit të Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq. 

Click