Njoftimet

E premte, 22 shkurt 2019

Pjesëmarrja e deputetit Fadil Zendeli në mbledhjen e Komisionit për Zhvilim Social, Arsim, Hulumtim dhe Shkencë të AP-së së PBEJL-së në Mal të Zi

Deputeti Fadil Zendeli, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (AP e PBEJL-së), do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Zhvilim Social, Arsim, Hulumtim dhe Shkencë të AP-së së PBEJL-së, që do të mbahet më 22 dhe 23 shkurt 2019 në Podgoricë, Mal të Zi.

Pritet në mbledhje të mbajnë fjalime Ivan Brajoviq, kryetar i Kuvendit; Damir Shehoviq, ministër i Arsimit dhe Sanja Damjanoviq, ministre e Shkencës e Malit të Zi.

Anëtarët e Komisionit do të diskutojnë për Propozim-raportin dhe Rezolutën me temë: „Shkenca dhe teknologjitë e reja në shërbim të arsimit modern“. Në rendin e ditës në mbledhje janë përfshirë çështjet në lidhje me programin e punës së Komisionit për periudhën e ardhshme, si dhe përgatitjet për sesionin e ardhshëm vjetor të Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së, që do të mbahet në qershor 2019 në Saraevë, Bosnjë e Hercegovinë.

Asambleja Parlamentare e PBEJL-së, në të cilën janë anëtare parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Serbia, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi qëllimet dhe detyrat e veta i bazon në parimet e pronësisë rajonale dhe integrimin evropian. Asambleja Parlamentare luan rol të rëndësishëm në promovimin e pjesëmarrjes parlamentare dhe lehtësimin e dialogut ndërparlamentar dhe bashkëpunimit në rajon, si dhe në nxitjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. 

Click