Udhëheqja parlamentare

E premte, 26 korrik 2019

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME FILIP T. RIKER, U.D. NDIHMËS SEKRETAR SHTETËROR I SHBA PËR ÇËSHTJE EVROPIANE DHE EVROAZIATIKE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Filip T. Riker, u.d. ndihmës sekretar shtetëror i SHBA për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike ndërsa në takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja e SHBA, Sh.S. Kejt Mari Bërns. Në takim u këmbyen mendime rreth aktiviteteve aktuale në pjesën e integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në BE, si edhe për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA.

Kryetari Xhaferi sugjeroi se vendi gjendet në moment kyç të rrugëtimit të vet euroatlantik dhe secila prej institucioneve duhet me përgjegjësi ta kryejë funksionin e vet, përfshirë edhe opozitën dhe pozitën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. E vetëdijshme për pasojat nga hapat e ndërmarrë, shumica aktuale bëri hap serioz përpara në vitet e fundit në shumë fusha dhe kjo ishte pranuar nga ana e Komisionit Evropian me raportin e fundit për përparimin e vendit. Mbetet nxjerrja e Ligjit për prokurorinë publike, i cili duhet të nxirret me konsensus dhe me mbështetjen e opozitës, theksoi Xhaferi.

Z. Riker e përshëndeti mënyrën e komunikimit të Kryetarit Xhaferi me pozitën dhe opozitën në Kuvend, duke sugjeruar se rezultatet e arritura do të vlerësohen në mënyrë përkatëse nga bashkësia ndërkombëtare, me anëtarësim të vendit në NATO dhe me marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE. Opozita duhet ta pranojë propozim-ligjin aktual për prokurori publike si bazë për vërejtjet dhe sugjerimet e veta, duke e pasur parasysh faktin se i njëjti ishte mbështetur nga ana e Komisionit Evropian dhe i kënaq kriteret themelore sipas standardeve të BE.

Në këtë mënyrë, opozita do të demonstrojë bashkësi dhe dëshirë që Republika e Maqedonisë së Veriut të marrë datë për fillimin e negociatave me BE, theksoi Riker.

Në fund, të dy bashkëbiseduesit shprehën pritjen se vendi deri në fund të vitit do të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s dhe u pajtuan se marrëdhëniet strategjike dhe të afërta miqësore ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të kultivohen dhe avancohen në të ardhme. 

Click