E martë, 6 tetor 2020
Takim i Kryetarit Xhaferi me SH.T. Hasan Mehmet Sekizqok
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Turqisë, Sh.T. Hasan Mehmet Sekizqok. Në takim u shpreh kënaqësi e ndërsjellë nga marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimi i suksesshëm mes dy vendeve, në frymën e miqësisë dhe partneritetit tradicional.
Kryetari Xhaferi foli për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kuvendit tl Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral, në suazat e asambleve parlamentare ndërkombëtare. Ai nënvizoi se rëndësia e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL) me të cilin për momentin kryeson Republika e Turqisë, si edhe roli i Asamblesë Parlamentare të PBEJL, ku marrin pjesë aktive parlamentet e dy vendeve.
Xhaferi shprehu mirënjohje për mbështetjen e përgjithshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, sidomos për solidaritetin në luftën me pandeminë e KOVID - 19, respektivisht donacionet e pajisjes mjekësore dhe për përmirësimin e kushteve higjienike dhe të sigurisë në shkollat.
Ambasadori i Republikës së Turqisë SH.T. Hasan Mehmet Sekizqok vlerësoi se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe angazhimet e përbashkëta për avancimin e bashkëpunimit ekonomik do të kontribuojnë për intensifikimin dhe thellimin e këmbimit tregtar dhe investimeve. Ai nënvizoi se Turqia e konsideron Republikën e Maqedonisë së Veriut për partner të rëndësishëm dhe në të ardhme do të vazhdojë me mbështetjen e saj për vendin, në të gjitha fushat me interes për qytetarët.
Në takim u bë fjalë për bashkëpunimin shumëvjeçar në fushën e mbrojtjes, me ç'rast u nënvizua se me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, hapet mundësi për avancimin e mëtejshëm të partneritetit dhe mbështetjes në suazat e Aleancës.
Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për ngjarjet aktuale në rajon dhe më gjerë dhe u pajtuan se çështjet e hapura duhet të zgjidhen me dialog dhe diplomaci.
Njëherazi, u shpreh gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit aktiv dhe të hapur, në drejtim të avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale dhe miqësisë mes dy vendeve.