E premte, 9 tetor 2020
TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME SH.T. VIOREL STANILLA
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim të lamtumirës me ambasadorin e Rumanisë, Sh.T. Viorel Stanilla.
Kryetari Xhaferi falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm me Ambasadën e Rumanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe personalisht ambasadorin Stanilla për kontributin e tij në rrugën euroatlantike të vendit. Ai shprehu kënaqësi dhe theksoi se angazhimi dhe përkushtimi personal i ambasadorit si përfaqësues i Ambasadës, kontribuoi në masë të madhe në avancimin e raporteve ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e ndërsjellë në planin bilateral dhe multilateral. Kryetari Xhaferi nënvizoi se edhe në të ardhme do i inkurajojë të dy vendet të vazhdojnë me punë me intensitetin e njëjtë në planin bilateral dhe në nivel të Grupeve të Bashkëpunimit në të dy dhomat ligjvënëse.
Ambasadori Stanilla falënderoi për nderin dhe mundësinë për këtë takim të lamtumirës në cilësinë e ambasadorit të Rumanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai i përshëndeti momentet historike, përparimin me anëtarësimin në NATO dhe rezultatet inkurajuese për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ai posaçërisht theksoi se misionin e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut do e mbajë mend si periudhë në të cilën janë marrë vendime shumë kyçe dhe të rëndësishme për vendin. Bashkëpunimin ndërparlamentar e vlerësoi si shumë të frytshëm dhe shprehu fjalë lavdëruese për Kryetarin Xhaferi dhe udhëheqjen e tij të suksesshme të Kuvendit në mandatin paraprak dhe kuptohet, në këtë mandat.
Ambasadori Stanilla e përgëzoi Kryetarin Xhaferi për zbatimin e agjendës evropiane, mbajtjen e dialogut politik me të gjitha partitë parlamentare dhe rolin e tij të kryetarit të të gjithë deputetëve në Kuvend. Njëherazi, e konfirmoi mbështetjen e mëtejshme të fuqishme të Rumanisë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj eurointegruese.
Në fund të takimit, Kryetari Xhaferi i dhuroi ambasadorit Stanilla Mirënjohje për angazhimin e tij të deritanishëm dhe i uroi sukses në sfidat e tij të ardhshme profesionale.