Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 26 gusht 2020

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Akademinë solemne me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë

I nderuar drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, z. Asani,
Të nderuar përfaqësues të Shoqatës Qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza”,
Të nderuar respektues të fytyrës dhe veprës së Nënë Terezës,
Të nderuar Shkëlqesi,
Zonja dhe zotëri,

Kam nderin që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot, kur e shënojmë 110 vjetorin e ditëlindjes së Nënës Terezë, simbolit të humanizmit të pafund, simbolit të dashurisë ndaj njeriut, kujdesit dhe ndjeshmërisë ndaj të sëmurëve, të varfërve dhe jo aq fatmirëve në jetë, këtu, para kësaj pllake përkujtimore që simbolizon themelet e shtëpisë së lindjes së kësaj shqiptareje mbarë të respektuar, të ndaj dhe shpreh me gjithë ju të pranishëm këtu, ndjenjën e mburrjes së sinqertë që jam pjesë e këtij tubimi. Dhe, me këtë rast, dua të përgëzoj organizatorët e kësaj akademie solemne, gjegjësisht, Departamentin e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Tereza pranë Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe Shoqatën Qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza”, që me përkushtimin dhe seriozitetin më të madh vazhdojnë të kultivojnë respektin për veprën e saj, vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën e punës së saj të palodhshme dhe e mbjellin në gjeneratat e ardhshme ndjenjën e njëjtë të humanizmit, solidaritetit, vetësakrifikimit dhe qetësisë shpirtërore që e jep bërja e një vepre të mirë, shtrirja e dorës së ndihmës dhe hapja e krahëve për të përqafuar një qenie tjetër njerëzore, e njohur apo e huaj. Sot, më shumë se kurdoherë, kemi nevojë për këto cilësi. Sot, kur bota ballafaqohet me pandeminë e COVID- 19, e cila është kanosje globale për shëndetin e gjithë njerëzimit, goditje e hatashme mbi themelet e çdo sistemi shëndetësor dhe ekonomik, të gjithë njëlloj kemi nevojë për mbështetjen e njëri tjetrit. Jetojmë në kohë të çuditshme, me sfida të reja, të panjohura, por, vallë, a nuk i ka çdo etapë e zhvillimit shoqëror, vështirësitë e veta karakteristike?! Por, ajo që mbetet e njëjtë para çdo vështirësie, sado që të jetë e panjohur, është dora e shtrirë humane, solidarizimi dhe sakrifikimi i komoditetit dhe rehatisë, sepse, fatkeqësia troket në çdo derë...

 

Të nderuar, 

Apeloj te të gjithë këtu të pranishëm, dhe të gjithë që janë respektues të kësaj figure të çmuar, të jemi të ndërgjegjshëm, të jemi të përgjegjshëm, të kujdesemi për njëri tjetrin, të kujdesemi për të afërmit, të njohurit dhe të panjohurit, dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë për fitoren mbi këtë të keqe që e ka kapluar botën. Кjo është sfida jona, kjo është beteja që gjeneratat aktuale duhet ta bëjnë që të mposhtim armikun bashkëkohor, aq të vogël, dhe sërish, aq të madh. Por, siç ka thënë edhe e madhja Nënë Terezë, citoj:“Shkoni në shtëpi dhe duani familjen tuaj”, fund i citatit, sepse, gjithçka fillon prej te familja, apo jo?!

Të nderuar të pranishëm, faleminderit për vëmendjen!

Click