Udhëheqja parlamentare

E enjte, 17 dhjetor 2020, Amfiteatri i Rektoratit, Tetovë

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Akademinë solemne me rastin e Shënimit të 26 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës

I nderuar kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, z Ali Ahmeti,
I nderuar zëvendëskryeministër i parë, z. Artan Grubi,
I nderuar rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti,
Të nderuar dekanë, profesorë,
Të nderuar studentë, qytetarë të ardhshëm akademikë,
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni që në fillim të fjalës sime të përshëndes në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të gjithë Ju të pranishmit në këtë Akademi solemne me të cilën shënohet përvjetori i themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, tempullit të përhapjes së diturisë dhe shkencës tani më plot 26 vite me radhë dhe të uroj kremtimin e edhe shumë jubileve tjera të ardhshme. Shpresoj se vitin e ardhshëm, dhe natyrisht përvjetorin e ardhshëm do jemi të pranishëm në numër shumë më të madh dhe se pandemia me KOVID-19 do të jetë një periudhë e zymtë që do e lëmë pas nesh përgjithmonë. Deri atëherë, më lejoni të konfirmoj dhe të sugjeroj siç bëj çdoherë gjatë paraqitjeve të mia publike kohëve të fundit, të jemi të kujdesshëm, ti respektojmë protokollet shëndetësore, të mbajmë distancë dhe të mbajmë maska mbrojtëse.

Njëkohësisht, si Universitet që jeni, si vatra e forcës progresive, përparimtare, që ec paralelisht me ndryshimet dhe risitë, dhe në të njëjtën kohë ballafaqohet, përshtatet dhe i tejkalon edhe sfidat që i sjell modernizimi, me të cilat ndeshet gjithë shoqëria, unë besoj dhe jam plotësisht i bindur në atë se edhe ju nuk do të mbetni prapa universiteteve tjera në vend dhe në botë. Jam i sigurt se tani më digjitalizimi është shndërruar në mënyrë të rregullt të funksionimit të universitetit, të zhvillimit të orarit mësimor, të komunikimit ndërmjet stafit akademik dhe studentëve aktual dhe të ardhshëm. Dhe, natyrisht se ky është një përfitim i dyanshëm, gjegjësisht, janë në dobi edhe universiteti edhe stafi akademik, por mbi të, gjitha studentët aktual dhe të ardhshëm, sepse në këtë kohë pa kohë, me përpjekjet dhe përkushtimin serioz të udhëheqësisë, të ligjëruesve, të gjithë atyre që janë edhe segmenti më i vogël i hallkës së funksionimit të mirëfilltë të një institucioni të arsimit sipëror, nuk i ndjenë në asnjë çast efektet negative të një goditjeje shëndetësore siç është pandemia.  Dhe, pikërisht ashtu edhe duhet të jetë, sepse, në asnjë situatë, sado që të jetë ajo e vështirë, ndarja e njohurive, hapja e horizonteve të reja të dijenisë, vënia e gurëve përforcues në themelet e këtyre fidanëve të ri, nuk guxon të ngecë, të pengohet, të vështirësohet apo, të ndalet përgjithmonë. Dhe, gjatë kësaj, digjitalizimi është vetëm edhe një vlerë e shtuar sepse, me anë të globalizimit, hapen dritare të reja, botë të reja dhe në atë botë virtuale, nuk ka pengesa, nuk ka sekrete, i tërë potenciali intelektual botëror është larg vetëm me një klikim të butonit, kështu që, ju sugjeroj, ju inkurajoj, të jeni të guximshëm, të jeni kureshtarë, të jeni syçelë, bota është një dhuratë e mbështjellë me shumë shtresa dhe çdo hapje e fletës së re, ju dhuron surprizat më të bukura dhe të papritura.

Të nderuar,

Gjendemi në Tetovë, në qytetin universitar me potencialin shumë të madh studentor në shtet dhe energjia, vullneti, vizioni dhe dëshira e zjarrtë për të investuar në përkryerjen intelektuale personale për të plotësuar parakushtet për të pasur një jetë të përmbushur profesionale dhe natyrisht, sukseset që do të jenë shpërblimi më i madh për çdo sakrificë, përkushtim, mund dhe punë të zellshme, nuk guxon të zhduket kurrë prej fokusit të ligjëruesve, të politikëbërësve, familjes dhe vetadministrimit lokal, gjegjësisht, të gjithë ne, në fushëveprimin tonë, duhet të bëjmë maksimumin për të mundësuar që kjo energji rinore, të kanalizohet, të orientohet dhe të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe për të mirën e përgjithshme të vetë studentëve, të mjedisit lokal, por edhe qendror, dhe në instancë të fundit, për të mirën e vendit në përgjithësi. Por, tani, duhet ta shtrimë dorën e inkurajimit dhe mbështetjes pa rezervë, ashtu siç kanë bërë edhe të parët e këtij universiteti, ato që e ditën rëndësinë e arsimit në gjuhën amtare, ato që kurrë nuk hezituan në asnjë çast për të mbrojtur këtë të drejtë me trupin dhe me jetën e vet. Dhe prandaj kemi përgjegjësi dhe as ne, as gjeneratat e ardhme, nuk guxojmë ta lëmë në harresë këtë sakrifikim dhe betejë rezultatin dhe frutat e së cilës sot i gëzojnë gjeneratat e shumta që kanë dalë dhe do të vazhdojnë të dalin nga këto banka universitare dhe do të japin kontributin e vet të çmuar në çdo pore të jetës, dhe në çdo segment të shoqërisë sonë multietnike.

Të nderuar të pranishëm,

Duke qenë këtu në cilësinë e Kryetarit të dhomës ligjvënëse, dua të flas për atë që është në fushëveprimin tonë dhe në këtë kontekst, dua tju siguroj se, edhe krahas vështirësive dhe pengesave në të cilat hasim për shkak të përplasjeve politike, punojmë në drejtim të përmirësimit të standardit studentor, duke bërë ndryshime ligjore me të cilat mundësohet ndihmë financiare në këtë kohë të vështirë por, punojmë edhe në drejtim të njësimit të statusit shkencor edhe nëpër universitetet ashtu siç është rregulluar në institutet. Me këtë do të korrigjohet lëshimi që u bë në këtë drejtim. Dhe, jo vetëm kjo. Do të vazhdojmë të kërkojmë dhe ndryshojmë zgjidhjet ligjore në fushën e arsimit, duke i pasur dyert hapur për kontributin e profesionistëve dhe vetë studentëve që të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme që edhe universitetet tona të ecin në hap të njëjtë me universitetet botërore. Gjatë kësaj, autonomia universitare do të jetë udhërrëfyesi kryesor, por, në të njëjtën kohë, do e kemi ndërmend pavarësinë financiare dhe kadrovike të universiteteve sepse, nuk mund të ketë autonomi të vërtetë pa i pasur dy të fundit.

Zonja dhe zotëri,

Profesorë dhe arsimdashës, ligjërues të nderuar në këtë universitet, detyrë juaj nuk është e lehtë dhe aspak naive, përkundrazi, është tejet fisnike dhe konsideroheni prindër të këtyre fidanëve të ri dhe përkushtimi juaj ndaj tyre do të japë rezultate të dukshme dhe të matshme që në fund, do të jenë shpërblimi që do ju nderojë ju dhe punën tuaj të palodhshme. Mësojuani fisnikërinë, zellshmërinë, ndjenjën e  bashkësisë, besimit të ndërsjellë dhe mbështetjes dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin, me kolegët e tyre prej universiteteve tjera në shtet dhe në botë. Kjo mund të sjellë vetëm suksese dhe arritje të reja shkencore dhe, kuptohet, shkenca është ajo që e lëviz motorin e përparimit të mëtejshëm të botës.

Studentë të dashur,

Ju uroj sukses, ju uroj vullnet dhe ambicie, mos hezitoni, mos u trembni nga e panjohura, sepse ju mundeni. Ne e shohim ardhmërinë tonë, ardhmërinë e vendit por edhe ardhmërinë e botës në ju. Jam i sigurt se bashkë me stafin akademik në Universitetin Shtetëror të Tetovës, do të prodhoni vlera dhe rezultate që do e pozicionojnë këtë institucion arsimor, juve vetë dhe gjithë shoqërinë në piedestalin më të lartë të botës akademike.

Të nderuar, uroj të shënojmë edhe shumë përvjetorë të suksesshëm të Universitetit të Tetovës.

Ju faleminderit për vëmendjen!



Click