Udhëheqja parlamentare

E enjte, 24 qershor 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Ekspozitën e Grupit V4 të Vishegradit  

Të nderuar Ambasadorë, 
Të nderuar kolegë, 
Të nderuar të pranishëm, 
Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë time për realizimin e idesë për Ekspozitën e sotshme, organizimi i së cilës edhe krahas kushteve të jashtëzakonshme aktuale, e konfirmon qartë mbështetjen e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të tërë rajonit. Njëkohësisht, do të doja të falënderoja ambasadorët e nderuar të pranishëm të vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit, për angazhimin e tyre të deritanishëm për avancimin e procesit të integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për promovimin e rolit të parlamenteve nacionale. 

 

Kjo ekspozitë zhvillohet në kohën kur si shtete dhe parlamente nacionale ballafaqohemi me shumë çështje si në lidhje me pandeminë aktuale, ashtu edhe në lidhje me rrugën tonë integruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pandemia i tregoi të gjitha anët e saj të mira dhe të këqija, ndërsa ne si institucione deri më tani kemi pasur kohë të mjaftueshme që t'i identifikojmë dobësitë dhe përparësitë dhe në mënyrë adekuate t'i planifikojmë dhe t'i bëjmë përshtatjet e nevojshme për zhvillimin normal të aktiviteteve tona në të ardhmen. 

Katërshi i Vishegradit është model i suksesshëm për bashkëpunim midis shteteve anëtare që nga aspirantë, me bashkëpunim të përbashkët, u bënë pjesë e Bashkimit dhe është model i bashkëpunimit të cilin Maqedonia e Veriut dhe vendet nga rajoni përpiqen ta ndjekin. Përvoja e vendeve të Grupit të Vishegradit, Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë është jashtëzakonisht e rëndësishme në procesin e integrimit tonë në Bashkimin Evropian. 

 

Të gjitha aktivitetet e Grupit të Vishegradit janë drejtuar në forcimin e stabilitetit në rajonin e Evropës Qendrore. Vendet-pjesëmarrëse e kuptojnë këtë bashkëpunim si sfidë, dhe suksesin e tij si provë më të mirë për aftësinë e tyre që të integrohen edhe në struktura të tilla, siç është Bashkimi Evropian. Kanë qëllim të përbashkët dhe ai është inkurajimi i bashkëpunimit optimal me të gjitha vendet, veçanërisht me fqinjët, ndërsa interesi përfundimtar i V4 është zhvillimi demokratik në të gjitha pjesët e Evropës.

Të nderuar,
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të ketë rol aktiv, evident dhe konstruktiv në Grupin e Vishegradit dhe me propozime dhe sugjerime do të kontribuojë në miratimin e legjislacionit të nevojshëm dhe në ndërtimin e  konsensusit shoqëror për përfitimet dhe sfidat nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

 

Presim bashkëpunim të mëtejshëm të vazhdueshëm dhe të frytshëm në të gjitha nivelet me Grupin e Vishegradit si mbështetësi dhe partneri ynë shumëvjeçar. E ardhmja e të gjithë neve është në Bashkimin Evropian dhe ky rajon nuk ka alternativë tjetër. Ky është mesazhi kryesor që ne dërgojmë nga këtu dhe prioriteti kryesor për vendin tonë. 

Ju falënderoj për vëmendjen dhe shpresoj se bashkërisht do të kënaqemi me posterat e shkëlqyeshëm të artistëve të respektuar.

Click