Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 28 tetor 2020, Tiranë, Republika e Shqipërisë

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në  Forumin ballkanik kundër anti-semitizmit 2020

I nderuar Kryetar i Parlamentit shqiptar, z. Ruçi,
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Rama, 
I nderuar Kryetar i Parlamentit Evropian, z. Sasoli,
I nderuar sekretar shtetëror i SHBA-ve, z. Majk Pompeo,
I nderuar Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, z. Beçiç, 
E nderuar Kryetare e Parlamentit kosovar, znj. Osmani,
E nderuar senatore Rozen,
I nderuar z. Taulant Bala, 
Të nderuar kolegë,

Zonja dhe zotëri, të pranishëm në mënyrë virtuale në këtë konferencë speciale për Ballkanin, a me fokus në luftën kundër semitizmit, më vjen mirë që mundem në këtë mënyrë t'ju përshëndes dhe t'ju uroj para së gjithash të gjithëve të jeni me shëndet të mirë në këtë kohë të rrezikut global mbi shëndetin e çdo njeriu.

Njeriu, me të gjitha virtytet dhe mangësitë e veta, është qenia më e përkryer e cila di, mundet dhe në pjesën më të madhe të kohës e shfrytëzon në mënyrë të arsyeshme atë me të cilën është bekuar në jetë. Mirëpo, ka paste, për fat të keq ndonjëherë edhe periudha më të gjata kur arsyeja e shëndoshë mbetet dëshmitar memec i çnjerëzimit, kur mbisundon veprimi johuman mbi qeniet tjera të gjalla. Kemi parë shumë, dhe akoma shohim dhe si duket akoma mësojmë se si të parandalojmë të përsëriten tmerret e holokaustit, gjenocidit, diskriminimit dhe trajtimit jo të barabartë të njerëzve. Mësimi për holokaustin nuk është vetëm mbajtje e rëndomtë përmendsh e fakteve, mësimi për holokaustin është kuptim më i mirë i pasojave të paragjykimeve, jotolerancës racore, antisemitizmit dhe stereotipave në çdo shoqëri. Kjo po ashtu ndihmon që të ngrihet vetëdija për vlerën e ekzistimit dhe respektimit të dallimeve në një shoqëri pluraliste dhe pasjen e respektit dhe mirëkuptimit për veçoritë e të gjithë bashkësive etnike. Pikërisht për këto fakte, Republika e Maqedonisë së Veriut investon shumë në zhvillimin e arsimit për holokaustin, duke i sqaruar dukuritë devijuese dhe diskriminuese edhe në kontekstin aktual, a me qëllim të luftës kundër çfarëdo lloji të urrejtjes dhe jotolerancës.

Republika e Maqedonisë së Veriut, duke i ndjekur angazhimet për integrimin e shtetit tonë në familjen evropiane dhe duke u udhëhequr nga strategjia për barazinë e njerëzve, luftën kundër stereotipave dhe paragjykimeve, i pranoi dhe miratoi dokumentet e dedikuar për holokaustin dhe në vitet e kaluara punoi me përkushtim në promovimin e kësaj teme në të gjitha fushat. Në mars të vitit 2018, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi Deklaratën me rastin e 75-vjetorit të deportimit të hebrenjve nga Maqedonia me çka në fakt e miratoi përkufizimin e punës të Aleancës Ndërkombëtare për Kujtimin e Holokaustit për Luftën Kundër Antisemitizmit (IHRA).

Edukimi për holokaustin është njëra nga punët kryesore që duhet njeriu ta përvetësojë prej moshës më të hershme, me qëllim që të ngrihet vetëdija te ai dhe te gjithë shoqëria në drejtim të krijimit të vlerave të respektimit të dallimeve ndërmjet njerëzve, a me qëllim të ndërtimit të një shoqërie humane dhe të barabartë. Në këtë kontekst, Republika e Maqedonisë së Veriut i inkurajon të gjitha aktivitetet në lidhje edhe me edukimin rreth holokaustit, dhe në këto suaza, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, hapi Sektorin për edukimin dhe hulumtimin e holokaustit, ku zhvillohet mësim gjithëpërfshirës mbi holokaustin, për mundësinë e shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fuqisë, si edhe për rolin dhe përgjegjësinë e individëve, organizatave dhe kombeve në rastet e shkeljes së të drejtave njerëzore. Kjo njëherazi kontribuon edhe në ngritjen e vetëdijes në drejtim të mundësive për shfaqjen e gjenocidit në botën bashkëkohore. Sektori i Edukimit dhe Hulumtimit të Holokaustit është në fakt i pari i këtij lloji në shtet dhe në rajon, që për ne paraqet krenari dhe kënaqësi. Krahas trajnimeve për arsimtarë dhe edukatorë në bashkëpunim me Jad Vashem nga Izraeli, sektori e përpilon e dhe Strategjinë për edukimin mbi holokaustin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kontributin e ekspertëve, edukatorëve dhe institucione botërore me renome të cilat e trajtojnë këtë tematikë. 

Është për theks të veçantë roli i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën Ndërkombëtare për Kujtimin e Holokaustit (International Holocaust Remembrance Alliance - IHRA), organizatë e cila në vitin 2019 i ndau shtetit tonë mirënjohje për angazhimet e mëdha që i bëri në të gjitha fushat, a sidomos në fushën e arsimit dhe me këtë e ngriti statusin e vet prej shtetit mbikëqyrës, në shtet anëtar shoqërues i IHRA-s, status i cili është vetëm një hap para fitimit të anëtarësimit të plotfuqishëm. Në Konferencën e IHRA-s në Luksemburg, shteti u obligua ti përkthejë Rekomandimet për ligjërimin dhe mësimin mbi holokaustin si dokument i rëndësishëm strategjik dhe të njëjtat ishin përkthyer në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe, nga ana e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve që mandej të shpërndahen edhe prej tyre dhe ekspertëve që merrnin pjesë në projekt.

Në qershor të vitit 2020, në bashkë-organizim të shtetit tonë, respektivisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Jad Vashem, për herë të parë u realizua Vebinari edukativ për viktimat dhe heronjtë e holokaustit. Nuk mundem e mos e përmend edhe aktivitetin tonë në fushën e botimeve, ku ishin përkthyer një numër i madh i memoareve të qytetarëve tanë dhe të njëjtat sot janë në dispozicion në sistemin arsimor me qëllim të njoftimit të gjeneratave të reja me tragjeditë reale jet[pësore si pasojë pikërisht e mbylljes së syve para antisemitizmit, dhe si analogji, para çdo lloji të gjenocidit, shkeljes së të drejtave njerëzore, diskriminimit fjalës së urrejtjes, ksenofobisë, racizmit. Krahas kësaj, ishte promovuar edhe Përmbledhja e dokumenteve "Legjislacioni bazik i antisemitizmit në Mbretërinë Bullgare", nga autorët e respektuar Skender Asani, Nora Maliqi dhe Vllado Popovski, që është një bazë e mirë e sqarimit të çështjes hebraike në Ballkan.

Edhe një specifikë e Kuvendit tonë është ajo se në përbërjen prej 120 deputetëve, kemi deputete nga bashkësia hebraike, Rashella Mizrahi e cila mund të kontribuojë shumë në promovimin e çështjes së luftës kundër antisemitizmit.  

Të nderuar kolegë, uroj punë të mbarë të Forumit. Gjithsesi se edhe kontributi më i vogël në drejtim të çrrënjosjes së kësaj të keqeje është kontribut në ndërtimin e shoqërive më humane dhe më të barabarta.   

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click