Udhëheqja parlamentare

E enjte, 1 korrik 2021, Ohër,

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Forumin e Prespës për Dialog

I nderuar Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev,
I nderuar ministër i Punëve të Jashtme, z. Bujar Osmani,
Të nderuar ministra, 
Të nderuar mysafirë, miq të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar mediume,
Zonja dhe zotëri,

Forumi i Prespës për Dialog jo rastësisht quhet i Prespës dhe jo rastësisht mbahet në Ohër. Këto dy vende kanë simbolikë të madhe për ne, një shtet i vogël me problemet “e mëdha” ballkanike,  sepse këtu është betonuar kohezioni ynë ndëretnik, por edhe shoqëror për ardhmërinë euro¬atlantike me produkt konkret, të prekshëm. Para së gjithash, paqja dhe relaksimi i marrëdhënieve ndëretnike në planin e brendshëm, ndërsa në planin e jashtëm, sot Republika e Greqisë, jo vetëm që nuk është pengesë për përparimin tonë, por e mbështet fuqishëm dhe në mënyrë aktive rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut.

Edhe ideja e këtij Forumi është se Maqedonia e Veriut, jo vetëm në mënyrë deklarative por edhe praktike ka arsye të konsiderojë veten faktor stabiliteti në rajon, natyrisht, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, por arriti të gjejë forcë në vete për mbylljen e dy kontesteve të mëdha që na shoqëronin që nga pavarësia, atë të raporteve ndëretnike përmes marrëveshjes së Ohrit dhe atë të Prespës, që mbylli kontestin rreth emrit me Greqinë. Kontest i cili në momente të caktuara dukej aq i patejkalueshëm. Por, Marrëveshja e Prespës ose "Marrëveshja e mundësive", tregoi se ne kemi qenë të gatshëm për bashkëpunim konstruktiv me fqinjët dhe po ashtu të gatshëm për integrimin euroatlantik. Kjo marrëveshje vulosi shtetësinë e vendit në Kombet e Bashkuara dhe mundësoi anëtarësimin e plotë të vendit në Aleancën e NATO – s ku sot, krahas 29 flamujve, valon edhe flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ne jemi kontribuues në sigurimit e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale dhe njëherazi, i mbrojmë vlerat demokratike të botës perëndimore moderne të cilat i ndajnë një miliardë njerëz në botë.

Rezultatet e Marrëveshjes së Prespës janë të dukshëm në shumë aspekte: në aspektin politik, ekonomik, me të gjitha fushat që i përfshin, në infrastrukturë dhe energjetikë, por unë, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të flas për nxitjen e bashkëpunimit parlamentar dhe përparësitë që i ka diplomacia parlamentare si mënyrë për zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit dhe i njëjti filloi të intensifikohet dhe të hapë dyert e duhura si rezultat i po kësaj marrëveshjeje. Kuvendi, si institucioni ligjvënës, gjatë gjithë periudhës së ndërtimit të politikave të mira fqinjësore dhe rajonale e dha kontributin e vet të parezervë që të aprovohet korniza ligjore në suazat e së cilës do të mundësohet ky zhvillim për të qenë i dobishëm për shoqërinë dhe qytetarët tanë.

Respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së plotë politike si disa nga pikat kyçe të Marrëveshjes së Prespës janë pikënisja mbi të cilën zhvillohet bashkëpunimi i ngushtë bilateral për një rajon të paqes në Evropën Juglindore, të zhvilluar dhe me prosperitet për qytetarët. Njëherazi, e promovojmë definimin e bashkëpunimit në nivel më të gjerë, në kontekst të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, siç janë Kombet e Bashkuara, OSBE-ja dhe Këshilli dhe Bashkimi Evropian.

Të dashur miq,

Edhe Marrëveshja e Ohrit, si një instrument efikas për demokratizimin e vendit duke e ruajtur balancën ndëretnike me marrjen e vendimeve politike me konsensus, edhe Marrëveshja e Prespës, që e ç’bllokoi rrugën e hapërimit drejt integrimeve euro-atlantike, si një synim i gjithë shoqërisë në Maqedoninë e Veriut, në praktikë u dëshmuan si modele të suksesshme që mund të përvetësohen dhe zbatohen edhe nga shtetet tjera, sidomos ato të rajonit të cilat kanë probleme ndëretnike të përafërta. Janë model se si mund të eliminojmë dyshimet dhe mungesën e besimit ndër ne dhe bashkë të kontribuojmë në zhvillimin e shteteve tona dhe të rajonit. Shpresoj se edhe Marrëveshja e nënshkruar me Republikën e Bullgarisë për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim do të jetë një model i këtillë dhe së shpejti, me reflektimin pozitiv të Republikës së Bullgarisë do të mundësohet edhe konferenca e parë ndërqeveritare Republika e Maqedonisë së Veriut – Bashkimi Evropian, që do të shënojë edhe hapjen e negociatave për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në familjen evropiane, aty ku e kemi vendin.

Të nderuar të pranishëm,

Nuk dua ta zgjas më shumë, vetëm doja me kontributin tim modest në këtë forum të respektuar të theksoj se “nuk e kemi pasur lehtë aspak por, por kur ekziston toleranca, dëshira për paqe e prosperitet, vullneti, gatishmëria për kompromis e sidomos, guximi politik dhe përgjegjësia për ardhmërinë e vendit, të rinisë tonë, atëherë nuk ka problem apo mosmarrëveshje që nuk mund të zgjidhet.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click