Udhëheqja parlamentare

E premte, 1 Tetor 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në uebinarin me temë:“Përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve dhe gazetarëve për llogaridhënie dhe transparencë më të madhe”

Të nderuar kolegë deputetë,
I nderuar kryetar i Shoqatës së Gazetarëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Çadikoski,
I nderuar përfaqësues nga Këshilli i Evropës, z. Penik,
Të nderuar gazetarë,
Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare,
Të nderuar mediume,
Zonja dhe zotërinj,

Dua që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përshëndes punën e këtij uebinari të sotëm, për të cilin besoj se do e vërtetojë parafytyrimin që e kemi në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet dhomës ligjvënëse dhe gazetarëve, mirëpo, do i japë edhe përgjigjet për segmentet e mundshme ku dhe në cilën mënyrë mund të përmirësohet ai bashkëpunim. Këtë uebinar e shoh në një mënyrë edhe si vazhdim të diskutimit pas takimit tonë të punës në korrik që e patëm me ju gazetarë të nderuar, për koordinimin e politikave dhe reformave mediatike dhe besoj se ky është një tregues i qartë për dispozicionin dhe vullnetin tim për bashkëpunim, gjithsesi edhe të kolegëve deputetë, dhe në fakt të Kuvendit. E dini se qëndrimi i përbashkët i kryesisë është që Kuvendi të jetë gjithmonë i hapur dhe në dispozicion për ju, përmes jush për qytetarët, organizatat joqeveritare dhe kuptohet, opinionin ndërkombëtar. Edhe vetë e dini se ndër jush ka një grup të raportuesve të akredituar të specializuar për Kuvendin, dhe kjo nuk është diçka prej tani por ka ekzistuar gjithmonë, dhe realisht, ju jeni pjesë e institucionit tonë sepse takohemi rregullisht nëpër korridoret dhe sallat e Kuvendit. Krahas kësaj, unë kam vendosur një brifing të rregullt mujor ku ju ftoj rregullisht, me ç‘rast kurrë nuk kam bërë seleksionim as privimin nga prezenca e ndonjë gazetari apo shtëpie të caktuar mediatike në ato takime të përbashkëta.

Vërtetues i këtij prononcimi është edhe vetë analiza dhe prononcimet e kolegëve tuaj gazetarë të cilët nuk kanë vërejtje në atë pjesë, përveç mundet në pjesën se brifingjet duhet të caktohen edhe jashtë atij cikli, respektivisht, kur shfaqet ndonjë çështje e cila nxit interes të madh te qytetarët. Unë jam i vetëdijshëm se detyra juaj është të siguroni informatë të cilën do e transmetonit sa më shpejt që mundet te qytetarët, te lexuesit. Me këtë rast, informata duhet të jetë e besueshme, e konfirmuar nga burime zyrtare, e mbështetur, gjegjësisht me prononcime të marra nga të gjitha palët e përfshira për çështje të caktuar. E tani, unë si Kryetar i Kuvendit, mund të shpreh qëndrimin tim dhe e dini se e bëj këtë, por, nuk mundem, as që guxoj të ndikoj mbi kolegët tjerë deputetë në drejtim të asaj se si do të veprojnë ato. Secili prej tyre ka mendimin e vet personal në drejtim të asaj se si dhe sa do të jetë i pranishëm në opinion. Nuk dua të ndërhyj në atë nëse çdo deputet guxon ose po nuk guxon të shprehë qëndrimin për çështje të caktuar, kjo është punë individuale e çdo grupi parlamentar, edhe pse, sipas mendimit tim, me vetë atë që kemi marrë legjitimitet nga qytetarët për ti përfaqësuar në Kuvend, e drejta demokratike, integriteti personal, të menduarit, në fund të fundit, edhe ideologjia që e mbrojmë, duhet të jenë të mjaftueshme që të mund të shprehim qëndrim. Shumë është e rëndësishme të kuptohet se deputetët janë po ashtu njerëz të rëndomtë jeta e të cilëve për një çast bëhet publike dhe është e kuptueshme se jo secili menjëherë gjendet në atë rol, sidomos në pjesën e komunikimit me gazetarët, mediumet. Është fakt se me ndihmën e donatorëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë organizohen punëtori të ndryshme në të cilat punohet në paraqitjen e tyre publike dhe komunikimin, mirëpo, jo më pak i rëndësishëm është edhe roli i gazetarit në këtë bashkëveprim. Gjegjësisht, nëse qëllimi është marrja e qëndrimit, pyetjet doemos të jenë të qarta dhe jo të dykuptimta, ndërsa përgjigjet duhet të transmetohen saktë dhe në mënyrë autentike që të mos vijë situata deri në korrigjim dhe përgënjeshtrim të prononcimit që në ndërkohë gjithsesi do të bëjë dëm, qoftë deputetit, grupit parlamentar dhe natyrisht, edhe mediumit, sepse të gjitha palët duhet të mbajnë llogari për besueshmërinë e vet. E di, jo çdoherë keni mundësi të merrni video material të incizuar dhe mua më vjen keq që për shkak të pandemisë, doemos ishte të imponohen protokolle të jashtëzakonshme për punë nga institucionet shëndetësore mirëpo, edhe ne si ligjvënës e kishim patjetër të përshtatemi e prapë të ruajmë funksionalitetin e institucionit. Për këtë arsye, a kuptohet me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të përgjithshëm dhe parandalimit të përhapjes së mëtejshme të virusit, u ndalua prezenca e gazetarëve në seancat e komisioneve, në seancat plenare, me çka automatikisht u pamundësua kontakti juaj fizik i drejtpërdrejtë me gazetarët dhe e di se kjo ishte handikap shumë i madh.

Për fat të keq, transmetimi i drejtpërdrejtë i vetëm i mundshëm ishte vetëm nga seancat plenare të cilat po ashtu i mbanim në Sallën nën kupolë në të cilën nuk kishim mundësi për votim elektronik që po ashtu paraqiste handikap, dhe nga Salla Boris Trajkoski kur kishte seanca të Komisionit të Financave dhe Buxhetit. Për fat të keq, mbeti e pambuluar mediatikisht puna e të gjitha trupave tjera punues dhe jemi të vetëdijshëm se kjo bëri hapësirë për ndryshimin e opinionit në raport me transparencën në punën e Kuvendit. E dini se kisha një përpjekje, i  mësuar nga shembujt në parlamentet tjera, të kalojmë në punën onlajn, me qëllim që të ruhet funksionaliteti i institucionit, mirëpo siç e dini, ajo përpjekje dështoi dhe insistohej në prezencën fizike të deputetëve në sallë. E dini si perceptohej ardhja e dy deputetëve nga izolimi shtëpiak në punë në Kuvend. Për fat të keq, as deputetët nuk janë imunë ndaj virusit dhe ballafaqoheshim me vështirësi shumë të mëdha gjatë punës dhe sigurimit të kuorumit për punë. Por përsëri, duke e pasur gjithmonë ndër mend transparencën në punë, të vetëdijshëm me këtë rast se ky është problem me të cilin ndeshen të gjitha institucionet, edhe pse veçantia e dhomës ligjvënëse nuk mund të krahasohet me asnjë institucion tjetër, vazhdimisht ishim në kërkim të zgjidhjeve të reja të cilat do të mundësojnë tejkalim të pengesave teknike për transparencën dhe për fat të mirë, pranë nesh janë donatorët dhe partnerët tanë shumëvjeçarë, Programi për mbështetje parlamentare dhe kuptohet, Instituti Nacional Demokratik me ndihmën e të cilëve do të vendoset TV studioja e Kuvendit me program të pasur nga jeta kuvendore, me intervista të deputetëve dhe afrimin e zgjidhjeve ligjore te qytetarët në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, gjegjësisht, çfarë impakti real do të prodhojë në jetën reale të qytetarëve zgjidhje e caktuar ligjore. Do të mundësohet edhe strimingu i seancave të komisioneve që gjithsesi në masë të madhe do e reflektojë atmosferën dhe rrjedhën e vërtetë të debatit. Në plan është mbindërtimi i ueb faqes së Kuvendit, sipas shembullit të shpresoj së paku deri diku, me parlamentin estonez dhe unë jam i bindur se të gjitha këto aktivitete që janë në plan për periudhën e ardhshme, do e afrojnë dhomën ligjvënëse pranë jush, gazetarë të nderuar, te qytetarët dhe gjithë opinioni ndërkombëtar dhe do e përmirësojnë përshtypjen për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Por, për hollësitë do të lë hapësirë të flasë përfaqësuesi i Institutit Nacional Demokratik.

Këtu do të ndalem, Ju falënderoj për vëmendjen!

Click