Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 30 qershor 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Ceremoninë e promovimit të gjeneratës së parë të absolventëve të Universitetit Nënë Tereza

I nderuar zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Arafat Shabani,
I nderuar rektor i Universitetit Nënë Tereza, Prof. Dr. Azis Pollozhani,
I nderuar kryetar i Komunës së Çairit, Prof. Dr. Visar Ganiu,  
I nderuar ambasador i Republikës së Italisë më Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Andrea Silvestri,
Të nderuar dekanë, profesorë ordinarë dhe inordinarë, 
Të nderuar studentë dhe prindër,
Të nderuar përfaqësues të mediumeve,
Zonja dhe zotëri,

Jam tejet i kënaqur që sot, në këtë shesh madhështor, jam i ftuar të jem pjesë e këtij evenimenti aq të rëndësishëm për Universitetin Nënë Tereza, për stafin e nderuar akademik, për ju prindër, studentë të dashur, absolventë të gjeneratës së parë të këtij Universiteti që sot shënon edhe jubileun e parë pesëvjeçarë të themelimit dhe fillimit me punë si një institucion shtetëror i ri i arsimit sipëror. Unë si Kryetar dhe kolegët deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhamë kontributin tonë ligjvënës dhe mbështetjen tonë të parezervë për arsye se besonim dhe akoma jemi të bindur se themelimi i vatrave të reja të dijenisë dhe me këtë edhe nxitja e frymës konkurrente mes tyre për të arritur cilësi gjithnjë më të lartë dhe më tërheqëse për studentët e ri, mbështetja e të gjitha niveleve të arsimit dhe kuptohet, atij sipëror i cili është vetëm njëra nga shkallët që duhet të kalohet për të arritur majat e mëtejme dhe më të larta të përsosjes së qytetarëve të ardhshëm akademikë të vendit tonë, është shtytës dhe katalizator i proceseve të reja, bashkëkohore, botërore të cilat do e ndihmojnë shoqërinë tonë të radhitet në mesin e vendeve të zhvilluara dhe atraktive për ju të nderuar absolventë, por edhe për të gjithë ne që jemi të gjeneratave të ndryshme. Ndër ju gjenden inxhinierë të ardhshëm të ndërtimtarisë, profesionistë të informatikës, shkencave teknike, teknologjike dhe sociale.

E di që kjo paraqet vetëm një pjesë të vogël të diapazonit të mundshëm të drejtimeve që mund të hapen në Universitetin Nënë Tereza dhe çdo sukses i juaj i arritur, çdo shteg i ri i hapur është dritare e re kah bota dhe kah mundësitë e pakufizuara që i ofron globalizimi dhe digjitalizimi me të gjitha përparësitë e veta. Unë jam i bindur se dituria, njohuritë, shprehitë që i përfituat në këtë segment të rrugëtimit tuaj arsimor në këtë universitet, do të jenë mbështetja e sigurt e cila ju nevojitet për të vazhduar përsosjen tuaj të mëtejme arsimore, zhvillimin dhe specializimin tuaj profesional dhe fillimin me kontributin e çmuar në suazat e familjes, shoqërisë dhe shtetit tonë.

Të dashur studentë,

Edhe pse ky vit shkollor, si edhe ai paraprak, ishin të ndryshëm nga vitet shkollore tradicionale, që zhvillohen me ligjërata dhe provime me prezencë fizike, me shoqërimin karakteristik studentor, të gjithë jemi të vetëdijshëm se pandemia me KOVID-19 ishte sfidë mbarëbotërore e cila la pasoja negative dhe të pakompensueshme mbi sistemet ekonomike, shëndetësore dhe mbi shëndetin mental të gjithë njerëzimit. Megjithatë, unë, nuk kam aspak dyshim se kjo nuk do ju pengojë të ecni përpara dhe të jepni maksimumin tuaj, sepse Ju jeni ardhmëria, ju jeni forca në të cilën besojmë, mbështetemi dhe i ndërtojmë planet e një ardhmërie të ndritur të cilën bashkë do e krijojmë, duke kaluar dhe tejkaluar të gjitha sfidat dhe pengesat që na shfaqen në atë rrugëtim. Por, për Ju ia vlen, për ardhmërinë, ia vlen!

Na bëni krenarë ne, profesorët e nderuar, prindërit e dashur dhe mbi të gjitha, nderoni veten dhe integritetin tuaj individual dhe kolektiv!

Unë Ju uroj rrugëtim të mbarë dhe të ndritur!

Ju falënderoj për vëmendjen! 

Click