Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 8 stator 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi për 8 Shtatorin – Ditën e pavarësisë  

Të nderuar qytetarë,
Sonte, shënojmë një jubile jashtëzakonisht të rëndësishëm, plot tridhjetë vite nga nata historike kur me shpalljen e rezultateve të referendumit më 8 shtator të vitit 1991, referendumit në të cilin qytetarët votuan për shtet të lirë, të pavarur dhe sovran, ndërsa kolegët tanë të legjislaturës së atëhershme e vunë në letër dhe në jetë atë vendim me të cilin u konfirmua vazhdimësia e Ilindenit dhe KAÇKJ-së dhe u konfirmua dëshira për shtet të pavarur, sovran, subjekt i pranuar ndërkombëtar dhe anëtar i barabartë i bashkësisë së kombeve, nga ky vend, para dhomës ligjvënëse, kur Presidenti Gligorov u drejtua para qytetarëve të tubuar duke drejtuar urime për vendimin e guximshëm dhe të vendosur, nuk jam i sigurt se të tubuarit ishin tërësisht të vetëdijshëm për hapin e ndërmarrë të guximshëm, për madhështinë e atij akti, për atë se në fakt, nisemi në një rrugë të gjatë, të pasigurt dhe të paparashikueshme, rrugë për të cilën dikush do të thoshte se nevojiten përgatitje, dikush do të thoshte se akoma nuk ka ardhur koha, e të tretët do të thoshin se është tepër rrezikshëm të nisemi, mirëpo, në një gjë jam i sigurt, as populli, as udhëheqësia e atëhershme nuk kishin asnjë dilemë, asnjë grimcë dyshim se e bëjnë punën e drejtë dhe e ndërmarrin hapin më të natyrshëm për shtetin, për qytetarët, për të rinjtë dhe fëmijët - për ardhmërinë e Republikës.Kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo natë historike. Ndonjëherë uji kthjellej dhe e shihnim qartë ardhmërinë e vendit, ndonjëherë turbullohej dhe ishte shumë vështirë të shihet drita në fund të tunelit, të lundrohet nëpër lumin e rrëmbyeshëm dhe në errësirë të gjetet një strehë e sigurt, themel i fortë dhe ujëra të qeta, pa valë, për gjumin e qetë të fëmijëve tanë. Në rrugën e rritjes dhe pjekurisë sonë, njëherazi edhe qëndrueshmërisë si shtet, ballafaqoheshim me shumë sfida të cilat na mësuan se shteti i fituar njëherë, nuk do të thotë edhe shtet i garantuar përgjithmonë, përkundrazi, do të thotë se çdo ditë e re është bekim, dhe se çdo ditë e re është mundësi dhe shans të mësojmë më shumë rreth asaj se si të jetojmë bashkë, të mendojmë njësoj, ta ruajmë atdheun dhe të veprojmë të gjithë bashkë dhe të unifikuar në drejtimin e njëjtë, pikërisht ashtu siç pritet prej qytetarëve të përgjegjshëm, politikanëve të guximshëm - vizionarë, të cilët dinë në çdo çast se çka është më e mira për ardhmërinë dhe qëndrueshmërinë e shtetit. 

Gjithsesi se viti 2001 ishte një sfidë e rëndë, por e tejkaluam me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit e cila këtë vit shënon plot 20 vite dhe e cila ishte baza për transformim në një shoqëri funksionale mulietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, shtet i qytetarëve të barabartë në të cilin respektohen të drejtat njerëzore individuale dhe kolektive, shtëpi e njëjtë për të gjithë qytetarët, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, gjinore dhe cilëndo përkatësi tjetër, shembull pozitiv për rajonin dhe botën. Realizimi i anëtarësisë së plotfuqishme në aleancën ushtarako-politike të NATO-s është sukses shumë i madh i cili njëherazi do të thotë edhe siguri e qytetarëve tanë dhe integritetit territorial. Këtë e arritëm me Marrëveshjen e Prespës me të cilën guximshëm dhe me mençuri e tejkaluam kontestin shumë dekadësh dhe dolëm nga kornizat ballkanike anakronike, duke u shndërruar në faktor stabiliteti në rajonin tonë simptomatik senzitiv. 

Qëllimi ynë i dytë strategjik, fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian përsëri gjendet në pikë statike për të cilën shpresoj se në periudhën që vijon do të ketë lëvizje në kuptimin pozitiv dhe do të mund të marrim pjesë në konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. 

Nuk mund të anashkaloj edhe rrezikun global që është pezull mbi gjithë botën, pandemia me virusin KOVID -19, e cila shkaktoi humbje marramendëse njerëzore dhe materiale, me ç'rast e ndryshoi mënyrën e tërësishme të jetës dhe funksionimit të gjithë njerëzimit. 

Megjithatë, unë jam i bindur se edhe krahas sfidave nëpër të cilat kaluam, kemi fuqi, kemi vullnet, vendosmëri dhe vizion për atë se ku duam ta shohim Republikën e Maqedonisë së Veriut, çfarë shtëpiе dëshirojmë dhe ndërtojmë për qytetarët tanë. Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Të ndërtojmë shoqëri në të cilën të gjithë ne, tani dhe në të ardhme do të ndjehemi të barabartë, të respektuar, të njëjtë para ligjit dhe drejtësisë, thjesht, do të ndjehemi në shtëpinë tonë, sepse të gjithë meritojnë të jetojnë, të rriten, të arsimohen dhe të krijojnë në shtet në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore është e drejtë e natyrshme dhe universale, pa precedent. Bashkë do të gëzohemi dhe qajmë për të gjitha fitoret dhe disfatat, për të gjitha momentet e ndritura dhe jo aq të ndritura, sepse kjo do të thotë të jesh një, kjo do të thotë të jesh bashkë!

Urime Dita e Pavarësisë! 

Qoftë e përjetshme Republika e Maqedonisë së Veriut! 

 Video

Click