Udhëheqja parlamentare

E hënë, 28 Qershor 2021, Bruksel

Fjalimi me temë: Roli fundamental i parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së në erën post-kovid 

I nderuari kryetar Sasoli,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar të pranishëm,
Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë për mbajtjen e sërishme  të samitit të sotshëm, vazhdimësia e të cilit edhe krahas kushteve të jashtëzakonshme aktuale e vërteton qartë mbështetjen e Parlamentit Evropian për perspektivën evropiane të rajonit tonë. Njëkohësisht, do të doja ta falënderoj Kryetarin Sasoli për kontributin e tij të deritanishëm dhe angazhimin e tij joegoist për avancimin e integrimeve evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për promovimin e rolit të parlamenteve nacionale në atë proces.

Samiti mbahet në kohë kur si parlamente shtetërore dhe nacionale përballemi me shumë çështje, si në lidhje me pandeminë aktuale, ashtu edhe në lidhje me rrugën tonë integruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pandemia i tregoi të gjitha anët e saj të mira dhe të këqija, ndërsa ne si politikanë deri më tani kemi pasur kohë të mjaftueshme që t'i identifikojmë dobësitë dhe përparësitë dhe në mënyrë përkatëse t'i planifikojmë aktivitetet tona në të ardhmen. 

Nga njëra anë, paralizimi i pjesshëm ose i plotë i shoqërive tona në kulmin e pandemisë, ka ngritur një varg pyetjesh për vijën e hollë të ndarjes së kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe atij ligjvënës. Karakteristikat kryesore të parlamenteve në të gjitha shoqëritë demokratike evropiane, më saktësisht funksioni i tyre ligjvënës, kontrollues dhe informativ, sikur edhe një herë të ishin vënë në pikëpyetje në procesin e marrjes së vendimeve, shikuar në aspektin komparativ në kontekst të pandemisë dhe zhvillimit historik të Bashkimit Evropian të sotëm.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte i vendosur para shumë dilemave në vitin e kaluar, për shkak të interpretimeve të ndryshme në kornizën juridike ekzistuese, mosmarrëveshja politike e opozitës për punë në distancë, që nënkuptonte aktivitete të sublimuara në minimum në përputhje me protokollet mjekësore dhe masat restriktive për qasje fizike në godinën e Kuvendit. . Si rezultat i këtyre hapave të ndërmarrë, qytetarët filluan më masivisht t’i shfrytëzojnë platformat dixhitale për marrje të informatave, që qendrave të caktuara të vendosjes u mundësuan dominim në atë hapësirë për qëllime të tyre. Përmes keqpërdorimit  të narrativit të koronës, shpesh kemi pasur invazion të dezinformatave në lidhje me pandeminë, aktivitetet e qeverisë për përballje me pasojat e saj, por edhe për proceset evrointegruese, që na detyronte neve si politikanë të reagojmë menjëherë dhe të sigurojmë se informatat e sakta në fund megjithatë do të arrijnë te qytetarët.

Nga ana tjetër, pandemia tregoi se evenimentet virtuale mundësuan vazhdimësi të caktuar në pjesën e udhëheqjes së diplomacisë parlamentare, duke mundësuar realizimin më të lehtë të takimeve ndërkombëtare, të cilat në kushte standarde kërkojnë organizim dhe përgatitje më të madhe. Një pjesë e madhe e aktiviteteve ndërkombëtare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe aktivitetet me organizatat joqeveritare deri më tani zhvillohen onlajn pa pengesa. Andaj, konkluzioni i përgjithshëm mund të jetë se puna tradicionale e parlamenteve, prania fizike dhe kontaktet tona personale janë pa dyshim modus operandi ynë më i mirë dhe i pazëvendësueshëm, ndërsa përdorimin e kohëpaskohshëm të formatit hibrid ose virtual për punë mund ta përdorim në kushte kur prania fizike është e pamundësuar dhe që të sigurojmë përfshirje më të madhe të shoqërisë civile, veçanërisht gjatë negociatave. Integrimet në BE, si rezultat i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe pandemisë, nuk shënuan intensitet të njëjtë si në vitet paraprake. Arritjet tona më të mëdha, në përputhje me kriteret evropiane, miratimi i pakos së reformave komplekse dhe tejkalimi i çështjeve të hapura shumëvjeçare me fqinjët, megjithatë nuk na çuan në fazën tjetër të procesit të integrimit, për shkak të kërkesave unilaterale për çështje të caktuara historike.

Duke pasur parasysh të kaluarën  turbulente të rajonit, nëse ato bëhen pjesë e pakos së kritereve të detyrueshme, ato munden seriozisht ta prishin kredibilitetin e Bashkimit dhe konceptin e procesit të zgjerimit. Për to nuk duhet të ketë vend në portofolin integrues evropian dhe për ato arsye, nevojitet reagim urgjent dhe ofertë e udhërrëfyesve konkretë për vendet e Ballkanit Perëndimor për hapat e ardhshëm deri në anëtarësimin e tyre në BE, ndërsa për Republikën e Maqedonisë së Veriut sa më shpejt mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare.

Gjatë negociatave, Kuvendi do të vazhdojë të ketë rol aktiv, të dukshëm dhe konstruktiv dhe me propozimet dhe sugjerimet e tij do të kontribuojë në miratimin e legjislacionit të nevojshëm dhe në ndërtimin e konsensusit shoqëror për përfitimet dhe sfidat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe vëllimshmërinë e pakos legjislative evropiane, presim bashkëpunim të mëtejshëm të vazhdueshëm dhe të frytshëm në të gjitha nivelet me Parlamentin Evropian si mbështetësi dhe partneri ynë shumëvjeçar, por edhe me të gjitha vendet e rajonit me të cilat e kultivojmë përcaktimin për ndarje të vlerave të përbashkëta evropiane. E ardhmja e të gjithë ne është në BE, ndërsa rajoni nuk ka ardhmëri tjetër. Ky duhet të jetë një nga mesazhet kryesore që do të duhet të dërgohen pas përfundimit të këtij Samiti. 

Ju falem nderit për vëmendjen. 

 

Click