Udhëheqja parlamentare

E shtunë, 21 nëntor 2020, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve

Fjalimi përshëndetës i Kryetarit Xhaferi në Akademinë shkencore me rastin e Manifestimit kulturor-shkencor "Ditët e Alfabetit-II"

I nderuar zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, z. Shabani
I nderuar drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, z. Asani,
I nderuar drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, z. Sela,
I nderuar drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, z. Hosaflok,
Të nderuar ambasadorë,
Zonja dhe zotëri,

Kam nderin që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të shpreh nderimet dhe urimet e mia të përzemërta me rastin e festës së 22 Nëntorit, 112 vjetorit të Kongresit të Manastirit ku edhe u bë unifikimi i alfabetit shqip dhe që kremtohet si festë e pranuar kombëtare e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Njëherazi, dua të përuroj edhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve për vazhdimin e traditës së organizimit të këtij manifestimi ku nderohen dhe respektohen fytyrat dhe kontributi i shqiptarëve në fusha të ndryshme të jetës shoqërore ndër shekuj. Më vjen mirë që Manifestimi fillon me homazh për Gjerasim Qiriazin dhe përfundon me promovimin e librit për Parashqevi Qiriazin dhe, nuk mund të ishte ndryshe. Sepse, ato të dy, natyrisht edhe shumë intelektualë të tjerë nga të gjitha anët e botës ky frymonin shqiptarët, u tubuan në Kongresin e Manastirit që nga përbërja dhe nga çështjet që i diskutoi dhe zgjidhi, konsiderohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve. Pas një pune të palodhshme nëntëditore, dolën me produktin më të çmuar për një popull - Alfabetin e njësuar me të cilin do të vazhdohej të shkruhet, lexohet dhe përhapet gjuha, kultura, zakonet, veçoritë dhe tradita folklorike e shkruar dhe e kënduar, e cila deri atëherë është përcjellë me shkronja të huaja të alfabeteve të huaja. Por, ajo që është më e rëndësishme, alfabeti me të cilin lindi dhe e filloi rrugëtimin e vet lufta kombëtare e pavarësimit kulturor në rrafshin botëror, ishte mbështetje e fortë e identitetit kombëtar dhe e pavarësimit politik të popullit shqiptar. Ai rrugëtim kaloi nëpër shumë sfida, vështirësi, mohime dhe nënvlerësime por, kjo nuk e ndali kumbimin e këngës mallëngjyese të Nexhmije Pagarushës, Hanife Sejfulla Reçanit dhe shumë solistëve të shquar shqiptarë. Kjo nuk i ndali as studiuesit e shquar albanologë dhe letrarë, kjo nuk e ndali as penën e shkrimtarëve shqiptarë të njohur botërisht, i nderuari Ismail Kadare, Luan Starova dhe të tjerë. Përkundrazi, ishte gjuha për përkthimin autentik të veprave të tyre madhështore me të cilat u rrit dhe u përhap vlera letrare shqiptare. Dhe, jo vetëm ajo letrare. Vlerat dhe virtytet, humanizmi dhe solidariteti, eupatia dhe mirëkuptimi nuk ishin të panjohura as për Shën Nënë Terezën - vajzën e  botës sonë dhe nënën e mbarë botës, siç e kanë përshkruar aq bukur nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe që na bën aq krenarë në rrafshin botëror.

Të nderuar të pranishëm,

Çdo periudhë kohore i bën betejat e veta, dhe i kremton fitoret e mëdha apo edhe të vogla, të cilat janë vetëm një gurth i vogël në përforcimin e themelit të ruajtjes, zhvillimit por edhe të përditësimit të gjuhës e cila është materie e gjallë, e cila mund edhe të bjerë nën ndikime të ndërkombëtarizmave dhe përparimit të pandalshëm teknologjik dhe gjithëpërfshirës. Por, duhet të jemi  vigjilent, secili në pjesën e vet të fushëveprimit. Këtu, së pari kam ndërmend veten dhe  përfaqësuesit tjerë të diapazonit politik që aktualisht jemi ose do të bëhen në të ardhme pjesë e pushtetit legjislativ dhe që mund të ndryshojmë, plotësojmë dhe përmirësojmë mbështetjen ligjore për ruajtjen e gjuhës standarde. Këtu kam ndërmend institucionet që janë themeluar për të mbikëqyrë dhe për të asistuar apo për të ndëshkuar institucionet që nuk e zbatojnë Ligjin për përdorimin e  gjuhëve ashtu siç është i miratuar. Por, këtu kam ndërmend edhe mediet e shkruara dhe elektronike, punonjësit në administratë, punonjësit në arsim që me shembullin e vet të kontribuojnë në ngritjen e gjeneratave të reja që do e duan, ruajnë, respektojnë dhe flasin gjuhën e standardizuar shqipe. Dhe, natyrisht, Akademitë e Shkencave dhe Arteve. Jeni institucionet ku është tubuar potenciali intelektual i çdo shteti dhe keni mundësinë të bashkëpunoni, të këmbeni përvoja dhe të ndihmoni njëri tjetrin, që të jepni shembull se si respekti i ndërsjellë dhe bashkëpunimi i sinqertë mund të prodhojë vetëm vlera që do të jenë në favor të qytetarëve tanë, të shteteve tona dhe të rajonit në përgjithësi. 

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni me këtë rast të përuroj edhe fituesit e Çmimit shtetëror 22 Nëntori, i nderuari Prof. dr. Xhevat Lloshi dhe kritiku letrar akademik Ali Aliu, për kontributin e tyre të palodhshëm në studimin e gjuhës shqipe dhe krijimtarinë e begatshme letrare.

Të nderuar, uroj të kremtojmë edhe shumë përvjetorë të ardhshëm, gjithsesi, në kushte shumë më të volitshme shëndetësore që do të lejojnë kremtimin me prezencë shumë më të madhe. Deri atëherë, uroj të jeni me shëndet të mirë dhe Ju falënderoj për vëmendjen.

Click