E martë, 18 korrik 2017
Takimi i deputetit Grubi me ambasadorin Bezak
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, deputeti Artan Grubi, ka pritur sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ambasadorin e Sllovakisë në Maqedoni, z. Martin Bezak.
Z. Grubi dhe ambasadori Bezak bashkëbiseduan rreth situatës së re të krijuar në vend, anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike, fqinjësinë e mirë, barazinë gjuhësore dhe reformat.
Ambasadori Bezak mbështet aspiratat euroatlantike të Maqedonisë dhe shprehu interesim për ta ndihmuar rrugëtimin tonë drejt BE-së dhe NATO-s.
Deputeti Grubi e njoftoi ambasadorin Bezak rreth miratimit unanim të Deklaratës për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese në NATO dhe BE si bazë për reformat sistemore.
Z. Grubi ftoi autoritetet sllovake që të ndihmojnë në heqjen e kushtëzimit në rekomandimin për hapje të negociatave dhe të ndihmojnë rrugën tonë drejt NATO-s.
Grubi dhe Bezak, gjithashtu, diskutuan edhe për mënyrat e ndihmesës së ndërsjellë dhe mbështetjen sllovake për reformat, si dhe për Ligjin për gjuhën.