Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E shtunë, 10 tetor 2015 

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME RASTIN E FESTËS SHTETËRORE 11 TETORI 

Të nderuar zonja dhe zotërinj, 
Të nderuar miq, 

Duke e shënuar ditën e nesërme, e përmbushim amanetin civilizues shekullor për t'i festuar veprat dhe sukseset.  
T'i shënojmë ngjarjet e kombit!
T'i përkujtojmë luftëtarët e Maqedonisë! 
T'i festojmë betejat dhe triumfet. 
T'i kujtojmë viktimat dhe të bëmat heroike. 
Të falim, por edhe të kujtojmë. 
11 tetori është një ditë e rëndësishme për ne si popull dhe si shtet. 
Kjo është dita e kryengritjes popullore kur vendi maqedonas doemos duhej të mbulohet me gjak që të mund të lind liria. 
Që të lind drejtësia! 
Që të lind shteti Maqedoni!
Partizanët e Maqedonisë me të bëmat e tyre dhe vetëflijimin, e ndërtuan Maqedoninë me granit nga më i forti! 
Betejat heroike u zhvilluan nën flamurin e kuq të lirisë, me një fund fitues! 
Nën bajrakun e pesëcepëshit të verdhë ose luanit të praruar u tejkaluan bile edhe sfidat dhe sprovat më të vështira. 
Maqedonia e shijoj lirinë! 
Maqedonasi u lirua nga pranga e robërisë, u bë zot i vetvetes. 
Përfundimisht lindi dielli i ri i lirisë! 
Të gjithë vuajtjet, robëritë dhe tragjeditë kombëtare, morën kuptimin e tyre. 
Gjithë errësira e robërisë u zëvendësua me dritën e lirisë. 

Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq, 

Të bëmat e partizanëve të Maqedonisë janë gjurmë e pashlyeshme në historinë e Maqedonisë. 
Të bëmat e luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare janë baza e të gjithë triumfeve dhe fitoreve të vonshme të Maqedonisë. 
Përfundimisht, për shkak të të bëmave të bijve dhe bijave të Maqedonisë, sot jemi të pavarur, sovran dhe të mëvetësishëm si popull dhe si vend. 
Qofshim krenar dhe i festofshim të gjitha triumfet e rëndësishme dhe ngjarjet kombëtare. 
S'kemi histori të tepërt, as fitore të tepërta! 
S'kemi ngjarje, periudha ose personalitete historike për të hedhur! 
Përkundrazi! 
Do të kemi qëndrim dinjitoz dhe të respektueshëm ndaj të gjitha periudhave të së kaluar sonë. 
S'ka viktima më të mëdha ose më të vogla për Maqedoninë! 
S'ka ideologji më të mëdha ose më të vogla për Maqedoninë! 
S'ka heronj më të mëdhenj ose më të vegjël për Maqedoninë! 
Të gjithë jemi Maqedoni dhe Maqedonia është për të gjithë. 
T'i festojmë të bëmat e VMRO-së dhe të luftëtarëve të Ilindenit, njëjtë siç e kremtojmë heroizmin e partizanëve. 
Të manifestojmë unitet në lidhje me të kaluarën tonë, sepse kjo është baza e unitetit që duhet ta tregojmë duke e ndërtuar të ardhmen tonë! 
11 Tetori; 23 Tetori; 2 Gusht ose 8 Shtatori, janë piketa të rëndësishme historike të Maqedonisë së vetme dhe të përbashkët. 
Emëruesi i tyre i përbashkët është fjala Maqedoni, ndërsa përgjigjja jonë për këtë duhet të jetë fjala unitet. 
Të tregojmë se jemi të bashkuar kur bëhet fjalë për historinë e Maqedonisë. 
Të tregojmë se jemi të bashkuar kur bëhet fjalë për çështjet e mëdha shtetërore. 
Maqedonia më së paku që meriton është uniteti ynë dhe përgjegjësia personale ndaj saj dhe për të. 
T'ia japim atë minimumin e nevojshëm Maqedonisë, ndërsa të insistojmë t'i dalim hakut ende më shumë. 

Të dashur miq, 

Republika e Maqedonisë e jeton ëndrrën e partizanëve dhe të luftëtarëve të Ilindenit.  
Ne, bijtë dhe bijat e tyre, e trashëguam atdheun tonë. 
Paraardhësit tanë e fituan lirinë dhe filluan ta ndërtojnë shtetin. 
Sot, ne kemi për detyrë ta ndërtojmë dhe avancojmë Maqedoninë. 
Sfidat me të cilat ballafaqohemi doemos duhet t'i tejkalojmë. 
Nuk ekziston zgjidhje tjetër për ne. 
Dorëheqja nuk është zgjidhje për Maqedoninë dhe për qytetarët tanë. 
Posedojmë fuqi dhe vetëdije mjaft të madhe shtetformuese për t'i përballuar problemet me të cilat ballafaqohemi. 
Doemos duhet të vazhdojmë t'i forcojmë themelet demokratike të Maqedonisë. 
Doemos duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë atdheun tonë. 
Sot, kur kemi hyrë thellë në dekadën e tretë të pavarësisë sonë, doemos duhet të vazhdojmë ende më ashpërsisht në rrugën e zhvillimit. 
Sfidat janë pjesë përbërëse e jetës. 
Problemet ekzistojnë që të zgjidhen. 
S'ka zgjidhje tjetër. 
S'ka opsion tjetër. 
Të gjitha idetë dhe planet shkrihen para idesë së madhe për atdheun tonë - Maqedonia. 
Çdo ide partikulare ose interes të ngushtë partiak që është në dëm të Maqedonisë, përfundon me dështim ose ironizohet. 
Gjithçka që është në kundërshtim me idenë për Maqedoni demokratike dhe të zhvilluar, do të jetë pjesë e plehërishtës së historisë, që do të shërbejë vetëm si shembull se si nuk duhet të veprohet me diçka që është aq e rëndësishme dhe e shenjtë, siç është i rëndësishëm dhe i shenjtë atdheu ynë, Republika e Maqedonisë.  

Te dashur miq, 

Maqedonia shënon disa triumfe nacionale në dritën e krizës politike me të cilën ballafaqohemi nga fillimi i këtij viti. 
Në këtë kuptim, dëshiroj edhe sot, ta manifestoj bindjen time se kemi fuqi ta tejkalojmë këtë sfidë, siç tejkaluam shumë sfida të tilla në të kaluarën. 
Qytetarët kanë fuqi të tejkalojnë gjithçka, mbi të gjitha, edhe këtë gjendje. 
Koha do të kalojë. 
Tymi do të lëshohet poshtë. 
Bombat do të pushojnë. 
Emocionet do të tejkalohen. 
Shumë punë do të kthehen në vendet e tyre. 
Megjithatë, një punë do të mbetet deri në fund të kohës. 
Kjo është e vërteta! 
E vërteta, e cila si shëmbëlltyrë në pasqyrë, do të skalitet në përjetësinë. 
Ngjarjet e ndritshme dhe të errëta do të skaliten përjetësisht në gurin prej graniti të historisë maqedonase. 
Në gurin prej graniti të historisë maqedonase do të skaliten edhe emrat e aktorëve - por koha do të tregojë se emri dhe mbiemri i kujt do të jetë për mirënjohje, e emri dhe mbiemri i kujt për falje. 

Te dashur miq, 

Çdo qëllim politik dhe çdo karrierë politike është tejet minore nëse çmimi për realizimin e tij është në dëm të Maqedonisë. 
Asnjë vendim politik nuk do të ketë kuptim në përjetësinë nëse viktimë ka qenë atdheu. 
Asnjë veçanti e jona si personalitete ose anëtarë të partive nuk është e mirë, as e drejtë, nëse me atë e dëmtojmë Maqedoninë. 
Kjo është e vërteta e vetme. 
Kjo është rruga e vetme e drejtë. 
Të mos gënjehet dikush se do të kalojë pa u vërejtur nga verdikti i popullit. 
Andaj, si personalitet, por edhe si kryetar i Kuvendit të RM-së, edhe njëherë ju thërras që të bashkohemi për atdheun. 
Kjo është rruga e vetme e sigurt, e thjeshtë dhe më e shkurtër! 
Thërras në bashkim dhe sinqeritet! 
Thërras në bashkim të gjithanshëm pas idesë së madhe të Maqedonisë! 
Thërras në konsensus nacional dhe shtetëror! 
Thirrja e tillë i përmban të gjitha elementet e një sjelljeje të sinqertë dhe njerëzor. 
Politikbërja në çaste serioze është qyqarllëk! 
Kjo kohë nuk është më ajo kohë! 
Të jemi të përgjegjshëm dhe të tregojmë se jemi njerëz serioz! 
Ekzistojnë vertikale morale të së drejtës dhe së mirës që janë të skalitura thellësisht në kodin gjenetik të njerëzve. 
Ato janë të pandryshueshme dhe të përjetshme sepse janë pasqyrë e natyrës sonë njerëzore. 
T'i kthehemi përmbajtjes së normave morale, etike, përkatësisht njerëzore. 
Secili duhet ta përfundojë pjesën e vet të punës më së miri që mundet. 
Pushteti ka pjesën e vet të obligimeve, por edhe opozita ka pjesën e vet. 
Qëllimi i pushtetit dhe opozitës duhet të jetë një - ai është atdheu Maqedonia. 
Të gjitha veprimet tona maten sipas këtij qëllimi. 
Në këtë 11 Tetor, kur përkujtojmë periudhën e Luftës së dytë botërore, të thirremi në shembujt pozitivë të historisë sonë. 
Të përkujtojmë se nën flamurin e lirisë, flijim bënë edhe përfaqësuesit e majtizmit, por edhe të djathtizmit; Të përkujtojmë se bashkërisht në betejën me armikun morën pjesë maqedonasit, por edhe shqiptarët, turqit, romët, serbët dhe të tjerët; Të mbajmë mend se viktimë e robërisë ishin krishterët, por edhe myslimanët ose hebrenjtë. 
Të na skalitet në memorien kolektive se të gjithë vuajtëm bashkërisht, por edhe të gjitha bashkërisht krah për krah luftuam për ta fituar lirinë. 
Kjo është e vërteta! 
Ky është realiteti! 
Të mos lejojmë që sot ta shkruajmë historinë e re maqedonase me shembuj të këqija të përçarjes dhe konfliktit. 
Të mos lejojmë që konfliktet mes majtistëve dhe djathtistëve të lëvizjes revolucionare maqedonase të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore të jenë karakteristikë edhe në kohën e sotme. 
Të mos lejojmë që spiunimet nga periudha e viteve të pesëdhjeta të shekullit 20, si pasojë e së cilave u mbushën burgjet në Goli Otok, të gjejnë shprehje edhe në kohën e sodit. 
Maqedonia sot është shtet demokratik, i qëndrueshëm dhe përparimtar. 
Maqedonia sot është shtet me ambicie të shprehura. 
Populli dëshiron të tregohet para botës dhe do të qëndrojë në atë rrugë. 
Betejat e sotme të reja zhvillohen për çështjet e teknologjisë informative. 
Betejat e sotme të reja zhvillohen për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe për investimet e huaja. 
Betejat e sotme të reja bëhen për cilësinë e jetesës dhe për nivelin e demokracisë. 
Maqedonia është e vendosur për t'i fituar këto beteja të reja. 
Maqedonia është e vendosur për t'i tejkaluar problemet, sepse qëllimi është tepër i madh. 
Jeta më e mirë dhe e ardhmja e ndritur e fëmijëve tanë nuk janë çmim. 
E ardhmja e fëmijëve tanë është ai motiv tejet i fuqishëm për shkak të të cilit do të tejkalojmë gjithçka dhe do të mbizotërojmë gjithçka. 

Te dashur miq, 
Të nderuar bashkëqytetarë,

Flijimi i heronjve të Maqedonisë ishte liria. 
Ajo u fitua dhe u realizua. 
Maqedonia si shtet i pavarur dhe sovran qëndroi krah për krah me popujt dhe shtetet tjera në botë. 
Kjo është shprehje e madhështisë dhe dinjitetit tonë. 
Zoti lejoi që populli i Maqedonisë të ketë shtet të vetin. 
Lutjet e nënave maqedonase u pranuan. 
Megjithatë, zoti na sprovoi edhe me këto sfida të sotme politika me të cilat ballafaqohemi që të tregojmë se kemi forcë t'i përballojmë dhe të ballafaqohemi me to. 
Të jemi personalitete të përgjegjshme me "të gjitha synimet" dhe vetë t'i zgjidhim problemet. 
E vlerësojmë shumë ndihmën e miqve tanë ndërkombëtare në këto çaste. 
I falënderojmë për përfshirjen dhe mbështetjen e tyre për tejkalimin e krizës politike. 
Kjo për ne është shprehje praktike e miqësisë dhe e bashkëpunimit që e kemi. 
Megjithatë, nuk guxojmë të lejojmë që kjo gjendje të vazhdojë në pafundësi. 
Maqedonia u krijua për të qenë shtet, e jo për të qenë protektorat. 
T'i zgjidhim bashkërisht çështjet e hapura me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, që këto gjëra të mos na përsëriten në të ardhmen. 
Nga kjo krizë të dalim më të fuqishëm dhe më të bashkuar! 
T'i përforcojmë themelet që Maqedonia të jetë shtet ende më i fortë dhe më demokratik. 
Kur tashmë erdhëm në situatë që të kemi nevojë për ndihmë nga të tjerët, ta shfrytëzojmë këtë që t'i tejkalojmë dobësitë tona. 
Në këtë krizë duhet ta gjejmë shansin për Maqedoninë. 
Shansi - cili do të na bëjë më demokratik, më të thjeshtë, më të bashkuar dhe më të afërt me NATO-n, BE-në dhe shtetet fqinjësore. 
Populli gjatë historisë e deri më sot ka vuajtur dhe ka luftuar për shtetin e vet që të mund të vendosë vetë për punët e tij dhe për jetën e tij. 
Nuk guxojmë të tërhiqemi nga një përgjegjësi e tillë! 
Nuk guxojmë që të tërhiqemi aq lehtë nga privilegji i tillë! 
Doemos duhet të gjejmë forca dhe të zhvillojmë bisedë të ndërsjellë! 
Të themi qartë se shprehim falënderim për çfarëdo ndihme deri më tani, por doemos duhet që të merremi vesh si njerëz. 
Maqedonia nuk meriton një gjë të tillë. 
Nuk guxojmë të lejojmë që për shkak të dallimeve tona politike ta relativizojmë fuqinë e shtetit. 
T'i kthejmë punët në vendin e tyre. 

Të dashur miq, 
Të nderuar bashkëqytetarë, 

Të gjithë mbajmë përgjegjësi të barabartë për Maqedoninë! 
Të tregojmë se jemi të bashkuar dhe se kemi forcë për t'u ngjitur edhe në maja më të larta, duke u ballafaquar guximshëm me sfidat që vijnë. 
Dallimet tona politike doemos duhet të zhduken para çështjeve të rëndësishme shtetërore! 
Unitetin e të gjitha partive doemos duhet ta afirmojmë ende më shumë! 
Të angazhohemi ende më shumë në realizimin e qëllimit për integrimin e Maqedonisë në NATO-s dhe në BE;Ta zhvillojmë dhe ta avancojmë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
Të vazhdojmë t'i zhvillojmë marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëjetesën me maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, vllahët, serbët dhe boshnjakët. 
Të vazhdojmë ta zhvillojmë ekonominë dhe ta forcojmë standardin e jetesës. 
Ta zhvillojmë demokracinë, lirinë dhe të vendosim lidhje të reja me botën e lirë dhe demokratike. 
Qytetarët presin prej nesh të jemi të bashkuar dhe të bashkëpunojmë. 
Nuk ka arsye më e madhe për bashkim sesa e ardhmja e qytetarëve tanë! 
Nuk ka shkas më i madh për kësisoj manifestimi publik sesa 11 Tetori! 
Të jetojmë në paqe me veten, me të afërmit tanë dhe me ato që dallojnë nga ne. 
Të jemi krishterë dhe myslimanë të mirë. 
Të vazhdojmë ta duam ende më shumë vatrën tonë, sepse ajo është vendi i vetëm në këtë botë të cilin mund ta quajmë shtëpia jonë. 
Të gëzohemi me brezat tanë, të cilat janë e ardhmja e këtij vendi, sepse gjithçka që bëjmë është e padobishme nëse nuk kemi se kujt t'ia trashëgojmë këtë. 
Urime 11 Tetori!  
Qoftë i përjetshëm dhe i bekuar nga Zoti, atdheu ynë, Republika e Maqedonisë! 

Ju faleminderit. 

 
a

Na ndiqni në: