KUVENDI NË PROCESIN E ADERIMIT NË BE
Dialogu politik ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit Evropian filloi në fillim të viteve 1990 përmes vizitave dhe takimeve parlamentare në Shkup dhe Bruksel.
Më 17.11.1994, Parlamenti Evropian themeloi Delegacionin për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, përgjegjës për marrëdhëniet ndërparlamentare me pesë vende të rajonit: Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kroacinë, Republikën Federale të Jugosllavisë dhe Republikën e Maqedonisë.
Grupi i veçantë për bashkëpunimin e Kuvendit me Parlamentin Evropian ishte themeluar më 17.07.1996, i cili mbajti 9 takime të rregullta ndërparlamentare në periudhën 1996-2004.
Në prill të vitit 1997 u nënshkrua Marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Komuniteteve Evropiane dhe Marrëveshja në fushën e transportit, u ratifikua në Kuvend dhe hyri në fuqi në janar të vitit 1998.
Në vitin 1998, Kuvendi miratoi Deklaratën për zhvillimin e marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian, ndërsa në vitin 2000 Deklaratën për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian. Në deklaratat, përveç theksimit të anëtarësimit në BE si qëllim strategjik i Republikës së Maqedonisë, u theksua përcaktimi për harmonizimin e legjislacionit maqedonas me legjislacionin e BE-së, kontrolli mbi pushtetin ekzekutiv në procesin e afrimit me BE-në, sigurimi i marrëveshjes ndërmjet partive politike të përfaqësuara në Kuvend për çështjet vendimtare të procesit, njohja e publikut të gjerë me kuptimin e procesit të integrimit.
Më 09.04.2001 u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit me BE-në (MSA), për të cilën Parlamenti Evropian dha pëlqimin më 03.05.2001 dhe u ratifikua nga Kuvendi më 12.04.2001.
Më 18.04.2003, Kuvendi themeloi Komisionin për Çështje Evropiane si trup punues amë që shqyrton çështjet që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe jep mendim për të gjitha propozim-ligjet që harmonizojnë legjislacionin nacional me të drejtën e BE-së. Komisioni për Çështje Evropiane merr pjesë në punën e Konferencës së Komisioneve për Çështje Evropiane të Parlamenteve Nacionale të Vendeve Anëtare të BE-së (KOSAK).
Kuvendi në seancën e mbajtur më 11.06.2003 miratoi Deklaratën për rolin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në dimensionin parlamentar të Procesit të Stabilizimit dhe Asocimit.
Më 13.02.2004, Kuvendi miratoi Deklaratën për parashtrimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në BE, e cila në prill të të njëjtit vit pasoi me parashtrimin zyrtar të kërkesës për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në BE.
Më 01.04.2004 hyri në fuqi MSA-ja, me të cilën u zhvillua në nivele të ndryshme dialogu i strukturuar ndërmjet shteteve që kishin nënshkruar marrëveshje të tillë me BE-në. Republika e Maqedonisë në atë kohë u nda nga vendet e tjera dhe u largua nga Delegacioni për marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore, pas së cilës vendosi marrëdhënie të drejtpërdrejta bilaterale me Parlamentin Evropian, përmes themelimit të Komitetit të Përbashkët Parlamentar RM-BE, themelimi i të cilit rezultoi nga neni 114 i MSA-së.
Më 22.03.2004, Republika e Maqedonisë, gjatë Kryesimit Irlandez me Këshillin e BE-së, e parashtroi kërkesën për anëtarësim në BE.
Kuvendi ishte një nga iniciatorët e themelimit të KOSAP-it - Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Çështje / Integrim Evropian të shteteve nga Procesi i Stabilizimit dhe Asocimit: Shqipëria, BeH, Kroacia, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, e themeluar më 17-18 qershor 2005 në Sarajevë.
Më 17.12.2005, Republika e Maqedonisë fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kuvendi në seancën më 19.11.2007 miratoi Vendim për themelimin e Këshillit Nacional për Eurointegrime. Këshilli Nacional për Eurointegrime është i vetmi trup në vend që bashkon përfaqësues parlamentarë, qeveritarë dhe joqeveritarë. Qëllimi kryesor i këtij trupi është të mbajë në nivel të lartë të mbështetjes së vazhdueshme politike për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, dialogun e përhershëm dhe të vërtetë dhe konsensusin e qëndrueshëm politik.
Më 27.11.2007, Kuvendi miratoi Rezolutë për prioritetet për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Dokumenti i jep mbështetje të plotë Qeverisë në përmbushjen e kritereve të domosdoshme për anëtarësim në BE dhe shpreh gatishmërinë e Kuvendit për promovimin e reformave dhe arritjeve të Republikës së Maqedonisë për fillimin sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE.
Më 15.12.2008, Kuvendi miratoi Rezolutë për prioritetet në vitin 2009 për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE, me të cilën janë përcaktuar prioritetet kryesore të vendit dhe aktivitetet prioritare të Qeverisë dhe Kuvendit, të nevojshme për përmbushjen e kritereve për rrugën drejt anëtarësimit të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë në BE.
Kuvendi në seancën më 04.12.2010 miratoi Deklaratën në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian për Srebrenicën, nga 15.01.2009.
Duke iu bashkuar vendeve anëtare të BE-së dhe Bashkimit Evropian në shënimin e 9 shkurtit - Ditës Evropiane të Internetit më të Sigurt, Kuvendi, bazuar në konkluzionet e diskutimit publik të organizuar nga Komiteti i Përbashkët Parlamentar i RM-së dhe BE-së, në seancën më 01.03.2010 miratoi Deklaratën për Internet më të Sigurt, në të cilën institucionet shtetërore, sektori civil dhe institucionet arsimore u thirrën të punojnë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e privatësisë në internet, në përputhje me praktikën e vendeve anëtare të BE-së.
Kuvendi në seancën më 01.03.2010 miratoi Rezolutën për ndryshimet klimatike. Pas konkluzioneve të Samitit në Kopenhagë dhe informimit për ndryshimet klimatike në Republikën e Maqedonisë për periudhë 30-vjeçare, Kuvendi apeloi për aktivitet të koordinuar me Qeverinë dhe institucionet tjera shtetërore dhe për bashkëpunim me organizatat e interesuara joqeveritare për zbutjen e efekteve nga ndryshimet klimatike.
Kuvendi në seancën më 25.12.2017 miratoi Deklaratën për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Kuvendi në seancën më 20.07.2021 miratoi Rezolutën për përcaktimin e qëndrimeve shtetërore të Maqedonisë në kontekst të bllokadave të integrimeve evropiane.
Me rastin e informimit të Qeverisë, për përmbajtjen e Propozimit të kornizës negociatore për negociatat e anëtarësimit të RMV-së me BE-në, të propozuar nga Kryesimi Francez me Këshillin e BE-së, më 30.06.2022, Kuvendi në seancën më 16.07.2022 miratoi konkluzionet.
Takimi për skriningun bilateral për Klasterin 1 “Vlerat Fondamentale” kushtuar fushës “Funksionimi i institucioneve demokratike”, u mbajt më 07.12.2022 në Komisionin Evropian në Bruksel. Në kuadër të Delegacionit nga Republika e Maqedonisë së Veriut, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Shërbimit të Kuvendit me prezantime në tri tema: transparenca dhe llogaridhënia, integriteti dhe efektiviteti.