Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E enjte, 10 dhjetor 2015

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË HAPJEN E MBLEDHJES SË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË DP IEQ

Zonja dhe zotërinj, 
Të nderuar kolegë deputetë, 
Anëtarë të delegacioneve, 

Me të vërtetë kam kënaqësi që sot të mbaj fjalim në seancën e Asamblesë parlamentare në kuadër të dimensionit parlament të Iniciativës së Evropës Qendrore, këtu, në Shkup.  Nuk duket të përkujtoj se kjo është një nga organizatat më të vjetra evropiane rajonale, e sot Iniciativa e Evropës Qendrore përbëhet prej 18 shtetesh, nga të cilat dhjetë janë anëtarë të BE-së, që gjithsesi i jep edhe dimension të veçantë bashkëpunimit rajonal.  Të përkujtoj, Republika e Maqedonisë nga vii 1993 është anëtare e plotfuqishme, e këtë vit kryeson me IEQ-në. 

Të nderuar miq, 

Në muajin maj të këtij viti, gjithashtu, u mbajt sesioni i Komitetit të Përzier Parlamentar, ndërsa që atëherë e gjer më sot, në rajon, ndërsa edhe në Evropë, ndodhën shumë punë të cilat nga njëra anë janë brengosëse për të gjithë ne, por njëkohësisht edhe njëherë e vërtetojnë principin se vetëm përmes bashkëpunimit rajonal të nivelit më të lartë institucional mund t'i zgjidhin problemet.  Gjithsesi këtu para se të mendoj në krizën ballkanike dhe të gjithë ato sfida, probleme dhe kërcënime që vijnë ose thënë më mirë tashmë janë këtu në mesin tonë.  Fatkeqësisht, ngjarjet tragjike në Paris e vërtetojnë rrezikun real nga terrorizmi i cili vjen nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, ndërsa shikuar realisht nuk ka kurrfarë lidhje me islamin si religjion.  Detyra e çdo shteti dhe e çdo qeveria është t'i mbrojë qytetarët, por njëkohësisht, përmes bashkëpunimit të kontribuojë në luftën globale kundër terrorizmit. 

Të nderuar kolegë, 

Në këtë periudhë filloi kriza e refugjatëve, nëpër Republikën e Maqedonisë kanë kaluar qindra mijëra njerëz.  Megjithatë, duke iu falënderuar organizimit dhe angazhimit të institucioneve shtetërore, por edhe sektorit joqeveritar, arritëm që këtyre njerëzve të pafat t'ua sigurojmë ato kushte themelore për jetesë, ushqim, ujë, veshje, mjete për higjienë personale dhe gjithsesi ndihmë mjekësore atyre që u nevojitej më shumë, përkatësisht të sigurojmë sadopak një kalim dinjitoz dhe të sigurt nëpër Maqedoninë në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore.  Njëkohësisht, duke i respektuar normat dhe principet ndërkombëtare, si dhe konkluzionet e BE-së, të gjithë këto njerëz janë regjistruar përkatësisht u janë lëshuar dokumente adekuate.  Megjithatë, për t'u bërë kjo më masë të konsiderueshme varet edhe nga bashkëpunimi i institucioneve tona kompetente me institucionet kompetente nga shtetet në rajon.  Fatkeqësisht, ai bashkëpunim me fqinjin tonë jugor është larg asaj se si duhet të jetë, edhe pse bëhet fjalë për problem të përbashkët dhe sfida për të dyja shtetet.  Më tutje, doemos duhet të theksoj se nga ana e BE-së kemi marrë ndihmë dhe mjete shumë të vogla për ballafaqim me krizën e refugjatëve.  Gjithashtu, edhe në mbledhjen e fundit në Bruksel, u theksua se Maqedonisë doemos duhet t'i ndihmojë, para se gjithash materialisht, që të vazhdojë të ballafaqohet suksesshëm me krizën e refugjatëve.  Andaj dëshiroj që edhe njëherë t'u bëj apel, para se gjithash anëtarëve tanë të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të BE-së, që të mos lejojnë që kriza e refugjatëve të zgjidhet pjesërisht por edhe në barrë të shteteve të caktuara.  Solidariteti është princip mbi të cilin bazohet Evropa e sotme, por të mos harrojmë se paqja dhe siguria janë kategori të pandara.  Nëse i respektojmë këto principe, mendoj se çdo anëtare veç e veç, por edhe në nivel Evropian, do të mund të ballafaqohemi suksesshëm me këto probleme dhe sfida. 

Të nderuar kolegë dhe miq, 

Dëshiroj që në fund të shpreh falënderim ndaj jush që në këtë periudhë kur Republika e Maqedonisë kryeson në kuadër të IEQ-së, dimensioni parlamentar ishte veçanërisht aktiv dhe me rezultate konkrete.  Besoj se edhe kryesuesi i ri Bosnja dhe Hercegovina do të vazhdojë në atë drejtim dhe prandaj e shfrytëzoj këtë rast që t'u uroj kryesim të suksesshëm.  Meqë dhjetori është muaj i festave, më lejoni që të gjithë juve, megjithëse jemi në gjysmën e parë të muajit, t'jua uroj festën e kërshëndellave dhe e vitit të ri, dhe t'ju dëshiroj para se gjithash gëzim personal dhe punë të suksesshme. 

Ju faleminderit.  
 
a

Na ndiqni në: