Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE


E premte, 24 janar 2014, Zagreb, Kroacia

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KUVENDIN E KROACISË

I nderuar kryetar Josip Leko,
Të nderuar deputetë,
Shkëlqesi tuaja,
Zonja dhe zotërinj,

Fillimisht më lejoni ta ndaj kënaqësinë time të sinqertë për mundësinë që e kam, që në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, t'i drejtohem këtij kuvendi të çmuar. 
Me devocion dhe respekt të madh qëndroj para Jush, përfaqësues të popullit kroat. 
Ndjenja e kënaqësisë është ende më e madhe, meqë i kam sjellë me vete shprehjet e sinqerta të miqësisë dhe respektit të qytetarëve nga Maqedonia, për t'i ndarë me ju. 
Maqedonasit dhe Kroatët kanë arsye të shumta për të qenë të kënaqur nga cilësia e marrëdhënieve të ndërsjella.

Shkupi dhe Zagrebi, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, por edhe në vitet që na prijnë, përbëjnë shembull të mirë sesi këtu në Ballkan ndërtohet dhe mirëmbahet një miqësi e sinqertë.

Të nderuar miq,

Populli maqedonas dhe kroat kanë fate të ngjashme.
Fat i mbushur përplot me çaste të vështira, zbatica të mëdha, por edhe suksese të fuqishme nacionale.
Fat përplot me ngjarje, të cilat sot janë njësi matëse për sakrificë dhe për besim të thellë për një të ardhme më të ndritur.

Trashëgimia nga RFSJ është emëruesi ynë i përbashkët. 
Këtu historia jonë fitoi kuptim të ri.
Lidhur me aspektet e mira, por edhe me aspektet e këqija të këtij sistemi.

Megjithëse ish shteti ynë i përbashkët kishte batica dhe zbatica, me kënaqësi konstatoj se Kroacia gjithmonë ishte mike e sinqertë e Maqedonisë në ato kohëra socialiste, por edhe Maqedonia gjithashtu ishte mike e sinqertë e Kroacisë.  

Liberalizmi i ri që lulëzonte në Zagreb ose Lubjanë, pati jehonë të fuqishme edhe në Shkup.

"Erërat e reja të ndryshimit", të cilat ishin ndër më të fuqishmet në Kroaci, kontribuan në përshpejtimin e pavarësisë së Maqedonisë. 

Në këtë kuptim, Deklarata e pavarësisë së Kroacisë nga qershori i vitit 1991 kontribuoi që tre muaj më vonë në vendimin maqedonas të ndërmerret hapi i njëjtë me miratimin e Deklaratës së pavarësisë. 

Pastaj vijuan proceset e vështira të formësimit të sovranitetit dhe pavarësisë, të cilat fatkeqësisht kishin formë dramatike në Kroaci.

Prandaj, nga ky vend, dëshiroj ta shpreh respektin tim më të thellë për sakrificën e popullit kroat, si dhe njëkohësisht t'ua dërgoj ngushëllimet e mia familjeve të viktimave që janë skalitur në altarin e lirisë suaj.

Gjithashtu, dëshiroj të bëj thirrje që këto ngjarje to mos përsëriten më asnjëherë dhe të shërbejnë si mësim i rëndësishëm për ne që jemi këtu me shekuj e që duhet të kemi bashkëpunim dhe respekt reciprok. 

Të nderuar,

Kroacia ishte ndër shtetet e para që e pranoi pavarësinë e Republikës së Maqedonisë.
Kjo ndodhi më 12 mars të vitit 1992.
Ky akt dëshmon për cilësinë e marrëdhënieve tona të ndërsjella.

Faleminderit edhe për mënyrën në të cilën Kroacia e ka trajtuar komunitetin minoritar maqedonas në të kaluarën. 
Jemi shumë falënderues për gjithë ndihmën dhe përkrahjen që u bëhet maqedonasve në Kroaci.
Ato kanë shoqata të tyre, gjithashtu në disa shkolla në Kroaci mësohet edhe gjuha maqedonase.

Vlen të përmendet dhe të shprehim falënderim që Kroacia zyrtarisht e pranoi Kishën ortodokse maqedonase, e cila është këtu për t'i servisuar nevojat fetare të maqedonasve.

Qëndrimi i tillë ndaj minoritetit maqedonas është vërtetim se për Kroacinë demokratike, si dhe për ne në Maqedoni, minoritetet janë urë lidhëse.

Njëkohësisht, këtë ne e kuptojmë edhe si obligim i institucioneve shtetërore maqedonase, që të kenë qasje të njëjtë edhe ndaj minoriteteve kroate në Republikën e Maqedonisë.

Bëmë shumë hapa në këtë plan, dhe besoj se të dyja shtetet dalë nga dalë bëhen shembull sesi një shtet demokratik duhet të sillet ndaj pjesëtarëve të grupeve të ndryshme minoritare etnike dhe fetare.

Të dashur miq,

Maqedonia dhe Kroacia, përveç të kaluarës së përbashkët, ndajnë edhe projeksione të përbashkëta për të ardhmen.
Kemi të ardhme të përbashkët.
Ajo buron nga vlerat e thella humane të cilat janë karakteristikë e rajonit në të cilin jetojmë.

Maqedonia dhe Kroacia, të cilat kanë bërë shumë për kontinentin e Evropës, kanë për obligim por edhe të drejtë që të jenë pjesë përbërëse e të gjitha formave të integrimit të sigurisë, integrimit ekonomik, politik dhe çfarëdo lloji tjetër të integrimit.

Bashkë e kaluam rrugën drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO. 
Bashkërisht i realizuam reformat e vështira në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Bashkërisht kemi marrë pjesë në misionet ndërkombëtare të NATO-s për ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe vlerave të Aleancës.
Flijohemi shumë në këtë rrugë, sepse besojmë fuqishëm se kjo është alternativa e vetme për ne.

Për dallim nga Kroacia e cila u bë anëtare e NATO-s në samitin në Bukuresht në vitin 2008, Maqedonia këtë nuk e bëri.
Pavarësisht faktit që edhe ne i përmbushëm të gjithë kushtet, nuk arritëm të bëhemi pjesë e Aleancës.
Shkak për këtë është qëndrimi joprincipiel të cilin e durojmë me vite për shkak se quhemi Maqedoni.
Megjithatë, ne nuk kemi emër tjetër.
Këto jemi, dhe të tillë do të mbetemi.

Në këtë kuptim, dëshiroj sinqerisht të falënderohem për faktin që Kroacia që në fillim e pranoi Republikën e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, me çka u bë pjesë e 130 shteteve me të cila kemi qëndrime të tilla.
Kjo për ne është ndihmë tepër e çmuar që na mundëson ta përhapim të vërtetën tonë.
Jemi përkushtuar në gjetjen e zgjidhjes me bisedat që i zhvillojmë me Republikën e Greqisë dhe sinqerisht besojmë se do ta tejkalojmë këtë gjendje. 

Te dashur miq,

Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian është interes i yni strategjik.
Për realizimin e këtij qëllimi ekziston pëlqim absolut ndërmjet të gjithë partive.
Përkrahja e qytetarëve është  gjithashtu e madhe.

Megjithatë, pavarësisht nga reformat që i bëjmë, kundruall faktit që vazhdimisht marrim vlerësime pozitive, ne nuk gëzohemi.
Nuk gëzohemi meqë sukseset nuk vlerësohen me aderimin tonë në fazën vijuese të integrimit tonë në BE.
Vite me radhë marrim raporte pozitive nga Komisioni Evropian me rekomandime për fillimin e negociatave për anëtarësim, por Këshilli i BE-së, për shkak kundërshtimit të Greqisë, rekomandimin e tillë nuk e konfirmon.

Sidoqoftë, ky është realiteti.
Sado që të jetë i vështirë, doemos duhet të ballafaqohemi me të.

Me ndihmën e miqve tanë vazhdojmë të bëjmë gjithçka për ta modernizuar shoqërinë në pajtim me standardet e BE-së.

Në këtë kuptim, nga ky vend dëshiroj sinqerisht të falënderohem për gjithë ndihmën të cilën Kroacia ia jep Maqedonisë në rrugën drejt BE-së. 
Për ne, kjo është pasuri e paçmueshme e cila na mundëson shumë më lehtë t'i realizojmë reformat e planifikuara.

Përvoja e Kroacisë, të cilën në mënyrë vetëmohuese e ndani me ne, na mundëson me lehtësi t'i tejkalojmë pengesat e vështira në rrugën drejt anëtarësimit të plotfuqishëm. 

Njëkohësisht, jemi falënderues për gjithë ndihmën dhe përkrahjen diplomatike dhe politike.

Faleminderit për fjalimet, lavdërimet dhe angazhimet e shumta të cilat përfaqësuesit kroatë i bëjnë në dobi të Republikës së Maqedonisë në nivele më të ndryshme në institucionet e Bashkimit Evropian.

Zonja dhe zotërinj,

E ardhmja e rajonit në të cilin jetojmë duhet doemos dhe do të jetë ndryshe nga e kaluara e hidhur që e kishim në historinë tonë të kohës së re kur i vendosëm themelet e pavarësisë.
Jam i bindur se kemi fuqi dhe kapacitete për atë.

Raportet maqedonase-kroate pa dyshim janë model për rajonin por edhe për Evropën.

Me sukseset dhe rezultatet që i kemi në planin bilateral i ngrehim standardet për shtetet tjera nga fqinjësia jonë, por edhe për shtetet tjera evropiane.

Kemi me çka të krenohemi.

Krijuam lidhje të forta që garantojnë se miqësia maqedonase-kroate edhe në të ardhmen do të zhvillohet dhe avancohet.

Jua përcjell përshëndetjet e qytetarëve të Maqedonisë.

Ju përcjellë emocionet e sinqerta miqësore dhe pritjet e mëdha.

Babai i pavarësisë kroate, doktor Franjo Tugjman në një deklaratë të tij ka thënë - citoj: „IMAMO NA ČEMU GRADITI SVOJU POVIJEST. IMAMO ZAŠTO BITI POVIJESNI I ČUVAJMO TO ŠTO SMO STVORILI.  ZNAJMO DA JE NAŠA SUDBINA SAMO U NAŠIM RUKAMA" citat i mbyllur.

Në fund, plotësisht duke u pajtuar me deklaratën, do të shtoj - TË JEMI KRENAR DHE TA RUAJMË ATË QË E KEMI KRIJUAR NË MARRËDHËNIET TONA TË NDËRSJELLA.

TË JEMI TË VETËDIJSHËM PËR RËNDËSINË E VEPRËS SONË.

QOFTË E PËRJETSHME MIQËSIA MAQEDONASE-KROATE.

JU FALEMINDERIT.
 

 
a

Na ndiqni në: