Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E premte, 27 nëntor 2015, Beograd 

FJALIMI ME RASTIN E SHËNIMIT TË 20 VJETORIT TË ANËTARËSIMIT TË PLOTFUQISHËM TË KRYQIT TË KUQ TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË NË FEDERATËN NDËRKOMBËTARE TË KRYQIT TË KUQ DHE GJYSMËHËNËS SË KUQE 

Të nderuar të pranishëm, 
Zonja dhe zotërinj, 

Do ta filloj fjalimin tim me fjalët e Anri Dinan ideja e të cilit është baza e Konventës së Gjenevës nga viti 1864 dhe frymëzimi për krijimin e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq: "Vallë nuk është e mundshme që në kohëra të qeta të formohen shoqëri për ndihmë, me qëllim të sigurohet përkujdesje për personat e lënduar gjatë luftës përmes vullnetarëve të përkushtuar dhe tërësisht të stërvitur? Për kësisoj pune, ndihma e paguar nuk është ajo që nevojitet me të vërtetë. Për këtë nevojiten paramjekësorë dhe infermiere vullnetare, të cilat janë të përkushtuar, të trajnuar dhe me përvojë dhe roli i të cilave do të pranohet nga komandat e armatave në fushëbetejë dhe do të mbështetet dhe ndihmohet misioni i tyre."  Këto janë fjalët e tij dhe pjesë e nxjerrë nga libri "Kujtimi nga Solverino" të cilën e ka shkruar pasi ka dëshmuar vuajtjet e luftëtarëve të lënduar në Betejën e Solverinos. 

Të nderuar, 

Kam nderin t'ju drejtohem sot kur shënohen 20 vjet anëtarësi të plotfuqishme të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë në Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Në periudhën e humbjeve njerëzore, traumave dhe shkatërrimit pas Luftës së Dytë Botërore lind edhe fillimi i kësaj lëvizjeje ndërkombëtare në Maqedoni. 

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë i formuar më 17 mars 1945 me akt të Presidiumit të KAÇKM-it që nga formimi i tij është i lidhur ngushtë me funksionin shtetëror-juridik në sferën e veprimit humanitar. Gjithashtu, lidhshmëria realizohet edhe në realizimin e detyrimeve ndërkombëtare për ndihmë atëherë kur nevojitet dhe si instrument për implementimin e të Drejtës humanitare ndërkombëtare. Në vitin 1994 Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e votoi Ligjin për Kryqin e Kuq në kornizë të të cilit i inkorporoi principet themelore të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, princip i pavarësisë, neutralitetit, objektivitetit, humanitetit, unitetit, vullnetarizmit dhe universalizmit. Me këtë u mundësua funksionimi adekuat, si në nivel nacional, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Me atë u dha kontribut në ndërtimin e shoqërisë e cila synon Shoqëri të organizuar dhe aktive nacionale të Kryqit të Kuq.  Përforcimi i subjektivitetit dhe reputacionit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë u mundësua me ratifikimin e katër Konventave të Gjenevës nga viti 1949 dhe dy Protokollet plotësuese të Konventave të Gjenevës nga viti 1977. Ratifikimi i tyre mundëson implementimin dhe vendosjen e Të drejtës humanitare ndërkombëtare në Republikën e Maqedonisë. 

Të nderuar të pranishëm, 

Kryqin e kuq me aktivitetet e tij e shohim gjithandej rreth nesh, në bashkëpunimin dhe në programet për mbrojtje dhe ndihmë të kategorive vulnerabile, në projekte për vlera humane, inkluzion social, paqe, padhunueshmëri, edukim shëndetësor dhe në përgjithësi kujdesi për jetën dhe dinjitetin njerëzor. Që nga fillimi Kryqi i Kuq shënon punë të suksesshme, dhe pas Luftës civile në Greqi në periudhën nga viti 1946 deri në vitin 1948 punon aktivisht në përkujdesjen e fëmijëve refugjatë nga pjesa e Egjeut të Maqedonisë.  Misioni kryesor i "Kryqit të Kuq" në pengimin dhe lehtësimin e vuajtjeve të njeriut në raste urgjente është pjesë e kujtesës sonë kolektive të një të kaluare jo aq të largët.   Gjegjësisht, ndihma e madhe për ngjarjet e fundit nga tërmeti katastrofal në Shkup në vitin 1963 erdhi pikërisht nga Kryqi i Kuq i Norvegjisë. Momentalisht, rajoni dhe Evropa ballafaqohen me sfidën e krizës së refugjatëve e cila vjen nga Lindja e Afërt dhe shtetet që janë përfshirë nga konfliktet e luftës. Kryqi i Kuq kontribuon në gjithë kapacitetin e tij në mbështetjen e migruesve në terren në të dyja pikat kufitare në Gjevgjeli dhe në Tabanovcë. Gjithashtu, një nga qëllimet kryesore të Kryqit të Kuq është dhurimi i gjakut, si pasqyrë e shkallës më të lartë të solidarizimit dhe vullnetarizmit. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë duke e mbështetur këtë aktivitet humanitar çdo vit organizon aksione të dhurimit të gjakut në bashkëpunim me Kryqin e Kuq ku deputetëve dhe shërbimit të Kuvendit u jepet mundësi për të marrë pjesë në këtë ndihmesë. 

Zonja dhe zotërinj, 

Dëshiroj ta shpreh edhe kënaqësinë time nga aktiviteti i Kryqit të Kuq për edukimin e të rinjve përmes principeve të tyre. Me vetë këtë Kryqi i Kuq ndikon pozitivisht në formimin e personaliteteve, e me atë edhe e trason rrugën drejt një ardhmëria më të mirë dhe më të sigurt. Këtu do të shfrytëzoj edhe fjalët e të famshmit Mahatma Gandi i cili thotë: "E vetmja mënyrë për të gjetur veten tuaj është ta humbësh veten në shërbim të të tjerëve". Në këtë mënyrë do ta tregoj respektin tim për vullnetarizëm si veprim i frymëzuar nga dëshira për të ndihmuar. Andaj, puna vullnetare është mënyrë në të cilën njeriu mund të bëjë punë të jashtëzakonshme. 

Bota sot ballafaqohet me sfida të shumta në sferën e sigurisë. Çdo ditë dëgjojmë për tensionet e rritur dhe dhunë nga të gjitha anët e botës. Është e qartë se ekziston nevojë e madhe për zhvillim të vetëdijes më të lartë për të mirën shoqërore, e kush do ta kishte realizuar më mirë zhvillimin e vlerave humanitare individuale dhe kolektive se Kryqi i Kuq. Kryqi i Kuq arrin të jetë i pranishëm në jetën e secilit prej nesh përmes gjetjes së qasjes frymëzuese për përafrimin e vlerave humanitare dhe principeve fundamentale të tij dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe duke bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, institucionet, organizatat civile dhe individë. 

Megjithatë, puna e suksesshme dhe arritjet nuk shënojnë fundin e qëllimit por fillimin e një kapitulli të ri dhe në atë drejtim do të potencoj se Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë e presin iniciativa të reja, sfida të reja dhe shpresoj sinqerisht në fitore të reja. Ky vit është një vit ku shënohen dy jubile të rëndësishme - 70 vet nga formimi i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë dhe 20 vjet anëtarësi të plotfuqishme në Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Më lejoni, në fund, t'jua uroj të dy jubiletë dhe t'ju dëshiroj të ardhme plot me zhvillim dhe realizim të suksesshëm të rolit tuaj në shoqërinë. 

Ju faleminderit. 
 
a

Na ndiqni në: