Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E martë, 10 mars 2020

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi me rastin e promovimit të librit "Legjislatura bazike antisemite në Bullgarinë Mbretërore" 

I nderuar drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, z. Skender Asani,
I nderuar drejtor i Agjencisë për zbatimin e Ligjit për gjuhën, Ylber Sela,
Të nderuar shkëlqesi, ambasadorë dhe zëvendës ambasadorë, 
Përfaqësues universitar dhe të Institutit francez,
Njohës të çështjes së holokaustit,
E nderuar znj. Demjaha, 
Të nderuar të pranishëm,  
Zonja dhe zotëri,

Kam kënaqësinë që sot kam mundësinë që në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emër të Kuvendit të drejtohem para jush me një fjalë të shkurtër përshëndetëse dhe të shpreh respektin tim ndaj këtij botimi, gjegjësisht përmbledhjes së dokumenteve të grumbulluara nën titullin  "Legjislatura bazike antisemite në Bullgarinë Mbretërore" nga autorët e nderuar Skender Asani, Nora Maliqi dhe Vllado Popovski. Por, fillimisht, të shpreh urimet e mia të sinqerta ndaj punës së palodhshme të drejtorit të Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, z. Skender Asani dhe bashkëpunëtorëve në këtë libër, për kontributin e çmuar që e japin në drejtim të nxjerrjes në dritë të edhe një aspekti ndryshe, aq domethënës për njerëzimin dhe botëkuptimin mbi humanizmin dhe solidarizimin ndërnjerëzor, në suazat e kësaj ngjarjeje aq trishtuese dhe tmerruese për të gjithë pjesëtarët e bashkësisë hebraike, konkretisht në këtë përmbledhje, të hebrenjve nga Maqedonia, të  cilët më 11 mars të vitit 1943, saktë 7144 hebrenj nga Monopoli i Shkupit u deportuan dhe ekzekutuan në kampin famëkeq të vdekjes në Treblinka. Të nderuar, lufta është përbindësh i cili nxjerr nga njerëzit më të keqen, qoftë edhe nga ato që në një jetë normale nuk kanë shfaqur veti jonjerëzore nga vetja, por ajo disi arrin të mjegullojë ndërgjegjen,  të perceptojë si të domosdoshme dhe mundet edhe të arsyeshme një sjellje kaq të tmerrshme ndaj qenieve tjera njerëzore, vetëm e vetëm sepse janë të një përkatësie etnike tjetër, ose sepse ashtu ka thënë mendja e sëmurë e dikujt që supozohet të jetë udhëheqës, lider i masave. Por, siç përmenda edhe më lartë, në këtë përmbledhje është shpalosur një fytyrë tjetër e luftës, një popull i cili nuk zhytet në ujërat e turbullta të luftës dhe i cili arrin ta ruajë njerëzoren në vete dhe me sakrifikimin e sigurisë së jetës së vet, sigurisë së familjarëve të vet të afërm, duke shpëtuar në këtë mënyrë nga ekzekutimi një numër të madh të hebrenjve nga Shkupi. Në fakt, kanë krijuar "lidhjen shqiptare" e cila në fakt ka qenë rrjet i njerëzve, shqiptarë nga Shkupi, Kosova, Shqipëria, të cilët kanë bërë të pamundurën për ti fshehur, strehuar, dhe kaluar hebrenjtë prej zonave të përfshira në gjenocid, në Shqipëri. Dhe, edhe pse edhe Shqipëria ka qenë nën okupimin nazist, trajtimi i hebrenjve atje ka qenë ndryshe, në fakt, ka qenë i arsyeshëm, duke u nisur prej njerëzve të rëndomtë, deri te qeveritarët e lartë dhe punonjësit policorë.

Zonja dhe zotëri,

Pikërisht ky është ai aspekti jo aq i njohur në publik, dhe pikërisht kjo është puna e rëndësishme që e bën Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, që të nxjerr në dritë njerëzoren dhe solidaritetin ndërmjet njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike, fetare, kulturore, në fakt ndërmjet popujve në botë, sepse ajo që na bashkon të gjithë dhe që është e përbashkët për të gjithë është se të gjithë jemi qenie njerëzore me ndjenja dhe dëshira të njëjta për një jetë të lumtur, në paqe dhe mirëqenie, për fëmijët tonë, për familjarët dhe për gjithë njerëzimin. Shpresoj se numrat që në këtë libër portretizojnë njerëz të vërtetë, rrëfime konkrete me emra dhe mbiemra, do të jenë leksion se nuk bëhet fjalë vetëm për numra të thatë, bëhet fjalë për qenie njerëzore që e kanë përjetuar tmerrin e holokaustit. Le të jetë kjo leksion për të gjithë, le të jetë përkujtues për të gjithë që mos përsëritet kurrë, që jeta e njeriut të jetë mbi të gjitha, edhe pse lajmet e hidhura të përditshme nuk e dëshmojnë këtë.

Të nderuar, Ju përuroj për librin, uroj që të kenë në duar sa më tepër lexues, studiues dhe zyrtarë që marrin vendime shtetërore, që të mendojnë dy herë para se të veprojnë.

Faleminderit për vëmendjen!

 
a

Na ndiqni në: