Udhëheqja parlamentare

E premte, 22 nëntor 2019 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Akademinë solemne me rastin e manifestimit kulturor - shkencor "Ditët e Alfabetit"

I nderuar Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zaev, 
I nderuar ministër për Sistem Politik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Duraku, 
I nderuar kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim , z. Ahmeti
Të nderuar shkëlqesi, 
Përfaqësues të institucioneve vendore,
Zonja dhe zotëri,

Jam i nderuar që në këtë mbrëmje, me këtë Akademi solemne me të cilën në fakt bëhet përmbyllja e aktiviteteve disaditore të Manifestimit kulturor - shkencor "Ditët e Alfabetit", kam kënaqësinë t'ju përshëndes në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emër të kolegëve deputetë dhe të shfrytëzoj rastin që të uroj ditën më të rëndësishme në historinë e zhvillimit politik e kulturor të shqiptarëve, ditën kur kremtojmë 111 vjetorin e Kongresit të Manastirit, tubimi ku u morën vendimet thelbësore që përbëjnë shtyllat që ndihmuan ardhmërinë kulturore dhe politike të popullit shqiptar,  respektivisht, u bë unifikimi i alfabetit shqip që e ngriti në një shkallë më të lartë kulturën dhe arsimin shqiptar, dhe në të cilin kongres u bë edhe konsolidimi i mëtejshëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve duke ezgjedhur qartë orientimin dhe kahun që do e ndjekin në të ardhme. Dhe ky hap, sado që të duket modest për civilizimet e lashta botërore, sërish është kontribut edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të njerëzimit. 

Natyrisht se kjo ngritje intelektuale e shqiptarëve u mbështet në themelet që i vunë intelektualët shqiptarë dhe rilindësit e Shoqatës "Bashkimi" të tubuar në Manastirin e Qiriazëve nga gjithë këndet e botës, vullneti, vizioni dhe zelli i të cilëve rezultoi me produktin më të çmuar për jetën dhe ardhmërinë e ndritur të një populli, respektivisht me alfabetin e njësuar i cili u bë mjet i komunikimit me shkrim ndër gjithë shqiptarët, por edhe gjuhë e standardizuar që është përkthyer dhe vazhdon të përkthehet në të gjitha gjuhët botërore. Me këtë, vazhdohet jetëgjatësia e një populli, gjegjësisht vlera dhe pesha e tij. Sepse,  Një gjuhë është aq e pasur, aq e vlefshme, sa flitet, shkruhet, pasurohet dhe përhapet në botë. Ajo është vegël e fuqishme në ngritjen intelektuale, kulturore, artistike por mbi të gjitha, shenjë identitare e një populli ose siç ka thënë poeti anglez Semjuel Tejllor Kolerixh (Samuel Taylor Coleridge) citoj, “Gjuha është arma e mendjes njerëzore, dhe në të njëjtën kohë përmban trofetë e së kaluarës së saj dhe armët e pushtimeve të saj të ardhshme.”  Dhe, me të vërtetë, gjuha bashkon njerëz, bashkon ide dhe mundëson bashkëpunim dhe natyrisht përparim dhe zhvillim. Dhe me këtë rast, dëshiroj të shpreh falënderimin tim të sinqertë ndaj të gjithë bashkëqytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore të cilët me prezencën e vet këtu, por edhe me gjithë veprimin e tyre institucional, tregojnë qartë se vetëm shoqëritë qytetare me qytetarë që gëzojnë të drejta dhe kanë po ashtu obligime të njëjta, mund të jenë motori i cili e çon përpara shtetin tonë dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që është përcaktuar që moti në ndërtimin e shoqërive me vlera të pranuara universale për të drejtat dhe liritë e njeriut. 

Të nderuar miq,

Kur e kam fjalën te ngritja dhe zhvillimi, mendoj për vlerat e shumta dhe në fakt institucionet që tani më jetojnë moshën madhore por edhe ato që janë në zanafillë, siç është Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, udhëheqësinë e të cilit dëshiroj ta përuroj për punën e palodhshme që e bëjnë dhe për kontributin e çmuar që e japin në drejtim të pasurimit të trashëgimisë kulturore-historike të shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit, duke i ruajtur, kultivuar dhe avancuar vlerat e të kaluarës dhe vlerat që do të krijohen në ardhmëri dhe në drejtim të zgjerimit të horizontit të veprimit dhe llojllojshmërisë së aktiviteteve që i zhvillon ky institut, natyrisht gjithmonë në bashkëpunim edhe me institute, organizata dhe mjedise akademike vendore dhe nga jashtë por mbi të gjitha, puna shkencore dhe akademike e cila zhvillohet me zell. Në po të njëjtin linjë është edhe themelimi, konsolidimi dhe shpresojmë së shpejti edhe rezultatet e para të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që u themelua para një viti. Të nderuar, më lejoni të ndaj me ju ndjenjën e krenarisë që e ndjej për shkak të vendosjes edhe të Çmimit shtetëror “22 Nëntori” për mirënjohje ndaj njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme në vend dhe që sivjet, ky çmim shkon në duart e studiuesit, historianit dhe humanist të nderuar David Hosaflok dhe veteranëve të arsimit, Kimete dhe Adnan Agai.

Zonja dhe zotëri,

Vitin e kaluar kur e kremtonim 110 vjetorin e Ditës së Alfabetit, kur fola për realitetin e ri, e kisha ndërmend kontekstin e ri politik në të cilin gjendeshim si rajon atëherë dhe tani, kur e bëj krahasimin me kontekstin aktual, mund të them se edhe Republika e Maqedonisë së Veriut është pothuajse brenda në NATO, aty ku Republika e Shqipërisë tani më shënon plot dhjetë vite anëtarësi dhe së shpejti do të jemi partnerë edhe në këtë dimension bashkëpunimi, ndërsa sa i takon rrugëtimit tonë të përbashkët në arritjen e aspiratave tona integruese në familjen evropiane, për fat të keq hasin në pengesë e cila edhe pas gjithë angazhimit dhe përkushtimit të sinqertë, përsëri nuk varet nga ne dhe nuk mund të ndikojmë konsiderueshëm në ndryshimin e saj. Por, gjithsesi, vazhdojmë me po të njëjtin ritëm në bërjen e reformave, në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe mbi të gjitha, në krijimin e kushteve të volitshme për të rinjtë tanë, për mundësimin e hapjes së flatrave të tyre dhe nxitjen e prirjeve të tyre krijuese,shkencore por mbi të gjitha, hapjen e horizonteve të pafundme të prodhimit të vlerave të kapshme njerëzore që potenciali, kontributi i tyre për shoqërinë, për shtetin dhe për rajonin të shihet, vlerësohet dhe gëzohet prej të gjithëve. Sepse, siç thashë edhe atëherë, kohërat ndryshojnë, diskursi ndryshon, por me rëndësi është që një gjë të jetë e njëjtë dhe e përbashkët, dhe ky është caku ose synimi ku duam të arrijmë, edhe atë të arrijmë bashkë, si komb, si shtete, si rajon. 

Gëzuar 22 Nëntori! 

Faleminderit për vëmendjen!


Click