Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E martë, 11 shkurt 2020

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në seancën solemne me rastin e Ratifikimit të Traktatit Veriatlantik në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut    

I nderuar President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski
I nderuar Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Oliver Spasovski,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, 
I nderuar z. Atilla Mesterhazi, ushtrues detyre Kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s,
Të nderuar kryetarë të parlamenteve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Bullgarisë, z. Dejan Zhidan dhe z-nja Cveta Karajançeva, 
Të nderuar nënkryetarë dhe përfaqësues të parlamenteve të Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Republikës së Kroacisë, z-nja Vasilika Hysi, z. Genci Nimanbegu dhe z. Mirosllav Tugjman 
Të nderuar ambasadorë, 
Të nderuar deputetë, 
Të nderuar mediume, 
Mysafirë të dashur, 

Më lejoni që në këtë, ditë historike për ne, të shpreh kënaqësinë time që kam nderin si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të udhëheq seancën në të cilën dhoma ligjvënëse do e ratifikojë Marrëveshjen Veriatlantike, thelbin dhe bazën juridike të Aleancës Veriatlantike. 

Rruga jonë drejt NATO-s, parë nëpër prizmin e tre dekadave të kaluara, nuk ishte aspak e lehtë dhe ishte e ndërthurur me shumë momente turbulente. Filloi në vitin 1993, kur Kuvendi i atëhershëm e mori "Vendimin për hyrje në anëtarësi në Organizatën e Traktatit Veritalantik - NATO", me çka, pa mëdyshje dhe në mënyrë të vendosur, deputetët si përfaqësues të popullit, e shprehën vendosmërinë e tyre për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, dhe e trasuan rrugën e shtetit të porsa pavarësuar. Nëpër vitet që vijonin, Kuvendi miratoi katër (4) deklarata për mbështetjen dhe riafrimimin e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, me çka më shumë përbërje parlamentare, nëpërmjet deputetëve të partive të ndryshme politike ose grupeve të pavarura, treguan virtytshmëri, vendosmëri dhe vetëdije të lartë shtetërore për pozicionimin e shtetit në organizata ndërkombëtare të rëndësishme, të përhershme dhe lartë të çmuara siç është Aleanca e NATO-s. 

Të nderuar deputetë, të nderuar mysafirë, 

Republika e Maqedonisë së veriut, bashkë me Republikën e Kroacisë dhe Republikën e Shqipërisë, ishte faktor aktiv dhe partner i barabartë në "Grupin e Adriatikut", i cili vepronte në mënyrë të integruar në nivelin rajonal, me një qëllim të vetëm që të tri shteteve- anëtarësim i plotfuqishëm në NATO. Edhe krahas dështimit tonë që ta arrijmë këtë në Samitin në Bukuresht në vitin 2008, me marrjen e ftesës së kushtëzuar për anëtarësim në Aleancë, edhe pse të dëshpëruar, nuk hezituam të vazhdojmë me realizimin e qëllimit tonë strategjik. Përkundrazi, Kuvendi, Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha institucionet tjera shtetërore, vazhduan në mënyrë shumë të zellshme dhe me shumë entuziazëm, të punojnë në mënyrë të përkushtuar në agjendën reformuese të parashtruar nga NATO. Shembull evident për këtë punë të lodhshme dydekadëshe janë Planet vjetore nacionale dhe aleanca në misionet paqësore të NATO-s anembanë botës, krah për krahë me armatat lartë të trajnuara dhe me teknologji më të zhvilluar të Aleancës, për çka, sot e kësaj dite ushtarët tanë  marrin vlerësimet më të larta për luftimin, gatishmërinë dhe disiplinimin e demonstruar. Me këtë, ne arritëm një situatë win-win - e përgatitëm Armatën dhe shtetin sipas standardeve të NATO-s dhe i përmbushëm kriteret për anëtarësim. Fitimi është i dyfishtë, fitimi do të jetë edhe më shumë se i dyfishtë me vetë efektuimin e anëtarësimit tonë të plotfuqishëm, pas përfundimit të procedurës së përgjithshme të ratifikimit të Protokollit aderues në vendin-anëtar të fundit të NATO-s, Mbretëria e Spanjës. 

Paralelisht me proceset në nivel qeveritar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, vepron në mënyrë aktive dhe të koordinuar më shumë se 20 vite edhe në dimensionin parlamentar në NATO, nëpërmjet delegacioneve tona të asociuara në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si partner aktiv dhe i çmuar në këtë Asamble. Vetë e përmendura e shtatë seminareve Ros-Rot, që i kemi organizuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe bashkëpunimi i përbashkët në shumë aktivitetet tjera me AP të NATO-s, flet mjaftueshëm për iniciativitetin tonë dhe gatishmërinë të përgjigjemi në rolin tonë në këtë asamble ndërkombëtare si partner i respektuar i cili i vlerëson dhe i promovon vlerat e përhershme dhe të përbashkëta të gjithë Aleancës Veriatlantike. 

Më lejoni që në këtë kontekst, të shpreh krenari të veçantë për punën e Kuvendit aktual, për vetëdijen e shfaqur, për kapacitetin shtetëror dhe kujdesin për ardhmërinë e gjeneratave tona, që arriti, duke i tejkaluar të gjitha momentet e ndjeshme, të përforcojë shtyllën e pozicionimit tonë ndërkombëtarë - që mos jemi më para dyerve të NATO-s, por, bashkërisht me partnerët tanë, të gjithë 29 vendet-anëtare, në bazë të barabartë të veprojmë në suazat e Aleancës. Gjithë kjo, kuptohet, nuk do të ishte e kompletuar dhe efektive pa kreun aktual shtetëror - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së veriut dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilëve u shpreh respekt të denjë. 

I përshëndes dhe tregoj respekt të sinqertë edhe ndaj të gjitha përbërjeve të deritanishme parlamentare, të gjitha qeveritë e deritanishme, të gjithë Presidentët e deritanishëm të shtetit, të gjithë që pa rezervë, me përkushtim dhe entuziazëm e përmbushnin pjesën e vet të detyrës, por më së shumë se gjithçka, dua që sinqerisht të shpreh respekt të veçantë ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që në pothuajse tre dekadat e kaluara të pavarësisë sonë, pa hezitim shfaqnin përqindje të lartë të mbështetjes së rrugës së shtetit tonë kah Aleanca e NATO-s. Së shpejti, të gjitha këto përpjekje do të fitojnë valorizimin e vetë dhe me mburrje do të mund të themi - Ne jemi NATO!

 Ngritjes së flamurit të NATO-s para Kuvendit

 We Are NATO

 
a

Na ndiqni në: