Udhëheqja parlamentare

E enjte, 2 gusht 2018  

Fjalimi i kryetarit Xhaferi, me rastin e shënimit të 2 gushtit - Ditës së Republikës  

Të nderuar anëtarë të familjes së Metodija Andonov Çentos,
E nderuar nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, 
Të nderuar ministra në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, 
Të nderuar kolegë nga përbërja aktuale dhe përbërjet e mëparshme e Kuvendit, 
Të nderuar përfaqësues të Lidhjes së Luftëtarëve, 
Të nderuar përfaqësues të pushteti gjyqësor, të pushtetit lokal,
Përfaqësues të Kabinetit të Presidentit të Republikës, 
Shkëlqesi, përfaqësues të korit diplomatik në Republikën e Maqedonisë dhe 
Përfaqësues të bashkësive fetare, 
Përfaqësues të mediumeve,  
Të nderuar qytetarë, 
Zonja dhe zotëri,  

2 gushti ose Ilindeni është një nga datat themelore në historinë e Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj të cilët kanë luftuar dhe e kanë flijuar më të shtrenjtën, rininë e vet, jetën e vet për ta krijuar shtetin tonë të përbashkët, Republikën e Maqedonisë. Pa dallim nëse bëhet fjalë për Ilindenin e 1903-tës, respektivisht Republikën e Krushevës ose po Ilindenin e 1944-tës, gjegjësisht kuvendin e KAÇKJ-së kur janë vendosur themelet e shtetformimit, të gjitha gjeneratat kanë pasur një qëllim të vetëm, shtet të lirë, të pavarur në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut do të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët, pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare ose cilado karakteristikë tjetër. Nëse e shqyrtojmë Manifestin e njohur të Krushevës, nëse i shqyrtojmë dokumentet e KAÇKJ-së, do të bindemi se të drejtat dhe liritë e njeriut dhe karakteri multietnik dhe multikonfesional i shoqërisë kanë qenë postulatet themelore mbi të cilat udhëheqësit e Ilindenit të parë dhe të dytë kanë paramenduar të ndërtohet shteti dhe të zhvillohet shoqëria qytetare. Në luftën për realizimin e këtyre qëllimeve, jetën e vet e kanë flijuar shumë luftëtarë të njohur dhe të panjohur. 

Të nderuar të pranishëm,

Sot jemi këtu, para përmendores së Metodija Andonov Çento, i cili ishte kryetari i parë i KAÇKJ-së ndërsa prej vitit 1945 ishte zgjedhur edhe kryetar i parë i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Duke u angazhuar për liri më të mëdha politike dhe ekonomike të qytetarëve, si edhe për pavarësi më të madhe shtetformuese të Republikës së Maqedonisë, në ato vite të plumbta të sistemit njëpartiak, në proces të montuar është dënuar me vuajtje dënim burgu prej 11 vitesh dhe pas diçka më shumë se nëntë vite të kaluara në burg, lirohet kushtimisht mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, së shpejti pas kësaj vdes në Prilepin e tij të lindjes. Ëndrra dhe angazhimi i Metodija Andonov Çento realizohen më 8 shtator të vitit 1991, kur në referendum, qytetarët u përcaktuan për një Republikë të Maqedonisë të pavarur, sovrane. Që nga vetë fillimi i pavarësisë sonë, anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe NATO është determinuar si qëllim strategjik me rëndësi thelbësore për përparimin e shtetit. 

Të nderuar miq,  

Në këto 27 vite të pavarësisë, kemi kaluar nëpër shumë vështirësi dhe kriza por përsëri, të gjithë së bashku kemi arritur ti tejkalojmë dhe të ecim përpara drejt realizimit të qëllimit tonë strategjik dhe që është më e rëndësishmja, ato vështirësi dhe kriza te qytetarët, pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare, politike apo cilësdo përkatësie tjetër, nuk e cenuan frymën e bashkësisë, të bashkëjetesës dhe tolerancës. Ato janë vlera të cilat janë konfirmuar gjatë historisë sonë të përbashkët dhe të cilat konfirmohen edhe në përditshmërinë, për arsye se ne kemi ditur dhe dimë që së bashku ti ndajmë edhe momentet e bukura, edhe momentet më pak të bukura që i sjell jeta. Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë ne jemi përgjegjës ta ruajmë dhe ta zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Në të njëjtën kohë, të gjithë ne që jetojmë këtu ose po shumica e qytetarëve, ndajmë një përcaktim të përbashkët dhe ky është integrimi i tërësishëm në BE dhe NATO. 

Sot, me kënaqësi mund të konstatoj se i gjithë mundi i dhënë deri më tani dhe përkushtimi i tërësishëm i të gjithë aktorëve politik në shtet i jep rezultatet e veta pozitive. Gjegjësisht, tani më është pranuar ftesa për anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe kemi datë konkrete për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Nuk do të ishte korrekt në qoftë se nuk përmend se gjatë këtij rrugëtimi tonë, na kanë ndihmuar shumë miqtë tanë dhe partnerët strategjik nga bashkësia ndërkombëtare dhe për këtë jemi me të vërtetë mirënjohës. Tani, Republika e Maqedonisë a unë kisha thënë para së gjithash të gjithë ne si qytetarë, jemi para një vendimi të madh dhe mundet vendimtar. A do të vazhdojmë përpara kah integrimi euroatlantik i vendit ose po do të ngecim në rrugën e verbër ballkanike e cila nuk çon askund, është zgjedhja jonë. Qeveria aktuale dhe shumica parlamentare treguan se janë të gatshëm ta mbajnë përgjegjësinë për ardhmërinë e shtetit dhe të qytetarëve. Së këndejmi, apelojmë që edhe opozita ta ndërmarrë pjesën e përgjegjësisë që i takon për ardhmërinë e shtetit dhe qytetarëve. Prandaj, sot, kur i shënojmë të dy Ilindenët dhe kur shprehim respekt dhe mirënjohje pamasë ndaj të gjithë ilindenasit, kisha dashur që nga ky vend të apeloj te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, te të gjithë liderët e partive politike dhe te të gjithë kolegët e mi deputetë nga shumica dhe opozita, të jenë me të vërtetë për përgjegjshëm dhe vizionarë dhe me fuqinë e votës së vet ta mbështesin përmbushjen e Marrëveshjes me të cilën do të përmbushet qëllimi strategjik, anëtarësimi në BE dhe NATO, a me këtë do të mundësohet edhe realizimi i ëndrrave dhe angazhimeve të gjeneratave paraprake për shtet të lirë, të pavarur në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është me rëndësi thelbësore. Ky është borxhi ynë ndaj të gjithë atyre që luftuan për një Republikë të atillë të Maqedonisë, është obligimi ynë ndaj fëmijëve tanë, ndaj nipërve dhe mbesave, ndaj gjeneratave të ardhshme të cilat meritojnë të jetojnë, të rriten, të arsimohen dhe të krijojnë në Maqedoninë evropiane, shtet bashkëkohor dhe përparimtar i qytetarëve evropianë. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click