PËR KUVENDIN


LIGJ PËR KUVENDIN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

I. DISPOZITAT THEMELORE

                                                                                                Neni 1

(1) Me këtë ligj rregullohen çështje të veçanta për funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi).
(2) Çështjet lidhur me organizimin dhe funksionimin e Kuvendit dhe të trupave punues, procedurat kuvendore, si dhe çështje të tjera të cilat nuk janë rregulluar me këtë ligj, rregullohen me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë  (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja).

                                                                                                 Neni 2

(1) Kuvendi është organ përfaqësues i qytetarëve dhe bartës i pushtetit ligjvënës të Republikës.
(2) Deputetët në Kuvend zgjidhen për një periudhë prej katër vjetësh, në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë.
(3) Deputeti i përfaqëson qytetarët dhe në Kuvend vendos sipas bindjes së vet.

                                                                                                Neni 3

(1) Kompetencat e Kuvendit realizohen në mënyrë dhe me procedurë të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, Rregulloren dhe ligjin.
(2) Të drejtat dhe obligimet e deputetëve rregullohen me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, Ligjin për deputetët, Rregulloren dhe me ligje të tjera.

                                                                                               Neni 4

(1) Selia e Kuvendit është në Shkup.
(2) Kuvendi ka vulë.
(3) Vula e Kuvendit ka formë të rrumbullakët. Në mesin e vulës është stema e Republikës së Maqedonisë, ndërsa rreth saj është mbishkrimi: “Republika e Maqedonisë-Kuvendi i Republikës së Maqedonisë - Shkup”.

II. FILLIMI DHE PUSHIMI I MANDATIT DHE PAPËRPUTHSHMËRIA E FUNKSIONIT DEPUTET ME USHTRIMIN E FUNKSIONEVE OSE TË PROFESIONEVE TË TJERA PUBLIKE

                                                                                             Neni 5

(1) Mandatin e deputetëve e verifikon Kuvendi.
(2) Mandati i deputetëve zgjat nga dita e verifikimit të tij deri në ditën e verifikimit të mandatit të deputetëve të sapozgjedhur, por jo më shumë se katër vjet.
(3) Nëse Kuvendi nuk e verifikon mandatin e deputetit, konsiderohet se ai nuk është zgjedhur deputet.
(4) Me verifikimin e mandatit, deputeti i fiton të drejtat dhe obligimet e verifikuara me Kushtetutë, ligj, Rregullore dhe me dispozitat dhe akte të tjera të përgjithshme.
(5) Mënyra, procedura për verifikim, si dhe shkaqet për të cilat Kuvendi mund të mos e verifikojë mandatin e deputetit, rregullohen me Rregullore.

                                                                                        Neni 6

(1) Deputetit i pushon mandati para përfundimit të kohës për të cilën është zgjedhur, nëse:
1) jep dorëheqje;
2) është dënuar për vepër penale për të cilën është përcaktuar dënim me burg në kohëzgjatje së paku pesë vjet;
3) ndodh rasti i papërputhshmërisë me funksionin e deputetit;
4) i pushon shtetësia e Republikës së Maqedonisë;
5) me aktvendim të plotfuqishëm privohet nga aftësia për punë, dhe
6) në rast të vdekjes.

(2) Nëse deputeti jep dorëheqje, Kuvendi në seancën e parë të ardhshme, konstaton se deputetit i ka pushuar mandati nga dita e mbajtjes së kësaj SEANCE.
(3) Deputetit i pushon mandati me ditën e ndodhjes së rasteve nga paragrafi (1) pikat 2, 3, 4, 5 dhe 6 të këtij neni, ndërsa Kuvendi këtë e konstaton në seancën e parë të ardhshme.
(4) Deputetit i pushon mandati kur Kuvendi ia heq mandatin në pajtim me Kushtetutën.
(5) Deputetit i pushon mandati në rastet nga paragrafi (4) të këtij neni në ditën e mbajtjes së seancës së Kuvendit, në të cilën është marrë vendimi për heqjen e mandatit.

                                                                                   Neni 7

(1) Funksioni deputet në Kuvend ushtrohet në mënyrë profesionale.
(2) Funksioni deputet nuk përputhet me ushtrimin e funksioneve ose profesioneve të tjera publike, të përcaktuara me ligj.

III. ORGANIZIMI, KUSHTET E PUNËS DHE TË DHËNAT PËR GJENDJEN PRONËSORE TË DEPUTETËVE

1. Kushtet e punës së deputetëve

                                                                                       Neni 8

Deputeti përveç punës së rregullt gjatë kohës së mbajtjes së seancave të Kuvendit dhe trupave të tij punues, realizon edhe:

- kontakte me qytetarët,
- kontakte dhe konsultime me organizata joqeveritare,
- kontakte, bashkëpunim dhe konsultime me Sindikatën dhe me shoqatat e qytetarëve,
- bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, dhe
- aktivitete të tjera nga kompetenca e Kuvendit.

                                                                                      Neni 9

(1) Deputetit në ushtrimin e funksionit deputet, Shërbimi i Kuvendit i siguron shërbime profesionale, administrative, teknike dhe shërbime të tjera.

(2) Secili grup deputetësh në Kuvend varësisht nga numri i deputetëve dhe numri i caktuar i deputetëve të pavarur, ka të drejtë të angazhojë bashkëpunëtorë të jashtëm.

(3) Numrin e bashkëpunëtorëve të jashtëm, sipas parimit çdo pesë deputeve u takon një bashkëpunëtor i jashtëm, si dhe mjetet për angazhimin e tyre, i përcakton Këshilli Buxhetor i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

(4) Personat nga paragrafi (2) i këtij neni angazhohen për kohëzgjatjen e mandatit të deputetëve në bazë të marrëveshjes që e lidh Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit.

(5) Mjetet për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm nga paragrafi (3) i këtij neni, sigurohen nga mjetet e Kuvendit në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë.
Neni 10

 Deputetit gjatë ushtrimit të funksionit deputet, i mundësohet shfrytëzimi i materialeve informative dhe të dokumentacionit, si dhe lidhje komunikative me Kuvendin.

                                                                                 Neni 11

(1) Organet e vetadministrimit lokal u sigurojnë ndihmë të barabartë deputetëve në ushtrimin e funksionit të tyre.
(2) Organet nga paragrafi (1) i këtij neni i sigurojnë deputetit hapësirë dhe kushte pune për kontakt me qytetarët nga njësia e tij zgjedhore.

2. Organizimi i deputetëve në grupe të deputetëve

                                                                                Neni 12

(1) Deputetët në Kuvend mund të organizohen në grupe të deputetëve.

(2) Grupin e deputetëve e përbëjnë së paku pesë deputetë të cilët i takojnë një partie politike ose më tepër partive politike.

(3) Deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një grupi të deputetëve.

(4) Grupi i deputetëve cakton koordinator të grupit të deputetëve dhe deri në dy zëvendës.

(5) Grupi i deputetëve i dorëzon Kryetarit të Kuvendit listë të nënshkruar prej çdo anëtari të grupit, prej koordinatorit dhe prej zëvendësit të tij.

(6) Grupi i deputetëve ka të drejtë të shfrytëzojë hapësirë të veçantë, sipas numrit të deputetëve.

(7) Grupi i deputetëve ka të drejtë për ndihmë profesionale nga Shërbimi profesional i Kuvendit dhe nga njësitë e veçanta organizative për mbështetjen e deputetëve.

 (8) Grupi i deputetëve ka të drejtë edhe për ndihmë të drejtpërdrejtë profesionale në pajtim me numrin e deputetëve gjatë kohëzgjatjes së mandatit, në pajtim me parimin nga neni 9, paragrafi (3) i këtij ligji.

(9) Për organizimin e grupit të deputetëve, si dhe për ndryshimin e përbërjes së grupit të deputetëve, të koordinatorit dhe zëvendësit të tij, njoftohet Kryetari i Kuvendit, i cili për këtë i njofton deputetët.

                                                                                Neni 13

 Deputetët kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë hapësirat e Kuvendit, të cilat u janë dhënë në dispozicion për punë dhe mbledhje, në pajtim me aktin për rendin e brendshëm të Kuvendit.

                                                                                Neni 14

(1) Deputetët mund të organizohen në Klubin e Deputetëve.

(2) Organizimi, detyrat dhe mënyra e punës së Klubit të Deputetëve rregullohen me rregullat e Klubit.

3. Të dhënat për gjendjen pronësore të deputetëve

                                                                               Neni 15

(1) Deputeti është i detyruar që më së voni në afat prej 30 ditësh nga verifikimi i mandatit të plotësojë fletanketë, me regjistrim të hollësishëm të pasurisë së patundshme, të mjeteve të tundshme me vlerë më të madhe, të letrave me vlerë dhe të kërkesave dhe borxheve, si dhe të pronës tjetër që është në pronësinë e tij, ose në pronësi të anëtarëve të familjes së tij, me theksimin e bazës së fitimit të pronës së deklaruar dhe deponon deklaratë të vërtetuar nga noteri për heqje dorë nga mbrojtja e fshehtësisë bankare në lidhje me të gjitha llogaritë në bankat e vendit dhe të huaja.

 (2) Deputeti është i detyruar të plotësojë fletanketë në afat prej 30 ditësh pas pushimit të mandatit.

(3) Nëse deputeti në afat prej 30 ditësh pas pushimit të mandatit është zgjedhur ose emëruar në funksion të njëjtë ose tjetër, është i detyruar që ta njoftojë Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit për zgjedhjen ose emërimin e ri, ndërsa fletanketa nga paragrafi (2) i këtij neni do të konsiderohet si fletanketë e dorëzuar në afatin nga paragrafi (1) i këtij neni.

(4) Fletanketat nga paragrafët (1) dhe (2) të këtij neni dhe deklaratën nga paragrafi (1) i këtij neni, deputeti ia dorëzon Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe Drejtorisë së të Hyrave Publike.

                                                                              Neni 16

Të dhënat e fletanketave të deputetëve paraqesin informata me karakter publik, përveç të dhënave të mbrojtura me ligj dhe publikohen në pajtim me ligjin.

IV. KRYETARI DHE NËNKRYETARËT E KUVENDIT

                                                                                         Neni 17

(1) Kuvendi nga radhët e deputetëve zgjedh Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
(2) Numrin e nënkryetarëve e cakton Kuvendi me propozimin e kryetarit të Kuvendit. Nënkryetarët zgjidhen nga radhët e deputetëve të cilët u takojnë partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend.
(3) Një nga nënkryetarët zgjidhet nga radhët e deputetëve të cilët i takojnë partisë politike të përfaqësuara në Kuvend, e cila është parti më e madhe opozitare.
(4) Procedura për zgjedhjen kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit është e rregulluar me Rregullore.

                                                                                         Neni 18

Kryetari i Kuvendit e përfaqëson Kuvendin, kujdeset për zbatimin e Rregullores dhe kryen punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë, Rregullore dhe ligj.

                                                                                         Neni 19

Nënkryetarët e Kuvendit i ndihmojnë kryetarit të Kuvendit në punë, e zëvendësojnë në rast pengese ose mungese dhe kryejnë punë të tjera nga fushëveprimi i tij.

V. MBIKËQYRJA PARLAMENTARE

Debatet mbikëqyrëse

                                                                                          Neni 20

(1) Debati mbikëqyrës mbahet me qëllim që të merren informata dhe mendime profesionale për çështjet nga fushëveprimi i trupit punues në lidhje me përcaktimin dhe zbatimin e politikës, zbatimin e ligjeve dhe të aktiviteteve të tjera të Qeverisë dhe të organeve të administratës shtetërore.
(2) Debatin mbikëqyrës e zbaton trupi punues amë i Kuvendit i cili në mbledhje mund të ftojë përfaqësues të autorizuar të Qeverisë ose të organeve të administratës shtetërore dhe të kërkojë prej tyre informata dhe sqarime të cilat janë objekt i debatit mbikëqyrës.
(3) Në debatin mbikëqyrës mund të ftohen edhe persona të tjerë të cilët mund të japin informata për çështjet të cilat janë objekt i debatit mbikëqyrës.
(4) Përfaqësuesit e autorizuar të ftuar janë të obliguar të marrin pjesë në mbledhje në të cilën do të do të mbahet debati mbikëqyrës.
(5) Për mbajtjen e debatit mbikëqyrës, kryetari i trupit punues e njofton Kryetarin e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit për mbajtjen e debatit mbikëqyrës e njofton me shkrim Qeverinë. Me njoftimin Kryetari i Kuvendit do të kërkojë që Qeveria të caktojë një ose disa përfaqësues të autorizuar për çështjet të cilat janë objekt i debatit mbikëqyrës.
(6) Kryetari i trupit punues amë përfaqësuesin e autorizuar të Qeverisë ose të organeve të administratës shtetërore i fton me shkrim në mbledhjen e trupit punues në të cilën do të mbahet debati mbikëqyrës dhe e njofton për çështjen e cila është temë e debatit dhe mund të kërkojë nga ai që informatat, mendimet dhe qëndrimet t’i paraqesë edhe në formë të shkruar më së voni tri ditë para mbajtjes së mbledhjes së trupit.
(7) Mjetet për mbajtjen e debateve mbikëqyrëse sigurohen nga mjetet e Kuvendit të parapara në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë.
(8) Për mbajtjen e debatit mbikëqyrës opinioni informohet nëpërmjet ueb-faqes së Kuvendit dhe Kanalit të Kuvendit.

                                                                                           Neni 21

(1) Iniciativë për mbajtjen e debatit mbikëqyrës mund të ngrejë një anëtar i trupit punues amë.
(2) Për mbajtjen e debatit mbikëqyrës trupi punues vendos me shumicë votash nga numri i pranishëm i anëtarëve, ndërsa së paku me një të tretën e numrit të përgjithshëm të anëtarëve.
(3) Nëse 15  deputetë në formë të shkruar kërkojnë mbajtjen e debatit mbikëqyrës, nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit kryetarit të trupit punues, atëherë kryetari i trupit punues është i obliguar që menjëherë të thërrasë mbajtjen e tij.
 (4) Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve, kryetarit dhe anëtarëve të trupit punues mund t’i japë rekomandim për mbajtjen e debateve mbikëqyrëse të caktuara.

                                                                                            Neni 22

 (1) Gjatë debatit mbikëqyrës, anëtarët e trupit punues amë dhe deputetët të cilët nuk janë anëtarë të trupit punues amë mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të autorizuar të Qeverisë ose të organeve të administratës shtetërore të ftuar në debat, vetëm në lidhje me çështjen e cila është objekt i debatit.
(2) Gjatë debatit mbikëqyrës, me personat e ftuar të cilët i sigurojnë informatat mund të mbahet diskutim vetëm nëse është e domosdoshme që të harmonizohen ose qartësohen çështje dhe fakte konkrete.
(3) Trupi punues amë vendos për kohëzgjatjen e debatit me ç’rast sigurohet pjesëmarrja e çdo anëtari të trupit punues amë në debat.

                                                                                           Neni 23

(1) Debati mbikëqyrës, sipas rregullit, incizohet në mënyrë fonografike dhe për të njëjtin mbahet procesverbal, ndërsa përmirësime teknike dhe të tjera mund të bëhen në marrëveshje dhe në pajtim me personin, deklarata e të cilit është në pyetje.
(2) Trupi punues i paraqet Kuvendit raport për debatin e mbajtur mbikëqyrës në të cilin është përfshirë esenca e diskutimeve, ndërsa mund të propozojë edhe konkluzione të cilat i dorëzohen edhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
(3) Konkluzionet nga debati publik publikohen në ueb-faqen e Kuvendit.

VI. KOORDINIMI I PUNËS SË KUVENDIT

                                                                                             Neni 24

(1) Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve çdo të hënë mban takim të rregullt koordinues.

(2) Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve, sipas nevojës mund të mbajnë takime koordinuese ad hok.

(3) Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve bën harmonizimin e orarit të punës së trupave punues në Kuvend.

(4) Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve bën projektim vjetor për mbajtjen e debateve mbikëqyrëse në lidhje me numrin e tyre, dinamikën e mbajtjes dhe aspekte të tjera në pajtim me mjetet dhe kushtet me të cilat i ka në dispozicion Kuvendi në vitin rrjedhës.

(5) Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve bën konsultime për propozim-ligje të caktuara.

(6) Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve harmonizon qëndrime dhe drejtime për punën e njësisë së veçantë organizative (instituti parlamentar).

(7) Kryetari i Kuvendit miraton Rregullore për punën e takimeve koordinuese me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve.

VII. DISPONIMI ME MJETET

                                                                                         Neni 25

(1) Kuvendi disponon dhe furnizohet me sende të tundshme dhe të patundshme të cilat i janë të domosdoshme për realizimin e kompetencave të veta.

 (2) Mënyra e disponimit dhe furnizimit të sendeve të patundshme dhe të tundshme dhe e evidentimit dhe regjistrimit të pronës dhe e çështjeve të tjera rregullohen me akt të Këshillit buxhetor të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

 (3) Marrëveshjen për shitjen, këmbimin, dhënien me qira ose në shfrytëzim të sendeve të tundshme dhe të patundshme dhe marrëveshjen për furnizimin me sende të patundshme e lidh Sekretari i përgjithshëm, në pajtim me Kryetarin e Kuvendit, e me mendimin e marrë paraprak nga Këshilli buxhetor i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

 (4) Kryeri i Kuvendit dhe Sekretari i përgjithshëm janë përgjegjës për shfrytëzimin ligjor të sendeve nga paragrafi (1) i këtij neni.

 (5) Deputetët, personat e emëruar dhe të zgjedhur, si dhe të punësuarit në Shërbimin e Kuvendit, gjatë ushtrimit të funksionit të vet, përkatësisht detyrave të punës, janë përgjegjës për shfrytëzimin e ndërgjegjshëm dhe me dedikim të sendeve.

VIII. BUXHETI I KUVENDIT

                                                                                        Neni 26

(1) Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë formohet Këshilli buxhetor i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (në tekstin e mëtejmë: Këshilli buxhetor).
(2) Këshilli buxhetor ka kryetar, zëvendëskryetar dhe nëntë anëtarë nga radhët e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, varësisht nga numri i grupeve të deputetëve dhe nga numri i deputetëve në grupet e deputetëve.
(3) Kryetar i Këshillit është njëri nga nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa zëvendëskryetar është kryetari i Komisionit për financim dhe buxhet.
(4) Përbërjen e Këshillit buxhetor e përcakton Kuvendi me vendim.

                                                                                       Neni 27

(1) Këshilli buxhetor i ka kompetencat në vijim:
- përcakton prioritete strategjike të Kuvendit për vitin e ardhshëm dhe përfshirjen e tyre në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë me propozimin e programeve dhe nënprogrameve të veçanta,
- jep udhëzime dhe drejtime për përgatitjen e propozimit të kërkesave buxhetore dhe nevojave për punën e Kuvendit,
- i propozon Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave shumën maksimale të mjeteve për Kuvendin për tre vitet e ardhshme fiskale,
-e përcjell zbatimin e shpenzimeve në Buxhetin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe propozon shpërndarjen e mjeteve në kuadër të mjeteve të miratuara me Buxhetin e Republikës së Maqedonisë,
-miraton rregullore për punën e vet, dhe
-kryen punë të tjera të përcaktuara me ligj.
(2) Këshilli buxhetor krahas kompetencave të verifikuara në paragrafin (1) të këtij neni përcakton edhe prioritete strategjike të Kuvendit  së paku për tre vitet e ardhshme.

                                                                                       Neni 28

(1) Këshilli buxhetor në procedurën për përgatitjen e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë, bën konsultime dhe harmonizime të përhershme me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, në lidhje me projektimin financiar të mjeteve të nevojshme të Kuvendit dhe kujdeset për nevojat financiare të Kuvendit.
(2) Në mbledhjet e Këshillit buxhetor, në të cilat përcatohet projekti financiar i mjeteve të nevojshme të Kuvendit detyrimisht merr pjesë ministri i Financave.

                                                                                       Neni 29

(1) Këshilli buxhetor punon në mbledhje, të cilat i thërret dhe me to kryeson kryetari i Këshillit buxhetor.
(2) Në rast të pengimit të kryetarit të Këshillit buxhetor mbledhjet e Këshillit buxhetor i thërret zëvendëskryetari.
(3) Në mbledhjet e Këshillit buxhetor, pa të drejtë vendosjeje, marrin pjesë Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit dhe udhëheqësi i Sektorit për punë financiare-materiale të Shërbimit të Kuvendit, ose person nga Sektori të cilin e cakton ai.

                                                                                       Neni 30

Këshilli buxhetor merr qëndrime me shumicë votash nga anëtarët e pranishëm, e së paku me një të tretat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve.

                                                                                       Neni 31

Punët profesionale-administrative për Këshillin buxhetor i kryen Shërbimi i Kuvendit.

IX. KANALI I KUVENDIT

                                                                                        Neni 32

(1) Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka përgjegjësi programore për emetimin e servisit programor të dedikuar për emetimin e aktiviteteve të Kuvendit.

(2) Kanali i Kuvendit i informon dhe i mëson qytetarët për jetën politike, nëpërmjet programeve parlamentare, arsimore dhe qytetare.

(3) Kanali i Kuvendit emeton programe me interes për kohezionin social, jetën ndëretnike, dallimet kulturore dhe luftën kundër të gjitha llojeve të diskriminimit dhe ofron programe të cilat e shprehin llojllojshmërinë e shoqërisë maqedonase.

(4) Kanali i Kuvendit kujdeset për sigurimin e barazisë politike dhe të përfaqësimit adekuat gjuhësor në programet e emetuara.

(5) Kuvendi siguron kushte për transmetimin e TV sinjalit digjital te shrytëzuesit e fundit (shikuesit).

                                                                                         Neni 33

(1) Kuvendi themelon Këshill të Kanalit të Kuvendit të cilin e përbëjnë 11 anëtarë prej të cilëve gjashtë deputetë nga shumica parlamentare dhe katër deputetë nga opozita parlamentare.

(2) Me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e opozitës  është kryetar i Këshillit të Kanalit të Kuvendit.

(3) Anëtarët e Këshillit të Kanalit të Kuvendit kanë zëvendësit e tyre, të propozuar dhe të zgjedhur me kriterin e njëjtë si edhe anëtarët.

(4) Në punën e Këshillit të Kanalit të Kuvendit marrin pjesë edhe përfaqësues të NP Radiotelevizioni i Maqedonisë, kurse sipas nevojës edhe anëtarë të jashtëm-ekspertë nga kjo sferë, pa të drejtë vote.

(5) Këshilli i Kanalit të Kuvendit takohet së paku në tre muaj.

                                                                                         Neni 34

Anëtarët e Këshillit të Kanalit të Kuvendit i zgjedh Kuvendi.

                                                                                         Neni 35

(1) Këshilli i Kanalit të Kuvendit shqyrton çështje të funksionimit të Kanalit të Kuvendit, veçanërisht:

- i shqyrton dhe miraton realizimin e programit, punën  financiare dhe investuese në vitin rrjedhës,

- miraton plan programor, financiar dhe investues të Kanalit të Kuvendit për vitin e ardhshëm, dhe

- siguron emetimin e aktiviteteve të Kuvendit nëpërmjet  servisit  programor-Kanali i Kuvendit.

(2) Shpenzimet për themelimin e servisit programor të dedikuar për emetimin e aktiviteteve të Kuvendit sigurohen nga Kuvendi.

X. KONTAKTET E DEPUTETËVE ME QYTETARËT NË NJËSITË ZGJEDHORE

                                                                                       Neni 36

(1) Kuvendi në bashkëpunim me njësitë e vetadministrimit lokal siguron kushte adekuate për realizimin e kontakteve të deputetit me qytetarët në njësinë e tij zgjedhore.

(2) Çdo ditë e fundit e javës së punës (e premte) caktohet si ditë për kontakte të deputetëve me qytetarët dhe zgjedhësit në njësitë zgjedhore.

(3) Kuvendi në ditën e caktuar në paragrafin (2) të këtij neni sipas rregullës nuk mban seanca plenare, seanca të trupave punues dhe aktivitete të grupeve të deputetëve për bashkëpunim me parlamentet e shteteve të tjera, përveç në situata urgjente dhe të paanulueshme.

(4) Mjetet për realizimin e kontakteve të deputetëve me qytetarët nga paragrafi (1) i këtij neni sigurohen nga mjetet e Buxhetit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për çka miraton akt Këshilli buxhetor i Kuvendit.

XI. NËNSHKRIMI DHE SHPALLJA E AKTEVE

                                                                                           Neni 37 

(1) Teksti i ligjit nuk nënshkruhet.
(2) Dispozitat dhe aktet tjera të përgjithshme që i miraton Kuvendi, i nënshkruan Kryetari i Kuvendit.
(3) Aktet që në mënyrë të pavarur i miratojnë trupat punues i nënshkruan kryetari i trupit që e ka miratuar aktin.

                                                                                           Neni 38

(1) Kryetari i Kuvendit, ditën e njëjtë pas miratimit, ligjin ia dorëzon Presidentit të Republikës për shkak të nënshkrimit të dekretit për shpalljen e ligjit.
(2) Në afat prej shtatë ditësh nga dita kur do t’i dorëzohet ligji për shkak të nënshkrimit të dekret-ligjit, Presidenti i Republikës e nënshkruan dekretin për shpalljen e ligjit ose me shkrim e informon kryetarin e Kuvendit në qoftë se vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit.
(3) Nëse Presidenti i Republikës vendos që të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi përsëri e shqyrton ligjin në pajtim me Rregulloren, në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit.
(4) Pas rishqyrtimit të ligjit, amendamente mund të parashtrohen vetëm në lidhje me vërejtjet e Presidentit të Republikës.

                                                                                           Neni 39

Ligjet, dispozitat tjera dhe aktet e përgjithshme para se të hyjnë në fuqi shpallen në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

XII. SHËRBIMI I KUVENDIT

                                                                                         Neni 40

(1) Punët profesionale dhe punët e tjera për nevojat e Kuvendit, trupave punues dhe deputetëve i kryen Shërbimi i Kuvendit.
(2) Organizimi, detyrat dhe puna e Shërbimit përcaktohet në pajtim me ligjin.

                                                                                         Neni 41

(1) Me Shërbimin udhëheq Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, të cilin e emëron Kuvendi.
(2) Kuvendi emëron një ose më shumë zëvendës-sekretarë të përgjithshëm të Kuvendit.
(3) Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit gjatë punësimit në Shërbimin profesional të Kuvendit siguron zbatimin e parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në të gjitha nivelet dhe respektimin e kriterit të profesionalizmit dhe kompetencës.

                                                                                         Neni 42

(1) Për përforcimin e kapacitetit të vet ligjvënës dhe mbikëqyrës analitik-hulumtues Kuvendi themelon njësi të veçantë organizative (institut parlamentar).
(2) Puna e njësisë së veçantë organizative nga paragrafi (1) i këtij neni rregullohet me akt të veçantë të cilin e miraton Sekretari i përgjithshëm, në bazë të qëndrimeve dhe udhëzimeve të harmonizuara nga koordinimi i Kryetarit të Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve, në afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
 (3) Njësia e veçantë organizative (instituti parlamentar) paraqet qendër hulumtuese e cila u siguron deputetëve hulumtime dhe analiza profesionale në kohë, objektive dhe të pavarura për ushtrimin e funksionit deputet.
 (4) Gjatë angazhimit të personave në institutin parlamentar, duhet të mbahet llogari për zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në të gjitha nivelet në bazë të respektimit të kriterit për profesionalizëm dhe kompetencë.
 (5) Deputetët që flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, materialet që i përgatit instituti parlamentar, i marrin edhe në gjuhën dhe në alfabetin e tyre. Me kërkesën e deputetit, materialet përkthehen edhe në gjuhë të tjera botërore.
 (6) Instituti parlamentar bashkëpunon me organet e administratës shtetërore dhe me institucionet në funksion të grumbullimit me kohë të materialeve dhe informatave, të cilat nuk janë me karakter sekret.
 (7) Menaxhim dhe mbikëqyrje mbi punën e institutit parlamentar bën Këshilli drejtues i përbërë nga koordinatorët e grupeve të deputetëve, Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit dhe përfaqësuestë caktuar nga koordinimi i Kryetarit të Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve.
 (8) Njësia organizative e veçantë (instituti parlamentar) për punën e vet i paraqet raport vjetor Këshillit drejtues dhe Kryetarit të Kuvendit.
(9) Kuvendi siguron kushte për zbatimin e e-parlamentit në punën e vet.
(10) Kuvendi siguron kushte për punë të bibliotekës parlamentare.

XIII. MBAJTJA E RENDIT NË KUVEND

                                                                                          Neni 43

(1) Mbajtjen e rendit në ndërtesën e Kuvendit dhe hapësirat në të cilat punon Kuvendi e siguron shërbimi i veçantë. Personat e shërbimit të veçantë për mbajtjen e rendit në ndërtesën e Kuvendit në vend të theksuar të veshjes mbajnë shenja të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
(2) Personat e autorizuar zyrtarë të organeve të administratës shtetërore, pa lejen e Kryetarit të Kuvendit nuk mund të kenë qasje në hapësirat nga paragrafi (1) i këtij neni, e as të ndërmarrin masa ndaj deputetëve, punëtorëve të Shërbimit  dhe ndaj qytetarëve të tjerë.
(3) Mbajtja e armëve në ndërtesën e Kuvendit nuk lejohet, përveç për personat e autorizuar për mbajtjen e rendit në ndërtesën e Kuvendit.
(4) Për përgjegjësinë për prishjen e rendit në Kuvend nga ana e deputetëve  dhe personave të jashtëm të cilët marrin pjesë në punën e Kuvendit, vendos dhe miraton masa Kryetari i Kuvendit në konsultim paraprak me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve.
(5) Për përgjegjësinë për prishjen e rendit në Kuvend nga ana e të punësuarve në shërbimin profesional dhe personat e jashtëm të ftuar nga ta, zbaton dhe shqipton masa adekuate Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit në pajtim me ligjin. 

XIV. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

                                                                                                Neni 44

(1) Aktet e verifikuara me këtë ligj do të miratohen në afat prej gjashtë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
(2) Deri në miratimin e akteve nga paragrafi (1) i këtij neni zbatohen aktet ekzistuese, në qoftë se nuk janë në kundërshtim me këtë ligj.

                                                                                                 Neni 45

(1) Me ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohet dispozita e nenit 18 të Ligjit për deputetë (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 84/2005 dhe 161/2008).
(2) Me ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Vendimi për themelimin e Këshillit buxhetor të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 77/2008).
(3) Me ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Vendimi për themelimin e Këshillit të Kanalit të Kuvendit (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 17/2006, 107/2006 dhe 80/2008), përveç dispozitës së nenit 2 paragrafi (1) e cila do të zbatohet deri në përbërjen e ardhshme parlamentare.

                                                                                                Neni 46

(1) Dispozita e nenit 9 të këtij ligji do të fillojë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2010.
(2) Paragrafët (1) dhe (2) të nenit 33 të këtij ligji do të fillojnë të zbatohen nga përbërja e ardhshme parlamentare.
(3) Këshilli buxhetor i Kuvendit në afat prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji do t’i verifikojë sendet e tundshme dhe të patundshme me të cilat do të disponojë Kuvendi.

                                                                                                Neni 47

Ky ligj hyn në fuqi ditën e tetë nga dita e shpalljes në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

 

 
Ligj për Kuvendin e RM