JOVAN MITRESKI


Jovan Mitreski ka lindur më 20 nëntor 1980 në Strugë, Republika e Maqedonisë së Veriut. Arsimin fillor e kreu në Strugë, në vitin 1995 në SHF "Vëllezërit Milladinovci". Arsimin e vazhdoi në shkollën e mesme SHMSH “Shën Klimenti i Ohrit” në Ohër, ku diplomoi në vitin 1999. Në vitin 1999 regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit”, ku diplomoi në vitin 2004 në degën ekonomi, statistikë dhe kibernetikë.

Menjëherë pas diplomimit, Mitreski vendosi të fillojë dhe zhvillojë karrierën e tij profesionale në vendlindjen e tij në Strugë, ku fillimisht filloi punën si kontabilist dhe kontabilist i autorizuar, e më pas në vitin 2006 themeloi dhe u bë menaxher i Shoqërisë Tregtare në fushën e kontabilitetit dhe punëve të revizorit, si dhe në fushën e këshillimit tatimor.

Zhvillimin e shkencave ekonomike, si dhe proceset ekonomike si bazë për zhvillimin dhe avancimin e shtetit, i ndjek me vëmendje edhe pas diplomimit, prandaj në vitin 2007 e pranoi sfidën e punës me të rinjtë dhe u bë profesor i lëndëve profesionale ekonomike në SHMK "Niko Nestor", në Strugë. Si profesor jep kontribut të rëndësishëm në arsimin dhe edukimin e brezave të ardhshëm, të cilët janë shtylla e përparimit të një vendi.

Dëshira për të bërë shumë më tepër për zhvillimin e Strugës, por edhe për përparimin ekonomik dhe demokratik të vendit, e motivoi atë të fillojë të angazhohet politikisht në mënyrë profesionale në vitin 2014, kur për herë të parë u zgjodh deputet në Kuvend nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.

Mitreski gjatë këtij mandati ishte kryetar i Komisionit parlamentar për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa si zëvendësanëtar në mënyrë aktive merr pjesë në punën e Komisionit për Financim dhe Buxhet, Komisionit për Mbikëqyrje të Punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim, si dhe Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Sport.

Në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare të Kuvendit, në fushën e zhvillimit të marrëdhënieve të mira bilaterale, Mitreski është anëtar dhe aktiv në grupet parlamentare të Kuvendit për bashkëpunim me parlamentet e Republikës së Shqipërisë, Ukrainës dhe Kinës.

Në vitin 2016, Mitreski u zgjodh sërish deputet në Kuvend. Në këtë përbërje parlamentare, ai u emërua zëvendëskoordinator i Grupit Parlamentar të LSDM-së dhe Koalicionit, ndërsa në fillim të vitit 2019 u bë edhe koordinator. Në këtë periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin demokratik të vendit, Mitreski dha kontribut të rëndësishëm në avancimin e vendit tonë, si në aspektin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Si zëvendëskoordinator, e më pas si koordinator, pati rol kryesor në miratimin e reformës sociale në vend, përmes së cilës u sigurua përmirësimi i standardit jetësor të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve. U përfshi edhe në reformat ekonomike të shtetit, që nënkuptonin përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, përmirësimin e kushteve për përparimin ekonomik dhe investimet.

Mitreski me aktivitetin e tij u përfshi edhe në procesin e ratifikimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Më 11 shkurt 2020, gjatë ratifikimit nga foltorja e Kuvendit, tha: “Ky është moment që përcakton të ardhmen, stabilitetin dhe prosperitetin tonë. Kjo jep shembull se si zgjidhen kontestet me dekada dhe ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore. Nëse keni vizion, e ardhmja është e garantuar. Anëtarësimi në NATO sjell më shumë investime, më shumë vende pune, standard më të mirë jetësor këtu, e jo për të jetuar jashtë vendit”.

Mitreski gjatë këtij mandati ishte i përfshirë në punën e Komisionit për Financim dhe Buxhet, si dhe Komisionit për Mbikëqyrje të Punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim. Në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare ishte pjesë e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Unionin Ndërparlamentar (UNP), si dhe në grupet parlamentare të Kuvendit për bashkëpunim me parlamentet e Ukrainës, Maltës, Qipros, Shqipërisë dhe Iranit.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në korrik 2020, Mitreski filloi mandatin e tretë si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai ishte zgjedhur sërish koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së dhe Koalicionit.

Në periudhën kur vendi ynë dhe e gjithë bota po përballeshin me pandeminë e Kovid-19, e cila shkaktoi krizë ekonomike globale, Mitreski, si koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së dhe Koalicionit dhe si pjesë e shumicës parlamentare, e menaxhoi me sukses procesin e miratimit të masave shëndetësore dhe ekonomike, të cilat siguruan përballjen me sukses të krizës shëndetësore dhe ekonomike.

Kontribut të rëndësishëm Mitreski dha edhe në Dialogun e "Zhan Monesë", përmes të cilit Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me konsensus miratoi Rregulloren e re të punës së Kuvendit, e cila do të fillojë të zbatohet me përbërjen e re parlamentare pas zgjedhjeve parlamentare në maj 2024.

Në këtë përbërje parlamentare, Mitreski ishte i përfshirë me aktivitetet e tij në Këshillin Buxhetor të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, Komisionin për Çështje Ekonomike, Komisionin për Financim dhe Buxhet, si dhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë për Siguri Nacionale dhe Agjencisë për Zbulim.

Në nivel ndërkombëtar, kryesoi grupin parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Ukrainës, ishte pjesë e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Unionin Ndërparlamentar (UNP), si dhe ishte përfshirë në grupet parlamentare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me parlamentet e Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës.

Jovan Mitreski flet maqedonisht, anglisht dhe serbo-kroatisht. Jeton në Strugë, është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.


Click