Udhëheqja parlamentare

E premte, 21 shtator 2018  

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Konferencën e liderëve të rinj në temën "Nxitja e dialogut dhe konsensusit politik" 

I nderuar deputet i Parlamentit Evropian, z. Edvard Kukan, 
I nderuar koleg Fadil Zendeli, 
Të nderuar kolegë deputetë nga Parlamenti Evropian, deputetë të parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, 
Të nderuar përfaqësues të forumeve, këshillave rinorë, 
Miq të dashur,

Sipas meje, dialogu politik dhe arritja e konsensusit janë në kulmin e vlerave dhe standardeve të cilat e definojnë ambientin demokratik dhe kulturën politike në një shoqëri. Në të njëjtën kohë, ajo se sa këto vlera dhe standarde praktikohen, është njësia matëse kryesore për atë se sa demokratike është një qeveri gjatë sundimit. Vendi i vërtetë, ose nëse preferoni arena ku duhet të udhëhiqet dialogu politik dhe ku duhet të arrihet konsensusi është Kuvendi. Ai dialog, nuk duhet të kufizohet vetëm në partitë politike të përfaqësuara në Kuvend por në të duhet të inkuadrohen organizatat civile, sektori joqeveritar, ekspertë dhe grupe tjera shoqërore formale dhe joformale. Që të realizohet ai dialog, në Rregulloren e punës së Kuvendit ekzistojnë dispozita që e mundësojnë atë mekanizëm dhe mund të them se ky është angazhimi im prej vetë fillimit kur qëndrova në krye të shtëpisë ligjvënëse, për arsye se besoj se është mënyra e vetme që në shtëpinë e demokracisë të funksionojnë standardet dhe parimet e demokracisë parlamentare, e jo Kuvendi të jetë vetëm dora e vazhduar e pushtetit ekzekutiv, respektivisht të reduktohet vetëm në makinë votuese.

Të nderuar miq,

Para pothuajse 4 viteve, te ne ndodhën ngjarje të cilat sipas meje ishin shkaktuar nga raporti i papërshtatshëm i Qeverisë ndaj të rinjve, më saktë, popullatës studentore, a bëhej fjalë për nxjerrjen e ligjit i cili në mënyrën më të drejtpërdrejtë i prekte studentët. Ligji ishte propozuar pa pasur paraprakisht çfarëdo dialogu, konsultimi me studentët, as që ishte i mbështetur me argumente profesionale. E keni parasysh, mendoj për plenumin studentor, i cili me aktivitetet dhe organizimin e vet, na tregoi ne politikanëve më të vjetër se si duhet të ushtrohet pushteti. Plenumi studentor ka edhe disa karakteristika tjera shumë të rëndësishme, të cilat janë të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe shtetin. Gjegjësisht, studentët atëherë u paraqitën të bashkuar,  pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, pa dallim nëse janë anëtarë ose simpatizues të kësaj apo asaj partie politike. Jam i bindur se studentët dhe të rinjtë në përgjithësi janë ajo forcë lëvizëse, ai motor i cili i lëviz punët kah më e mira, në vijë të njëjtë me botëkuptimet bashkëkohore dhe nevojat e kohës së re të globalizimit.

Zonja dhe zotëri,

Si rezultat i hapjes për dialog dhe gatishmërisë që nëpërmjet kompromiseve të gjetet zgjidhje e pranueshme e ndërsjellë, respektivisht të arrihet konsensus për çështje të caktuara, kjo Qeveri arriti të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e bllokimit shumëvjeçar të integrimit tonë në NATO dhe BE. Marrëveshja e Prespës, pas së cilës qëndruan kryeministrat e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Zaev dhe Cipras, na hap dyert e anëtarësimit në NATO dhe fillimit të negociatave me BE-në, gjegjësisht për realizimin e përcaktimit tonë strategjik të determinuar që prej para 27 viteve. Besoj se publiku jonë e di mirë se me këtë sigurojmë të tashme stabile dhe ardhmëri shumë më të mirë për gjeneratat që vijnë pas nesh. Shumica aktuale këtë marrëveshje me Greqinë tani e vu në vendosje para qytetarëve, me bindje se më 30 shtator në referendum do të fitojë mbështetje të plotë që mandej të fillohet me fazën e ardhshme të Marrëveshjes, gjegjësisht miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Dhe tani, si politikan, a para së gjithash si qytetar i cili ndjen përgjegjësi për vendin e vet, për fëmijët e vet, por edhe për fëmijët e fqinjëve dhe miqve të vet, apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në fushatë të jenë të sinqertë dhe të drejtohen me fakte dhe pohime të vërteta para qytetarëve që të jenë saktë të informuar dhe të mos përpiqen me pika të imta të politikës ditore të shkaktojnë dëm, çmimin e të cilit do e paguajmë mandej të gjithë. Në të njëjtën kohë, nga partnerët tanë strategjikë, prej të gjithë burrështetasve dhe politikanëve evropianë dhe prej gjithë publikut evropian kemi mbështetje të plotë me apel te qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën demokratike dhe më 30 shtator të dalin dhe të votojnë në referendum. Gjithsesi, kjo do të duhet të jetë shenjë e mjaftueshme për të gjithë qytetarët se kjo mundësi nuk guxon të lëshohet. Në gjithë këtë situatë, ajo që mua më inkurajon dhe më jep optimizëm është si vijon: sipas hulumtimeve të opinionit publik, pikërisht gjenerata e re, dhe përsëri pa dallim se cilës bashkësi etnike i takon ose cilit opsion politik i takon, e mbështet Marrëveshjen e Prespës dhe gjithsesi referendumin. Qëndrimi i këtillë i gjeneratës së re na obligon ne, më të moshuarit që në këtë moment historik jemi në krye të shtetit, në dy punë. E para, më 30 shtator, kur besoj se qytetarët do të votojnë për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, mos lejojmë të na ngre triumfalizmi në ajër dhe e dyta, të vazhdojmë në mënyrë shumë më intensive të punojmë në realizimin e qëllimeve tona strategjike. Dhe, pasi kjo nënkupton një sërë reformash për të cilat do të duhet patjetër të arrijmë konsensus nacional, si shumicë parlamentare do të duhet patjetër ti përkushtojmë vëmendje edhe më të madhe vendosjes së dialogut të vërtetë politik me të gjitha partitë parlamentare dhe arritje të konsensusit për të gjitha ato sfida të cilat qëndrojnë para nesh në rrugën kah anëtarësimi në NATO dhe BE. Gjithsesi, ai dialog politik nuk do të kufizohet vetëm në marrëveshje ndërmjet partive politike, por do të jetë para së gjithash dialog transparent dhe i hapur me të gjithë faktorët shoqërorë, me sektorin joqeveritar, opinionin ekspert dhe palë të tjera të interesuara.

Gjatë fjalimit tim të djeshëm, përmenda se është në rrjedhë përgatitja e Ligjit të ri për të rinjtë, në përpilimin e të cilit përveç deputetëve më të ri nga të gjitha partitë parlamentare, marrin pjesë edhe përfaqësues nga organizatat rinore, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, që është shembull i mirë për vendosjen e një dialogu konsultues të gjerë dhe kualitativ për krijimin e politikës konkrete për një grup qëllimor konkret. Besoj se në këtë konferencë, dëgjuat ose do të dëgjojmë për shembuj pozitiv të këtillë dhe të ngjashëm në shtetet tjera të rajonit. Natyrisht se kur bëhet fjalë për dialogun politik me gjeneratën e re dhe për arritjen e konsensusit, do të jetë shumë e dobishme ti dëgjojmë, por edhe të mësojmë ti aplikojmë përvojat dhe praktikat pozitive nga Parlamenti Evropian. Mos harrojmë se bota me të vërtetë u mbetet të rinjve por, përgjegjësia për atë se çfarë bote do u lëmë është e jona, e gjeneratave më të moshuara!

Ju faleminderit!

Click