Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE


E premte, 28 janar 2011

DELEGACIONI I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, I UDHËHEQUR NGA KRYETARI VELANOSKI, NË VIZITË ZYRTARE NË MAL TË ZI

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Velanoski, e në përbërje të të cilit janë edhe deputetët z. Kërsto Mukoski, deputet i VMRO-DPMNE-së dhe kryetarja e grupit parlamentar për bashkëpunim me parlamentin e Malit të Zi, znj. Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së dhe z. Mile Andonov, deputet i LSDM-së, anëtarë të grupit, realizoi takim me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Ranko Krivokapiq.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet bilaterale në mes të dy shteteve janë në nivel të lartë miqësor, ndërsa në ato korniza janë edhe marrëdhëniet në mes të dy parlamenteve. Marrëdhëniet e zhvilluara në nivel të lartë japin kontributin e tyre ndaj stabilitetit të përgjithshëm në rajon, ndërsa me këtë edhe në perspektivën e tij euroatlantike.   Ajo që është e nevojshme, është intensifikimi i marrëdhënieve në sferën ekonomike. Në këtë drejtim, është e nevojshme të vazhdohen takimet në nivel më të lartë, duke e përfshirë edhe bashkësinë e biznesit, nga ku do të dalin iniciativa për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike. 

Kryetari i Kuvendit, z.  Velanoski, në kontekst të realizimit sa më të shpejtë të qëllimit të përbashkët-integrimit euroatlantik, i dëshiron nikoqirit të tij marrje sa më të shpejtë të datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Duke konstatuar se Republika e Maqedonisë tash më dy vjet radhazi merr rekomandim nga Komisioni Evropian për marrjen e datës për fillim të negociatave, por për shkak të bllokadës nga ana e  Greqisë edhe kontestit absurd rreth emrit tonë kushtetues, kjo nuk ndodh, kryetari Velanoski theksoi se Maqedonia, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në negociatat që mbahen në korniza të Kombeve të Bashkuara, është e gatshme për gjetjen e zgjidhjes kompromise e cila në çfarëdo mënyre nuk do ta kërcënoj identitetin tonë kombëtar, kulturor ose gjuhësor.  Nga ana e tij, nikoqiri Krivokapiq, shprehu mirëkuptim për ndërlikueshmërinë e çështjes, me ç’rast dha mbështetje për zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit me marrëveshje.  

“Duke vazhduar me reformat dhe posaçërisht me harmonizimin e legjislacionit tonë me atë  evropian, ndërsa duke pasur parasysh se parlamentet nacionale janë lokomotiva e trenit euroatlantik, mendoj se bashkëpunimin tonë të ardhshëm duhet ta intensifikojmë pikërisht në këto çështje.  Ne jemi të gatshëm me Parlamentin e Malit të Zi t'i ndajmë të gjitha përvojat, si ato pozitive, ashtu edhe ato më pak pozitive, rreth këtyre çështjeve", theksoi në vazhdim kryetari Velanoski.

Duke folur për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, kryetari Velanoski informoi se para pak kohësh në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u ratifikuan edhe dy marrëveshje bilaterale në mes dy shteteve, njëra është Marrëveshja për bashkëpunim shkencor dhe teknologjik, ndërsa tjetra Marrëveshja për bashkëpunim në sferën e arsimit.

Në pjesën e avancimit të bashkëpunimit ekonomik, kryetari Velanoski potencoi se Mali i Zi si destinacion turistik bëhet shumë e më shumë atraktiv për qytetarët tanë, ndërsa pikërisht turizmi, edhe gjithë ajo që i përket turizmit, mund të jetë bazë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik në nivel më të lartë.

 Në takimin e përzemërt, të cilin kryetari i Kuvendit e kishte me Presidentin e Malit të Zi, z.  Filip Vujanoviq, u bisedua për më shumë tema nga interesi reciprok, me ç’rast u potencua niveli i lartë i zhvillimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve mike, të cilat japin kontributin e tyre edhe në stabilitetin e përgjithshëm në rajon  edhe në perspektivën e tij euroatlantike.  

“Republika e Maqedonisë dhe Mali i Zi në të vërtetë nuk janë shtetet më të mëdha dhe me më shumë banorë në rajon, por me politikën e tyre të ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, me politikën e tyre proeuropiane janë të njohura jo vetëm në rajon, por edhe më gjërë”, theksoi në takim kryetari Velanoski.

Nga ana e tij, z.  Vujanoviq e theksoi rëndësinë e madhe të procesit integrues euroatlantik për avancimin e të dy shteteve, si dhe nevojën e zhvillimit të marrëdhënieve të ndërsjella ekonomike që duhet t'i ndjekin relacionet e shkëlqyeshme politike. Gjatë kohës së takimit, Presidenti Vujanoviq u përqendrua edhe në kontestin me Kishën ortodokse serbe.

Në fund të vizitës zyrtare në Mal të Zi, kryetari i Kuvendit, z.  Velanoski, u takua me kryeministrin e ri malazez, z.  Igor Lukshiq. Duke ia uruar zgjidhjen e pak më hershme dhe duke i dëshiruar sukses në realizimin e funksionit të kryeministrit, kryetari Velanoski gjatë takimit u përqendrua në çështjet dhe bashkëpunimin ekonomik, për të cilin tha se për fat të keq ngecet pas marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale.   Ai vlerësoi se kriza ekonomike ndikoi negativisht në të gjitha ekonomitë nacionale, por përsëri Republika e Maqedonisë edhe në kushte të këtilla vitin e kaluar e realizoi relativisht me sukses, përkatësisht pasojat nga kriza nuk shkaktuan efekte negative më të mëdha, me ç’rast këtë vit në Maqedoni planifikohet rritje reale e bruto prodhimit vendor prej rreth tre përqind.  

“Turizmi, prodhimet bujqësore, industria ushqimore, ndërtimtaria, komunikacioni, e kështu me radhë, janë sfera ku të dy ekonomitë mund të bëjnë shumë gjithsesi në interes reciprok”, theksoi në këtë takim kryetari Velanoski.

Kryetari Velanoski shprehu gatishmërinë e plotë për ndihmë dhe ndarje të të gjitha përvojave që Republika e Maqedonisë i ka në proceset euroatlantike si ato pozitive, ashtu edhe ato më pak pozitive.

Nga ana e tij kryeministri Lukshiq shprehu kënaqësi nga takimi dhe mundësia për shkëmbim të mendimeve, me ç’rast u dha mbështetje të plotë  përpjekjeve që Republika e Maqedonisë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, duke iu falemenderuar për mbështetjen e deritanishme nga Maqedonia, si edhe nga ndihma e ofruar në sferën e çështjeve euroatlantike.   Kryeministri Likshiq posaçërisht u përqendrua në çështjen për atë se si të avancohet bashkëpunimi ekonomik.

Në kornizat e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale miqësore, urë bashkëpunimi paraqesin edhe pjesëtarët e pakicës maqedonase në Mal të Zi dhe pakicës malazeze në Republikën e Maqedonisë. 

 
a

Na ndiqni në: