Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE


E martë, 8 mars 2011

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË HAPJEN E QENDRËS MEMORIALE TË HOLOKAUSTIT TË HEBRENJVE NGA MAQEDONIA 

I nderuar President i Republikës së Maqedonisë, 
I nderuar  Kryetar i Qeverisë së  Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë,
Të nderuar deputet,
Të nderuar ministra,
Hirësia Juaj Kryepeshkop i Ohrit dhe i Maqedonisë z.z.   Stefan, 
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë së hebrenjve në Republikën e Maqedonisë,
Shkëlqesi, zonja dhe zotërinj,

Manifestimin e sotshëm unë e përjetoj si pjesë të aktiviteteve komemorative kushtuar holokaustit dhe përkujtimit për 7.144 bashkëqytetarët tanë hebrenj të cilët në vitin 1943 u deportuan në llogorin e vdekjes Treblinka.  Në mesin e tyre pothuajse gjysma ishin fëmijë dhe të mitur deri në moshën 18 vjeçare.  Fati i tyre ishte i tmerrshëm, mbi 98 përqind e të depërtuarve u likuiduan në këtë llogor nazist.   Me hapjen e Qendrës memoriale kushtuar holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë, si qytetarë dhe si shtet  e shprehim respektin tonë të thellë për bashkëqytetarët tanë të cilët brutalisht u likuiduan, dhe njëkohësisht bëjmë një hap të rëndësishëm civilizues drejtë njërës prej vlerave themelore të njerëzimit, e ajo është toleranca, bashkëjetesa dhe respektimi i lidhjeve nacionale dhe të gjitha dallimeve tjera.

Zonja dhe zotërinj, 

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore në llogoret naziste u likuiduan mbi 6 milion burra, gra, fëmijë, pleq edhe atë vetëm pse ishin hebrenj.  Para Zotit, i cili është një, pa dallim se cilit religjion dhe besim i takojmë, të gjithë jemi fëmijë të Zotit dhe të gjithë jemi të njëjtë dhe të barabartë.  Për këtë, vazhdimisht duhet të pyetemi pse 7144 hebrenj të Maqedonisë brutalisht u likuiduan në Treblink, pse ndodhi holokausti.  

Me të vërtetë pas Luftës së Dytë Botërore  në procesin e njohur të Nirnbergut  holokausti dhe bartësit e tij u gjykuan juridikisht dhe politikisht.  Për fat të keq në këto 66 vite nga fundi formal i holokaustit jemi dëshmitarë të padurimit, të luftërave, terrorizmit, të cilat arsyetohen në emër të mbrojtjes së kombit, ideologjisë ose fesë personale.  Vallë nëse kishte tolerancë të vërtetë dhe respektim të tjetrit, të ndryshmit, nëse kishte pasur dëshirë të vërtetë për dialog, a do të ndodhnin këto ngjarje tragjike, vuajtje dhe vrasje në hapësirën e ish RSFJ-së, të cilat tash marrin zgjidhje juridike në gjykatën e Hagës.   Obligimi i të gjithë neve, pa dallim të përkatësisë nacionale dhe fetare, është të mos lejojmë të harrohet, ose të ndryshohet dhe fshihet kujtimi historik për holokaustin.  Edhe më e rëndësishme është të mos lejojmë që të krijohen çfarëdo lloj kushtesh për përsëritjen e frikës dhe tmerrit që i barte holokausti, pa dallim se kundër kujt janë drejtuar, sepse pikërisht kjo është e keqja më e madhe në historinë njerëzore.

Zonja dhe zotërinj,

Hebrenjt në Maqedoni erdhën në shek 15, pas dëbimit të tyre nga Spanja.  Ajo që është karakteristike, e që historia dhe disiplinat tjera shkencore këtë e vërtetojnë, është  se popullata lokale i pranoi, ndërsa edhe ato në mënyrë shumë aktive u kyçën në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore, njëkohësisht duke e ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre nacional, fetar dhe kulturor.   Për fat të keq, ajo bashkësi dhe ajo simbiozë u ndërpre me dhunë me deportimin dhe likuidimin e tyre në Treblinkë. 

Sot në Maqedoni, kryesisht në Shkup jeton me të vërtetë  bashkësi e vogël hebreje, e cila me aktivitetet e veta në të gjitha fushat është shumë e njohur dhe jep kontribut në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, ekonomik dhe kulturor të shtetit.  Republika e Maqedonisë me Ligjin për denacionalizim e ktheu pronën e tërësishme të bashkësisë hebreje e cila e posedonte para Luftës së Dytë Botërore, si dhe pronat e bashkëqytetarëve tanë hebrenj të likuiduar në Triblinkë, të cilët nuk kanë trashëgimtarë juridik.

Kjo ishte baza e formimit të Fondit të holokaustit, ndërsa rezultat i gjithë kësaj është ngritja e Qendrës memoriale e cila zyrtarisht do të hapet pasnesër.  Me lokacionin e vet, nga njëra anë kufizohet me kishën ortodokse, ndërsa menjëherë përballë saj edhe me objektin e arkitekturës myslimane, Qendra memoriale në mënyrë simbolike e manifeston tolerancën fetare, nacionale dhe kulturore dhe ndarjen për bashkëjetesë si të popullit maqedonas, ashtu edhe të të gjithë bashkësive tjera etnike në Republikën e Maqedonisë.

Besoj se kjo Qendër memoriale kushtuar holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë që është e vetmja jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, me aktivitetin e saj programues do të jep kontribut të madh në zhvillimin dhe thellimin e tolerancës, dialogut si vegël themelore dhe të vetme për njoftim më të mirë ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike, fetare dhe kulturore.  Do të jep kontribut të madh edhe në zhvillimin e ndërtimit të shoqërisë së vërtetë të hapur, demokratike dhe tolerante.   Ndërsa këto vlera na nevojiten të gjithë neve që jetojmë këtu, i nevojitet edhe rajonit por edhe Evropës dhe gjithë botës. 

Zonja dhe zotërinj, miq të nderuar ,

Para pak kohësh isha në vizitë zyrtare në Shtetin e Izraelit me ftesë të homologut tim të nderuar   Kryetarit të Knesetit z. Reuvan Rivllin. Ne bisedat me të si dhe me Presidentin e Shtetit të Izraelit z. Shimon Perez dhe me përfaqësues të tjerë të lartë shtetëror, unë dhe të gjithë anëtarët e delegacionit mundeshim me të vërtetë ta ndjejmë miqësinë e sinqertë, por edhe respektin ndaj Republikës së Maqedonisë, ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj gjithë asaj që si shtet e bëjmë për ndërtimin e bashkëjetesës së vërtetë, për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, si në rajon ashtu edhe më gjerë.  Besoj se edhe në të ardhmen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona mike, ndërmjet popullit maqedonas dhe popullit izraelit, dhe përgjithësisht ndërmjet gjithë qytetarëve të të dy shteteve do të thellohen në dobi reciproke, ndërsa njëkohësisht kjo do të thotë edhe dhënie e kontributit  për tolerancë, dialog dhe paqe më të madhe në botë. 

Ju faleminderit 

 
a

Na ndiqni në: